​Sporti do ta bashkojë Kosovën dhe Shqipërinë

Sporti

​Sporti do ta bashkojë Kosovën dhe Shqipërinë

Më: 10 dhjetor 2023 Në ora: 11:40
Foto ilustrim

Përmes një memorandumi të bashkëpunimit ndërmjet Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) dhe atij të Shqipërisë (KOKSH), po synohet që të bëhet unifikimi i ngjarjeve sportive të përbashkëta, si kampionatet dhe ngjarjet tjera sportive kombëtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Presidenti i Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli ka thënë për Kp, se do të jetë sporti ai që do ta bashkojë Kosovën dhe Shqipërinë, duke ndërtuar ura të forta bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve.

Ylli: Sporti do ta bashkojë Kosovën dhe Shqipërinë

“Që në vitin 2012 unë kam ardhur në Prishtinë dhe kam thirrur të gjithë yjet e sportit të ish-Jugosllavisë, duke filluar nga Luan Krasniqi, Besart Berisha, Lorik Cana, Shaban Terstena, Shaban Sejdiu, të gjithë yjet e famshëm shqiptar dhe kam folur atje për një bashkim nëpërmjet sportit. Sporti do ta bashkojë Kosovën dhe Shqipërinë, prandaj sporti lidhë urat e bashkëpunimit dhe ky bashkëpunim vije pak vonë, por më mirë vonë se kurrë thotë populli. Ne kemi pasur dhe kemi marrëdhënie ta mira me Komitetin Olimpik të Kosovës, kemi bërë takime të vazhdueshme por tani e kemi konkretizuar me një memorandum bashkëpunimi.”, ka thënë Ylli.

Ndërsa, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi ka vlerësuar lartë mënyrën e bashkëpunimit në mes të dy shtëpive të sportit nga Kosova dhe Shqipëria, duke thënë se ky bashkëpunim do të shtrihet edhe ndërmjet federatave sportive të të dy vendeve, për të arritur rezultate të mira mbarëkombëtare në sport.

Krasniqi: Qëllimi i bashkëpunimit është që të kemi rezultate mbarëkombëtare

“Ky bashkëpunim, ky memorandum është historik për Kosovën dhe Shqipërinë edhe për të gjithë shqiptarët kudo që janë. Po e them është historik sepse ky bashkëpunim dhe ky memorandum është i bazuar nga përvoja dy vjeçare e gjysmë së bashku me presidentin e Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli...Ky ishte edhe qëllimi që ta nxjerrim një kampion të përbashkët edhe t’i ndihmojmë njëri-tjetrit sepse dihet që Kosova në disa sporte është në nivel shumë të lartë, jo vetëm rajon, mendoj edhe në Evropë dhe botë, siç e kemi xhudon, mirëpo edhe në Shqipëria ka disa federata shumë të forta që kemi ne nevojë të bashkëpunojmë me ta dhe t’i bashkojmë forcat së bashku, t’i ndihmojmë njëri-tjetrit. Qëllimi është që të kemi rezultate mbarëkombëtare.”, theksoi Krasniqi.

Ylli gjithashtu ka deklaruar se Kosova dhe Shqipëria, do të punojnë që në garat sportive në të ardhmen e afër të nxjerrin edhe kampionë të përbashkët.

Ylli: Në të ardhmen synojmë që Kosova dhe Shqipëria të nxjerrin kampion të përbashkët

“Ky është bashkëpunim institucional për 2032-shin që janë Lojërat e Brisbanes në Australi. Pra ne kemi promovimin e shkëmbimit të vizitave të delegacioneve sportive, të trajnerëve, të ekspertëve dhe specialistëve të sportit...të orientuara drejt fushës së sportit. Inkurajimin për organizimin e kampionateve dhe eventeve sportive, kombëtare të përbashkëta me qëllim rritjen e cilësisë sportive, promovimin dhe rritjen e shikueshmërisë dhe ofrimin e partnerëve tanë. Pra, ne nëse jemi tre milionë e gjysmë shqiptarë në Shqipëri dhe dy milionë shqiptarë në Kosovë, ne duam që tregun ta bëjmë rreth pesë milionë e gjysmë apo gjashtë milionë shikues që ne të kemi një kampion të përbashkët në atletikë, në mundje, në peshëngritje siç e kemi Ligën Unike në basketboll apo kupën ‘Gjegj Kastrioti” në volejboll dhe kështu duam të nxjerrim një kampion të përbashkët sepse jemi një komb, nderojmë të njëjtit heronj, kemi të njëjtat zakone, flasim të njëjtën gjuhë, por jemi në dy shtete.”, tha Ylli.

Ndryshe, Kosova dhe Shqipëria deri më tani kanë organizuar disa gara të përbashkëta sportive si në futboll, basketboll, motoçklizëm dhe gara të tjera në nivel të turneve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat