Komiteti Olimpik Ndërkombëtar pezullon me efekt të menjëhershëm Komitetin Olimpik Rus, ja arsyeja

Sporti

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar pezullon me efekt të menjëhershëm Komitetin Olimpik Rus, ja arsyeja

Më: 14 tetor 2023 Në ora: 12:51
Bach

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ka pezulluar me efekt të menjëhershëm Komitetin Olimpik Rus, për vendosjen e disa organizatave në rajonet e pushtuara të Ukrainës nën autoritetin e saj. Bëhet fjalë për këshillat olimpike rajonale në Republikën Popullore të Luhanskut, Republikën Popullore të Donetskut, Kherson dhe Zaporizhzhia.

Vendimi erdhi në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të mbajtur në Mumbai, Indi. Komiteti Olimpik Rus nuk ka më të drejtë të funksionojë si Komitet Olimpik Kombëtar dhe nuk mund të marrë asnjë financim nga Lëvizja Olimpike. Për më tepër, pjesëmarrja e sportistëve të saj si neutralë në Lojërat Olimpike Paris 2024 dhe Lojërat Olimpike Dimërore në Milano-Cortina 2026 mbetet në dyshim.

Në deklaratën e tij, IOC sqaron: “Vendimi i njëanshëm i marrë nga Komiteti Olimpik Rus më 5 tetor 2023 për të përfshirë, midis anëtarëve të tij, organizata sportive rajonale që janë nën autoritetin e Komitetit Olimpik Kombëtar të Ukrainës (domethënë Donetsk, Kherson, Luhansk dhe Zaporizhzhia) përbën shkelje të Kartës Olimpike sepse cenon integritetin territorial të Komitetit Olimpik të Ukrainës, të njohur nga IOC në përputhje me Kartën Olimpike”.

Duke pasur parasysh sa më sipër, komiteti ekzekutiv i IOC vendosi që Komiteti Olimpik Rus të pezullohet menjëherë deri në një vendim të dytë. Pezullimi ka pasojat e mëposhtme:

– Komiteti Olimpik Rus nuk ka më të drejtë të funksionojë si Komitet Olimpik Kombëtar, siç përcaktohet në Kartën Olimpike, dhe nuk mund të marrë asnjë financim nga Lëvizja Olimpike.

– IOC rezervon të drejtën të vendosë për pjesëmarrjen e atletëve rusë si neutralë dhe në formë individuale në Lojërat Olimpike Paris 2024 dhe në Lojërat Olimpike Milan-Cortina 2026 në momentet e duhura.

– IOC rezervon të drejtën për të marrë çdo masë apo vendim në varësi të zhvillimit të situatës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat