Varhelyi: BE mbështet reformën në drejtësi, të ndalen sulmet ndaj organeve të vettingut

Shqipëria

Varhelyi: BE mbështet reformën në drejtësi, të ndalen sulmet ndaj organeve të vettingut

Më: 28 prill 2022 Në ora: 14:48
Pamje nga takimi

Komisioneri i Bashkimi Europian për Zgjerimin, dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi, ka nisur sot vizitën në Tiranë me një takim të zhvilluar në institucionet e vetingut.

Siç thuhet në njoftimin për mediet nga KPK, në takim u diskutua mbi ecurinë e procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, rezultatet e deritanishme dhe sfidat në vazhdim.

Kryetarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), Pamela Qirko i shprehu Komisionerit Varhelyi falënderimet e Komisionit për mbështetjen e pakursyer dhe të vazhdueshme të Komisionit Evropian për reformën në drejtësi dhe procesin e vettingut.

Ajo nënvizoi se KPK do të vijojë me rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve deri në përmbyllje të procesit, me paanshmëri, integritet dhe profesionalizëm pavarësisht vështirësive.

Nga ana e tij, Komisioneri Varhelyi e cilësoi realizimin e procesit të rivlerësimit një arritje themelore për të ardhmen e vendit, si dhe shprehu vlerësime për punën e deritanishme të organeve të vetingut.

Njëkohësisht, Komisioneri Varhelyi u shpreh se sulmet ndaj anëtareve të organeve të rivlerësimit dhe familjarëve të tyre duhet të ndalojnë.

Ai inkurajoi anëtarët e organeve të rivlerësimit të vijojnë me procesin bazuar mbi themelet e forta të punës së bërë, si edhe garantoi mbështetjen e plotë të Komisionit Evropian në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

“E nisa vizitën time me një shkëmbim të mirë me institucionet vetting-ut dhe ONM sot në Tiranë. Rikonfirmoi mbështetjen e plotë dhe të fortë të BE-së. Integriteti i gjyqtarëve dhe prokurorëve është çelësi për të ardhmen e vendit. Sulmi ndaj organeve të vettingut dhe anëtarëve apo familjeve të tyre duhet të ndalet”, shprehet Varhelyi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat