Trajneri i Bayern Munihut, Niko Kovaç, po lufton që tani për vendin e punës. Trajneri kroat e mori drejtimin e ekipit bavarez në verë, por pasi janë luajtur vetëm 11 ndeshje zyrtare pozitat e tij në “Allianz Arena” janë lëkundur seriozisht. Bayern u mposht 3:0 në shtëpi nga Monchengladbach dhe burime brenda klubit tregojnë se Uli Hoeness i ka vënë një ultimatum trajnerit Kovaç, me “fantazmën” e të zakonshmit Jupp Heynckes që po shfaqet në skenë. Alassane Plea dhe Lars Stindl shënuan në 16 minutat e para për t’i dhënë avantazhin rivalit, ndërsa dy minuta para fundit të ndeshjes Patrick Hermann vulosi humbjen e ekipit të Kovaçit të dytën radhazi pas asaj ndaj Hertha-s.