Sulmuesi i kombëtares britanike, zëvendësuesi i Griezmann tek Atletico Madrid

Futboll

Sulmuesi i kombëtares britanike, zëvendësuesi i Griezmann tek Atletico Madrid

Më: 20 maj 2018 Në ora: 13:28
Kane dhe Vardy

Antoine Griezmann largohet gjithnjë e më shumë nga skuadra e Atletico Madrid dhe pas triumfit në mesjavë në Europa League me Atletico Madrid sulmuesi francez afrohet me Barcelonën. Por skuadra e Atletico po kërkon të gjejë një zëvendësues të denjë në repartin e avancuar, ndaj orët e fundit qarkullojnë zërat se vendin e Griezmann do ta zërë sulmuesi Jammie Vardy. Ky i fundit është sulmuesi i Leicester dhe i kombëtares britanike që do të jetë në Botërorin “Rusi 2018”.

Natyrisht që Leicester nuk dëshiron ta humbasë sulmuesin e saj kryesor, por duket se aventura e Vardy, tashmë 31 vjeç, te “dhelprat” është në fund dhe skuadra e Atletico është një mundësi e mirë për të fituar të tjera trofe. Sulmuesi britanik kushton 20 milionë euro, por spanjollët janë gati të ofrojnë 25 milionë për ta mbyllur këtë çështje që tani. Vardi do të mbyllte shumë boshllëqe tek Atletico, që nuk do të ketë sezonin e ardhshëm edhe veteranin Fernando Torres, që largohet nga futbolli.

Vardy është blerë nga skuadra e Leicester për 1.2 milionë euro në vitin 2012 dhe në sezonin 2015-2016 arriti të shpallet kampion në Premier League me skuadrën e “dhelprave”, asokohe drejtuar nga Claudio Ranieri. Arsenali tentoi ta merrte sulmuesin verën e kaluar, por Leicester nuk lejoi largimin e lojtarit, por trajneri Diego Simeone duket se është më këmbëngulës dhe synon ta sjellë me çdo kusht sulmuesin në Madrid.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat