Vendet afrikane kërkojnë zgjidhje dhe financim për të luftuar ndryshimet klimatike

Afrika

Vendet afrikane kërkojnë zgjidhje dhe financim për të luftuar ndryshimet klimatike

Më: 5 shtator 2023 Në ora: 16:05
Foto ilustrim

Takimi i parë i nivelit të lartë mbi klimën në Afrikë, hapi dje punimet në Kenia.

Udhëheqësit e vendeve afrikane dhe organizatave ndërkombëtare kërkuan të kenë një zë më të fuqishëm dhe më shumë financime për të luftuar ndryshimet klimatike në kontinent.

Udhëheqës, diplomatë dhe përfaqësues nga e gjithë bota janë mbledhur në Nairobi të Kenias, për takimin e nivelit të lartë mbi klimën në Afrikë, në qendër të së cilit janë ndikimet shkatërruese të ngrohjes globale dhe ndryshimeve klimatike.

Takimi synon trajtimin e sfidave të shkaktuara nga thatësirat dhe përmbytjet që kanë lënë miliona afrikanë në varfëri dhe pa kujdes shëndetësor.

Presidenti kenian William Ruto u kërkoi pjesëmarrësve që të përqendrohen tek zgjidhjet dhe jo problemet.

"Është koha t’i shohim gjërat nga një tjetër këndvështrim. Mundësitë janë të mëdha”, tha ai.

I dërguari amerikan për klimën, John Kerry tha se pret më shumë rezultate në takimin e ardhshëm të klimës së Kombeve të Bashkuara, pasi siç u shpreh ai, në mbledhjet e kaluara palët dështuan në zbatimin e premtimeve për të cilat u zotuan.

“Nuk mendoj se vendet e ndryshme në mbarë botën, OJQ-të, aktivistët, kompanitë, njerëzit që janë goditur nga ndryshimet klimatike, do të kalojnë shumë kohë duke u marrë me përsëritje të gjërave të ditura, duke anashkaluar realitetin me të cilin duhet të përballemi”, tha zoti Kerry në një konferencë shtypi.

Vendet e Afrikës Lindore po përballen me thatësira të mëdha viteve të fundit, që kanë lënë mbi 20 milionë njerëz në nevojë për ndihmë humanitare, sipas agjencive të Kombeve të Bashkuara.

Vitin e kaluar, Nigeria është përballur me përmbytje shkatërruese, duke zhvendosur mbi një milion njerëz dhe duke përkeqësuar sigurinë ushqimore.

Migrimi nga zonat e prekura, konkurrenca në rritje mbi burimet natyrore dhe mungesa e ujit për shkak të ndryshimeve të ciklit të reshjeve kanë shtuar rreziqet e dhunës dhe konflikteve në Afrikë.

Paul Ekwar është pjesë e organizatës “Wetlands International” në Kenian veriore.

Komuniteti i tij është i varur nga blegtoria. Thatësirat e vazhdueshme kanë vrare kafshët, kanë zhdukur kullotat dhe kanë kërcënuar paqen midis komunitetit të tij dhe fqinjit verior të Etiopisë.

Zoti Ekwar thotë se organizata “Wetlands International” ka krijuar një sistem për të menaxhuar efektet e ndryshimeve klimatike.

“Ne po ndihmojmë komunitetin në rimbjelljen e tokave të dëmtuara. Kjo përmirëson mjedisin, sepse shtohen kullotat. Ne gjithashtu mbështesim paqen e qëndrueshme dhe bashkëjetesën e komuniteteteve përgjatë vijave kufitare”, thotë zoti Ekwar.

Pjesëmarrësit në konferencë po diskutojnë mbi përpjekjet e Afrikës për kalimin tek burimet më të pastra të energjisë dhe mënyrat për të financuar përshtatjen e tyre ndaj ndryshimeve klimatike.

Vendet afrikane kanë kërkuar vazhdimisht që vendet e zhvilluara të kontribuojnë me fonde më të mëdha për të luftuar efektet negative të motit të paparashikueshëm.

Frederick Kwame Kumah i Fonacionit afrikan të Jetës së Egër thotë se Afrika mund të përdorë burimet e saj natyrore si mjet për negociata.

“Biodiversiteti ynë është një e treta e burimeve të biodiversitetit në botë. Këtë duhet ta shfrytëzojmë. Ne gjithashtu duhet ta përdorim atë për të negociuar mbi nevojat tona për të mbrojtur burimet që kemi”, thotë zoti Kumah.

Konferenca do të përfundojë të mërkurën. Rezultatet e këtij takimi do të shërbejnë si bazë për hartimin e deklaratës së krerëve të vendeve afrikane, e cila do të prezantohet në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike për vitin 2023, që do të mbahet në Emiratet e Bashkuara Arabe./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat