“Babi më qëllon kur rri shumë para kompjuterit”/ Denoncimi i pazakontë i 10 vjeçares: Më ka gjuajtur me ...

Shqipëria

“Babi më qëllon kur rri shumë para kompjuterit”/ Denoncimi i pazakontë i 10 vjeçares: Më ka gjuajtur me ...

Më: 18 dhjetor 2021 Në ora: 17:15
Foto ilustrim

“Jam në klasën e pestë, kam ardhur bashkë me mësuesen që të denoncoj babain tim, i cili nuk më lë të luaj në kompjuter”. Kështu e nisi rrëfimin në komisariatin numër 5 të Policisë në Tiranë, një e mitur 10 vjeçe, që pretendon se është dhunuar nga të rriturit e familjes.

Por dhuna që fëmija denoncon, është e një natyre krejt tjetër dhe lidhet me mohimin e të atit që vajza të luajë. Burimet e Gazetasi.al, treguan se e mitura ndjek shkollën në Kamëz dhe siç shprehet, familja e saj përbëhet nga katër anëtarë.

“Mami punon pastruese edhe babi punon. Mami është në shkollë. Një fondacion na solli dhuratë një ‘lap top’ gjatë pandemisë dhe e përdorim të dyja me motrën”, – shprehet fëmija që i ka kërkuar mësueses kujdestare ta shoqëronte në polici, pasi do t’u thoshte atyre diçka shumë të rëndësishme. Fëmija me inicialet N.N., vazhdon në denoncim, duke këmbëngulur se u dhunua, pasi kompjuterin e posedonte më së shumti ajo.

“Duke qenë se qëndroj shumë para kompjuterit, babai ka ndryshuar, ka filluar të më bërtasë dhe kur nuk i jam bindur, në disa raste më ka gjuajtur me shpullë. Kërkesa e tij është: ‘Ulu mëso, ne po punojmë për ju’”.

Fëmija pyetet sipas burimeve, se kur ka ndodhur kjo dhunë? Ajo përgjigjet: “Saktësisht nuk e mbaj mend, por babai më qorton, nuk më lë të luaj e të qëndroj në ‘Pc’ gjatë. Do që vetëm të mësoj. U tregova shoqeve të klasës që më shpjeguan se ato qëndronin gjatë në kompjuter dhe luanin, kuptova se kjo sjellje e babait ndaj meje është dhunë”, – këmbëngul fëmija. Vajza shprehet me komplimenta për anëtarët e tjerë të familjes.

“Mami dhe motra nuk bëjnë presion, më lejojnë të luaj sa herë të dua unë. Babai sa hyn në shtëpi kërkon të kuptojë a kam mësuar, është fiksuar me këtë fakt që unë nuk kam mësuar dhe qëllon me shpulla”.

Fëmija, sipas asaj që ka shkruar oficeri, që ka nisur procedimin dhe ka mbajtur shënim çdo deklaratë, përmend se disa herë e ëma ishte grindur me të atin, pasi të dy kishin pretendime për rezultatet dhe efektin negativ të internetit. Policia i thotë Gazetasi.al, se menjëherë pas regjistrimit të kallëzimit, është thirrur babai i denoncuar.

“Nuk është e vërtetë, – këmbëngul i ati. – Unë i dua të dyja vajzat si dritën e syve të mi. Punojmë të dy si prindër e rropatemi që mos t’u mungojë asgjë”.

Të njëjtën gjë konfirmon edhe e ëma. “Jam e habitur se si vajza jonë kërkon hetime për babain, ne i kritikojmë të dyja, pasi duam maksimalen, kemi merak për to dhe s’po kuptoj çfarë e ka shtyrë të voglën të vijë në polici”, – thotë e ëma.

Ndërsa babai shton: “Ndonëse jam invalid, jeta ime është mes spitaleve dhe punës së vështirë që bëj. Nuk dua që vajzat e mia të kenë jetë të vështirë si ne ndaj u kërkoj të studiojnë”.

Policia i thotë Gazetasi se do ta referojë në gjendje të lirë babain që ka pranuar se ka ushtruar dhunë verbale, por jo fizike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat