Lojtarët e Anglisë kanë dashur ta shijojnë në maksimum udhëtimin drejt Kroacisë. Të nesërmen e ndeshjes me nënkampionët e botës, të cilën e barazuan 0-0, përfaqësuesja e “Tre Luanëve” shfrytëzoi temperaturat e përshtatshme në brigjet e Adriatikut për tu freskuar në det. Harry Kane me shokë shkuan për not mëngjesin e kësaj të shtune, ndërsa pas kthimit në hotel bënë një seancë joga në palestër.
Skuadra e Gareth Southgate do të udhëtojë për në Sevilla për të luajtur me Spanjën të hënën në mbrëmje. Anglia nuk ka fituar ende në fushatën e Ligës Kombëtare, ndaj në “Benito Villamarin” do të tentojë të befasojë Spanjën e Luis Enriques, për të shmangur rënien nga grupi.