Eliminohet Studenti, Erzeni në finale, titulli më pranë

Futboll

Eliminohet Studenti, Erzeni në finale, titulli më pranë

Më: 13 prill 2018 Në ora: 23:38
Ilustrim

Erzeni siguron finalen e madhe në kampionatin kombëtar të volejbollit për meshkuj. Ekipi shijakas zhvilloi një ndeshje shumë të mirë duke mbyllur përfundimisht llogaritë në duelin e fazës gjysmëfinale të play off-it ndaj Studentit.

Në Pallatin e Sportit Asllan Rusi Erzeni vazhdoi rrugën e fitoreve duke konfirmuar përsëri formën shumë të mirë që po përjeton skuadra e Arben Sakos. Seti më i rivalizuar ishte seti i dytë, set të cilin skuadra shijakase e fitoi me shifrat 25-22, ndërsa në dy setet e tjerë ndonëse u përpoq shumë ekipi i Studentit humbi qetësinë dhe bëri shumë gabime pikërisht në fazat më të rëndësishme të lojës.

Në fakt në setin hapës Erzeni pati një lloj epërsie të cilën e ruajti deri në fund, pavarësisht tentativave të ekipit kryeqytetas për t’u afruar dhe miqtë morën një avantazh të madh edhe në aspektin psikologjik, duke fiksuar rezultatin 25-17.

Ky ishte gjithashtu edhe seti me diferencën më të madhe, në këtë përballje, ndërkaq pas fitimit të setit të dytë me vetëm tre pikë diferencë, e njëjta situatë u përsërit edhe në setin e tretë. Në këtë set ekipi i Studentit shtoi forcat dhe bëri përpjekjet maksimale për të qëndruar në kontakt me skuadrën shijakase, sidoqoftë Erzeni rezultoi një kundërshtar tepër i fortë dhe u shkëput pikërisht në fund.

Seti i tretë përfundoi me shifrat 25-20 dhe ishte njëkohësisht edhe seti i fundit i këtij dueli, pasi Erzeni mbylli gjithcka duke likuiduar Studentin në vetëm dy ndeshje. Ditën e martë Erzeni kishte fituar 3-0 gjithashtu edhe takimin e parë ndërmjet këtyre dy skuadrave, respektivisht me 24, 18 dhe 21 pikë, ndeshje që u zhvillua në mjediset e Akademisë Dhimitraq Goga.

Erzeni fitoi 2-0 duelin e fazës gjysmëfinale të play off-it me Studentin, pa humbur asnjë set, gjithsesi një meritë e vecantë i takon edhe trajnerit të mirënjohur Arben Sako që e rikthen ekipin shijakas në majat e volejbollit shqiptar.

Erzeni u bë kështu klubi i parë finalist dhe në pengesën e fundit të play off-it përsa i përket edicionit të sivjetshëm të kampionatit kombëtar të volejbollit për meshkuj ekipi shijakas do të përballet me skuadrën e Partizanit, që siguroi finalen falë triumfit 3-1 në Sallën e Sporteve Fahrie Hoti në derbin kryeqytetas ndaj Tiranës, duke mbyllur përfundimisht sfidën tjetër gjysmëfinale në vetëm dy takime, pasi më herët “të kuqtë” e Ylli Tomorrit kishin fituar 3-0 edhe përballjen e parë ndërmjet këtyre dy skuadrave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat