Gjeti një portofol me mijëra euro dhe e dorëzoi në polici, kursanti për Patrullë të Përgjithshme vlerësohet me Certifikatë Mirënjohjeje

Shqipëria

Gjeti një portofol me mijëra euro dhe e dorëzoi në polici, kursanti për Patrullë të Përgjithshme vlerësohet me Certifikatë Mirënjohjeje

Më: 26 korrik 2023 Në ora: 14:23
Foto nga Policia

Xhojsi Lamaj, kursanti për Patrullë të Përgjithshme në Akademinë e Sigurisë u vlerësua me Certifikatë Mirënjohjeje pasi gjeti një portofol, me vlerë të konsiderueshme, dhe e dorëzoi në polici.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku ka vlerësuar gjestin e kursantit për Patrullë të Përgjithshme në Akademinë e Sigurisë, Xhojsi Lamaj.

Muhamet Rrumbullaku: “Gjesti i kursantit për Patrullë të Përgjithshme është modeli më i mirë që duhet të ndjekin punonjësit e Policisë, në raport me qytetarët. Nga ana tjetër, kjo tregon nivelin e lartë të mësimdhënies në Kolegjin e Policisë, të përgatitjes dhe të orientimit të kursantëve, të cilët pas përfundimit të Kolegjit, do t’i shërbejnë qytetarëve. Punonjësi i Policisë duhet të jetë mishërimi i vlerave më të mira njerëzore dhe pasqyra ku qytetarët duhet të shohin shpresë, siguri, besim, humanizëm dhe shërbim cilësor”.

Xhojsi Lamaj, pasi ka gjetur në Rrugën e Kavajës portofolin me vlera të konsiderueshme (franga, euro, lek) dhe sende personale, e ka dorëzuar portofolin në Komisariatin e Policisë Nr. 2 dhe menjëherë është njoftuar shtetasja që kishte humbur portofolin. Ajo është paraqitur në këtë komisariat dhe pasi ka marrë nga punonjësja e Policisë, portofolin me gjithë shumë e parave dhe sendet personale, ka vlerësuar veprimin e punonjësit të Policisë dhe e ka falënderuar atë, pasi gjeste të tilla rrallë ndodhin.

Kursanti është falënderuar edhe nga drejtuesit e Akademisë së Sigurisë. Për të vlerësuar gjestin e kursantit Xhojsi Lamaj, rektori i Akademisë së Sigurisë Ilirjan Mandro i ka akorduar dhe dorëzuar atij, Certifikatë Mirënjohjeje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat