Shëndeti mental vlerësohet jetik në zhvillimin e sportistëve

Sporti

Shëndeti mental vlerësohet jetik në zhvillimin e sportistëve

Më: 10 tetor 2023 Në ora: 10:39
Foto ilustrim

Në zhvillimin e sportistëve por edhe në cilësinë e sportit, shëndeti mental konsiderohet të jetë tejet i rëndësishëm dhe jetik për secilin atletë që merret me fushën e sportit.

Kështu u tha me rastin e ditës ndërkombëtare të Shëndetit mental në sport, ku Komiteti Olimpik i Kosovës ka organizuar seminarin “Shëndeti mental në sport” i cili ju dedikohet trajnerëve aktiv në Kosovë.

Niveli i cilësisë së shëndetit mendor në sport u tha se është një element kyç dhe i domosdoshëm i karrierës sportive të çdo sportisti. Shëndeti mendor ndikon jo vetëm në performancën e sportistit, por edhe në jetën e tij të përditshme dhe në mirëqenien e përgjithshme.

Presidenti i KOK ut, Ismet Krasniqi, me këtë rast deklaroi se krahas performancës, shëndeti mental ka ndikim të drejtpërdrejtë edhe në mirëqenien dhe jetën e përditshme të çdo sportisti.

“Krahas performancës, shëndeti mental ndikon edhe në jetën e përditshme dhe në mirëqenien e përgjithshme të sportistit i cili në mungesë të një psikologu në klubin e tij, të gjitha problemet që mund t’i ketë, mund t’i adresojë tek trajneri i cili tek ne luan rolin edhe të përgatitësit fizik, nutricipnistit, e po ashtu edhe të psikologut”, tha Krasniqi.

Për këtë temë dhe raste të ndryshme që lidhen me këtë temë do të ligjërojë psikologjia e sportit Sllovenia, Andreja Holsedl.

Në këtë seminar një ditor po marrin pjesë 40 trajnerë nga federata dhe sporte të ndryshme vendore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat