Pse Shqipëria nuk merr pjesë në darkën joformale në Greqi?

Shqipëria

Pse Shqipëria nuk merr pjesë në darkën joformale në Greqi?

Më: 21 gusht 2023 Në ora: 10:58
Kyriakos Mitsotakis, Edi Rama

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, do të mirëpresë mbrëmjen e së hënës në një takim joformal në Athinë liderë të rajonit e të Bashkimit Evropian.

Shqipëria është ndër vendet që kishte marrë ftesë për të qenë në këtë takim, mirëpo presidenti Bajram Begaj nuk do të shkojë.

Burime zyrtare i kanë thënë RTSH-së procedurën e ftesës dhe pamundësinë e kreut të shtetit shqiptar për të qenë në takim, duke përjashtuar me këtë ekzistencën e arsyeve të tjera për të mos qenë atje.

Ftesa e mbërritur më 14 gusht nga kryeministri Mitsotakis për darkën joformale të 21 gushtit në Athinë ka marrë përgjigje zyrtare një ditë më pas, më 15 gusht 2023, nga kreu i shtetit shqiptar.

Pasi vlerëson vëmendjen e kryeministrit grek, Mitsotakis, për zhvillimet e lidhura me sigurinë e Evropës, presidenti Begaj i është përgjigjur i keqardhur kryeministrit për pamundësinë e pjesëmarrjes për shkak të një agjende të përcaktuar më herët.

Habi bëri fakti edhe që ftesa është dërguar te Begaj dhe jo te kryeministri Edi Rama, i cili ka përfaqësuar Shqipërinë në evente të tilla. Mirëpo, mediat greke shkruajnë se duket se ky ka qenë mesazhi diplomatik i Greqisë për çështjen e njohur tashmë “Bejleri”.

Çështja e kryetarit të Himarës, Fredi Bejleri, që solli edhe disa debate në distancë mes autoriteteve më të larta të Shqipërisë dhe Greqisë, u hamendësua edhe si arsye që Begaj ka refuzuar ftesën e Mitsotakis.

Kryetari i zgjedhur i Himarës, Bejleri gjendet në paraburgim me dyshimet për blerje votash për zgjedhjet e fundit, ndërsa nuk po i lejohet as të kryejë betimin si kryetar.

Përveç Shqipërisë, ftesës së Greqisë nuk i është përgjigjur pozitivisht as lideri i Sllovenisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat