Ish presidenti Nishani: Ai s’mund të na japë leksione edukate

Futboll

Ish presidenti Nishani: Ai s’mund të na japë leksione edukate

Më: 15 tetor 2018 Në ora: 18:11
Panucci e Nishani

Nëse nuk do të mbahet mend për rezultatet në krye të kombëtares shqiptare të futbollit, sikurse ka shumë gjasa të ndodhë, Christian Panucci do të përmendet për një precedent që ka vendosur në vendin tonë, por ndoshta jo vetëm. Trajneri i kuqezinjve ka paditur në gjykatë ish presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, për prishje të imazhit dhe fyerje, duke kërkuar prej tij 100 mijë euro dëmshpërblim moral. Çështja ka përfunduar tashmë në gjykatë dhe pritet të shihet se çfarë do të vendoset në fund të gjykimit. I pyetur për këtë gjë, Bujar Nishani, në një intervistë të dhënë për Intv, ka bërë këtë sqarim: “Unë e ndjek kombëtaren. Shikoni, zotëria që ka një përgjegjësi, padyshim është trajneri. Por përgjegjësia ka edhe hierarki dhe shpërndahet. Unë nuk kam një polemikë fare me këtë zotërinë. Kam shprehur në një moment të caktuar, për shkak të disa rrethanave të caktuara, një opinion timin, në rrjetin tim personal social me miqtë e mi.

Zotëria është ndier i ofenduar, i është drejtuar gjykatës. Unë do të ndjek procesin gjyqësor, sepse respektoj shtetin. Kam një merak, që nuk mund ta pranoj dhe përtyp. Personi në fjalë është njeriu më i papërshtatshëm për të na dhënë leksione edukate. Në një intervistë, menjëherë pas ndeshjes me Kosovën, që kishte edhe një reagim masiv pakënaqësie, ai ka përdorur një fjalë përpara kamerave, përpara familjeve shqiptare; ka përdorur një fjalor rrugaçërie.

Ai nuk është i pranueshëm në kodin shqiptar, por as në çdo kod të një shoqërie etike. Ky person, që bilbilos me këtë fjalor të papranueshëm, tenton të na japë edhe leksione edukate dhe qytetarie. Ky për mua është i papranueshëm, pjesa tjetër e çështjes do të shqyrtohet nga gjykata. Unë mendoj që nuk është faji i tij. Mendoj se ‘lepuri fle tjetër kund’, por ferra ku fle lepuri duhet kosituar. Ajo mbetet për t’u parë në ditët që vijnë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat