Diplomatët amerikanë, britanikë, francezë e kinezë do të evakuohen nga Sudani

Afrika

Diplomatët amerikanë, britanikë, francezë e kinezë do të evakuohen nga Sudani

Më: 22 prill 2023 Në ora: 14:38
Sudan

Ushtria sudaneze ka bërë të ditur se diplomatët dhe shtetasit e ShBA-së, Britanisë së Madhe, Francës e Kinës do të evakuohen nga Sudani nëpërmjet rrugës ajrore, teksa luftimet po vazhdojnë.

Kreu i ushtrisë, Fattah al-Burhan, tha se ata do ta lehtësojnë dhe do ta sigurojnë evakuimin gjatë orëve të ardhshme.

Për evaukimin e shtetasve të huaj, ka pasur edhe plane të mëhershme por ato nuk janë zbatuar për shkaqe sigurie, shkruan BBC.

Arabia Saudite ka njoftuar gjithashtu se po organizon evakuimin e qytetarëve sauditë dhe shtetasve të vendeve “vëllazërore”. Ushtria sudaneze tha se misioni diplomatik i Arabisë Saudite tashmë ishte evakuuar.

Konflikti ka hyrë në javën e dytë, pavarësisht se të dyja palët – ushtria dhe Forcat e Mbështetjes së Shpejtë – ranë dakord për një armëpushim tre-ditor për të shënuar festën myslimane të Fitër Bajramit, duke filluar nga e premtja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat