Epidemia e Ebolës drejt fundit në Republikën Demokratike të Kongos

Afrika

Epidemia e Ebolës drejt fundit në Republikën Demokratike të Kongos

Më: 6 mars 2020 Në ora: 22:12
Kongo

Organizata Botërore e Shëndetësi bëri thirrje për vigjilencë ndërsa po shkohet gjithnjë e më shumë drejt deklarimit zyrtarisht të fundit të epidemisë së shkaktuar nga virusi Ebola në Republikën Demokratike të Kongos.

Pacienti i fundit me Ebola u lirua nga një qendër trajtimi në qytetin verilindor të Beni-t të martën. Nëse nuk konfirmohen raste të tjera gjatë dy periudhave të inkubacionit ose 42 ditëve, OBSH-ja do të deklarojë zyrtarisht fundin e epidemisë së Ebolës në vend, më 12 prill.

Por ndihmës Drejtori i Përgjithshëm për Përgjigjet ndaj Emergjencave në OBSH Ibrahima Soce-Fall tha se nuk ende koha për të festuar. Ai shtoi se të gjithë duhet të qëndrojnë vigjilentë pasi rreziku i shfaqjes së rasteve të tjera gjatë asaj periudhe është shumë i lartë.

Ai tha që ekipet shëndetësore duhet të mbeten aktive e të gatshme për t'iu përgjigjur një numri kërcënimesh komplekse, përfshirë ato të paraqitura nga pasiguria në provincat e Kivu-it dhe të Iturit të shkatërruara nga konflikti.

"Ne e dimë që përqendrimi tani është më shumë tek COVID-19, por duhet të vazhdojmë ta ruajmë këtë kapacitet dhe gjithashtu na duhen edhe 20 milionë dollarë shtesë për të mbajtur ekipet tona në terren, për të mos i tërhequr ato", tha ai.

Zoti Soce-Fall tha se është shumë e rëndësishme për bashkësinë botërore që të mos e humbasë përqendrimin në këtë çështje, sepse Ebola është gjithashtu një çështje e sigurisë globale siç shtoi ai.

Që nga shpërthimi i epidemisë më 1 gusht 2018, janë regjistruar 3,444 raste personash të prekur nga virusi dhe 2.226 vdekje. Kjo konsiderohet epidemia e dytë më vdekjeprurëse e Ebolës pas shpërthimit të vitit 2014 në Afrikën Perëndimore, që infektoi rreth 29 mijë njerëz dhe shkaktoi vdekjen e më shumë se 11 mijë të tjerëve.

Zoti Soce-Fall i tha "Zërit të Amerikës" se shumë prej mësimeve të marra në trajtimin e epidemisë së Ebolës janë të zbatueshme për kontrollimin e koronavirusit.

"Kryesor është zbulimi i shpejtë i rasteve, që do të thotë që sistemi i mbikëqyrjes duhet të jetë i fortë. Pra është e njëjta qasje që duhet të kemi për koronavirusin. Duhet të identifikohen njerëzit të cilët janë në kontakt me rastet dhe të sigurohet ndjekja e rregullt e tyre. E njëjta gjë po ndodh për koronavirus për 14 ditë. Në rastin e Ebolës e kemi bërë për 21 ditë", tha zoti Soce-Fall.

Ndërsa vazhdon llogaritja e 42 ditëve, OBSH-ja thotë se sëmundja nuk do të deklarohet e përfunduar derisa të garantohet se nuk ka infeksione të reja dhe se rasti i fundit i raportuar me Ebola do të rezultojë negativ.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat