Egjipti pritet ta ndryshojë kushtetutën, Al-Sisi mund të mbetet në pushtet deri më 2030

Afrika

Egjipti pritet ta ndryshojë kushtetutën, Al-Sisi mund të mbetet në pushtet deri më 2030

Më: 15 prill 2019 Në ora: 13:02
Abdel Fatah al-Sisi

Kuvendi i Egjiptit pritet që gjatë kësaj jave t’i votojë disa ndryshime të kushtetutës, të cilat do t’ia mundësonin presidentit të tanishëm, Abdel Fatah al-Sisi, qëndrimin në pushtet hiç më pak se deri në vitin 2030.

Besohet se ndryshimet e kushtetutës do të votohen njëzëri nga deputetët, ndërsa pas këtij votimi do të organizohet një referendum. Reformat e propozuara, të cilat kaluan me procedura të përshpejtuara nëpër komisione dhe debate parlamentare, do t’ia mundësonin Sisit edhe kontrollin ndaj sistemit të drejtësisë, rritjen e ndikimit dhe pushtetit në ushtri dhe zgjatjen e mandateve në gjashtë vjet.

Ish-gjenerali, i cili u bë president në vitin 2014 pas një puçi të organizuar një vit më herët, u rizgjodh në këtë pozitë në vitin 2018 me 97.8 për qind të votave. Përpjekja e tij për t’ia zgjatur pushtetin vetes vjen në kohën kur autokratët në Algjeri dhe Sudan janë rrëzuar nga protestat masive pasi kishin qëndruar me dekada në krye të vendeve të tyre.

Gjatë një seance të mbajtur në muajin shkurt, 485 nga 596 deputetë votuan për miratimin fillestar të këtij projektligji. Kritikat që ishin dëgjuar në fazat e mëhershme tashmë janë heshtur.

Autoritetet egjiptiane e kanë bllokuar vazhdimisht një faqe interneti që besohet se kishte mbledhur më shumë se 100 mijë nënshkrime kundër ndryshimit të kushtetutës, shkruan “The Guardian”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat