​Financimi rus, PD: Ishin për Lulzim Bashën, të rihapet menjëherë çështja

Shqipëria

​Financimi rus, PD: Ishin për Lulzim Bashën, të rihapet menjëherë çështja

Më: 14 shtator 2022 Në ora: 12:27
Foto ilustrim

Pas publikimit të një lajmi të bazuar në raportin e shërbimeve inteligjente të SHBA në Zërin e Amerikës, për infiltrimin rus në politikën e disa vendeve, dhe financimin e politikanëve në këto vende, ku përfshihet financimi me 500 mijë dollarë për Partinë Demokratike në zgjedhjet e vitit 2017, ka reaguar vetë PD, duke fajësuar ish-kryetarin Lulzim Basha.

Zëdhënësja e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Floriana Garo, kërkoi rihapjen e menjëhershme të çështjes për të cilin tha se e kishte denoncuar vetë partia e për të cilën shtoi se ishte mbyllur me ndërhyrjen e Edi Ramës tek gjyqësori.

Garo: Rastin e kemi denoncuar vetë por e mbylli Rama

“Partia Demokratike deklaron se, pasi është njohur me indicie që flisnin për një financim rus, ka denoncuar publikisht këtë akt personal të Lulzim Bashës. Gjithashtu, Partia Demokratike ka denoncuar përdorimin e kësaj afere per marrjen peng të këtij individi me qëllim shkatërrimin e Partisë Demokratike. PD ka denoncuar ndërhyrjen direkte të Edi Ramës, nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm Engjëll Agaçi për mbylljen e çështjes në ngarkim të Lulzim Bashës për këtë aferë”, u shpreh Garo.

Partia Demokratike do t’u kërkojë forumeve të saj ngritjen e një grupi pune për ndërmarrjen e një auditi të imtësishëm nën drejtimin e një Komisioni të Posaçëm. Raporti i auditimit u tha se do t’i prezantohet Kryesisë, Këshillit Kombëtar, Grupit Parlamentar, dhe do të publikohet.

Garo: Përgjegjësitë bien mbi Lulzim Bashën

Gjithë përgjegjësitë për këtë bien mbi Lulzim Bashën, i cili për orekset, agjendat, hallet dhe shkeljet personale, vendosi të rrënonte sovranitetin e Partisë Demokratike dhe të merrte zvarrë vullnetin e demokratëve. Partia Demokratike kërkon rihapjen e menjëhershme të çështjes në fjalë, të mbyllur me ndërhyrjen e Edi Ramës tek gjyqtarët e korruptuar, i cili më parë kishte denoncuar vetë financimin e Lulzim Bashës nga rusët, por tani i duhej te shpëtonte pengun e tij të dobishëm për të shkatërruar Partinë Demokratike. Rruga tipike mafioze që u gjet për këtë ishte mosdërgimi, ne kundershtim te hapur me ligjin i dosjes në Gjykatën e Lartë”, vijoi Garo.

Partia Demokratike kërkoi transparence dhe një proces të qartë publik duke ofruar bashkëpunimin me institucionet shqiptare dhe të vendeve partnere për zbardhjen e plotë të së vërtetës së kësaj çështjeje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat