Prishtina deklasoi ekipin nga Gjibraltari

Futboll

Prishtina deklasoi ekipin nga Gjibraltari

Nga: Kemajl Goca Më: 5 korrik 2018 Në ora: 18:08
Prishtina

Bardhekaltrit e deklasuan me rezultat 5:0 FC Europa. Prishtina tani përgatitet për takimin e radhës, kundër Fola nga Luksembugu. ndeshja e parë luhet me 12 korrik në Luksemburg, kurse ajo e kthimit pas një jave.  

Prishtina kualifikohet në rrethin tjetër të Europa League në futboll. Skuadra më e trofeshme në vendin tonë, pa asnjë problem e mundi me rezultat të thellë 5:0 FC Europa nga Gjibraltari, në ndeshjen e kthimit që u zhvillua në stadiumin "Adem Jashari" në Mitrovicë.

Ndeshja e parë kishte përfunduar me 1:1 dhe Prishtina kualifikohet me rezultat të përgjithshëm 6:1.

Në 45 minutat e parë gjithçka u qartësua kur Prishtina udhëhoqi me rezultat 3:0.

Në minutën e 9-të, penallti për Prishtinën, pasi u pengua Khalid Abdul Basit, të cilën e shndërroi në gol kapiteni Armend Dallku. 

Mankenda me dinakërinë dhe nga distanca rreth 20 metra thelloi epërsinë në 2:0 në minutën e 14-të. 

Dy golat e hershëm i dhanë edhe më shumë motiv prishtinasve, të cilët administruan lojën pa problem dhe thelluan epërsinë (3:0), duke iu falënderuar Dallkut, që ishte i saktë nga penalltia. 

Prishtina u tregua shumë e fortë në mbrojtje dhe në të gjitha repartet tjera, duke mos lejuar rivalin që të jetë i rrezikshëm. 

FC Europa nuk ishte rival i barabartë dhe në asnjë moment nuk kishte forcë që t'i kundërvihet lojës së bardhekaltër. 

Kapiteni Dallku me bashkëlojtarë  ishin jashtëzakonisht të mirë, duke kënaqur me lojë edhe tifozët që ishin të pranishëm në stadiumin "Adem Jashari".

Në pjesën e dytë, Prishtina luajti me ritëm sikurse në pjesën e parë. Në minutën e 59-të, Ahmed Januzi shënoi për 4:0, duke shuar të gjitha shpresat e rivalit.

Në minutën e 75-të, Mërgim Pefqeli futet në lojë dhe tregoi paraqitje të mirë.

Ai në minutën e 86-të, nga rreth 17 metra me një goditje të fortë thelloi fitoren në 5:0. Prishtina me lojë e rezultat e deklasoi ekipin nga Gjibraltari, Europa.

Trajneri i Prishtinës, Mirel Josa, gjithsesi se është i kanaqur me paraqitjen e djelmoshave të tij dhe për fitoren bindëse. 

Prishtina tani përgatitet për takimin e radhës, kundër Fola nga Luksembugu. ndeshja e parë luhet me 12 korrik në Luksemburg, kurse ajo e kthimit pas një jave. 

Pas Dritës nga Gjilani që ishte kualifikuar në rrethin eliminatorë të Champions League, tani është edhe Prishtina në Europa League. Ky është viti i dytë që skuadrat nga Ksoova marrin pjesë në garat evropiane dhe hera e parë që kualifikohen.

Prishtina-Europa 5:0

Stadiumi "Adem Jashari" në Mitrovicë.

Shikues: 3.000.

Gjyqtar:P. Ioannis (Greqia).

Shënues: Dallku (9' e 35' nga penalltia, Mankenda (14'), Januzi (59'), Pefqeli (86').

Kartonat e verdhë: Khalid Abdul Basit - Munoz, Merino, Belfortti.

Prishtina: Bekaj, Osmani, Dallku, Haliti, Jamal, Mankenda, Ahmeti, Mustafa, Korenica (Pefqeli 75'), Khalid Abdul Basit (Boshnjaku 69') dhe Januzi (Jasharovski 66').

Europa: Munoz, Toscano Serrano, Sanchez (Blanco 46'), Belfortti, Garcia, Ayeë, Yahaya, Moya, Roldan (Gonzalez 59'), Carreno (Yome 71') dhe ëalker.

***

90+3' Përfundon ndeshja 

89' Atmosferë e jashtëzakonshme nga "Plisat".

85' Prishtina e jashtëzakonshme. Shënon edhe golin e pestë në ndeshje. Mergim Pefqeli ishte golashënues me një goditje fantastike nga jashta zonës.

77' Prishtina mund të shënonte edhe golin e pestë nëse Dallku do të ishte më i saktë.

67' Prishtina asesi nuk po i ndal sulmet.

59' Ahmet Januzi ka shënuar një gol me një qetësi të paparë në minutën e 59 të ndeshjes.

45' Përfundon pjesa e parë

34' Dallku sërish shënon gol nga penalltia. I dyti për të në këtë ndeshje dhe i treti për skuadrën e Prishtinës.

22' Lojë shumë e mirë nga ana e Prishtinës.

13' Prishtina shumë shpejt ka arritur ta dyfishoj epërsinë me një goditje të bukur nga Gauthier Mankenda

10' Prishtina kalon në epërsi me golin e Armend Dallkut nga penalltia

8' Penallti për Prishtinën.

1' Fillon ndeshja.

Skuadra e Prishtinës ballafaqohet sot me ekipin e FC Europa, ndeshja kthyese e vlefshme për kualifikimin në fazën tjetër të Europa Ligë.

Ndeshja luhet në stadiumin e Kosovës “Adem Jashari” nga ora 19:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat