Marok, qindra të vdekur dhe shkatërrime nga tërmeti

Afrika

Marok, qindra të vdekur dhe shkatërrime nga tërmeti

Më: 9 shtator 2023 Në ora: 15:21
Foto ilustrim

Një tërmet i rrallë dhe i fuqishëm goditi Marokun mbrëmjen e së premtes, duke u marrë jetën më shumë se 800 personave, sipas njoftimeve më të fundit. Lëkundjet e tërmetit dëmtuan ndërtesa që nga malet Atlas e deri në qytetin historik të Marakeshit. Megjithatë, numri i saktë i viktimave nuk dihet ende, ndërsa ekipet e shpëtimit po përpiqen të arrijnë në zonat e largëta, të dëmtuara më së shumti nga tërmeti.

Lëkundjet e forta të tërmetit bënë që njerëzit të dilnin me vrap nga shtëpitë e tyre, mes frikës dhe ankthit të krijuar. Pamjet filmike të transmetuara nga televizioni shtetëror tregojnë njerëzit e grumbulluar në rrugët e Marakeshit, të frikësuar për t’u rikthyer në banesat e tyre nga droja se mund të shemben. Shumë nga njerëzit e kaluan natën në rrugë.

“Pas lutjeve shkuam të flinim, por pas disa sekondash ndjemë tërmetin dhe dolëm me vrap nga shtëpia e cila u shkatërrua tërësisht”, thotë një banor i Marakeshit.

Ministria e Brendshme e Marokut njoftoi se numri i të vdekurve nga tërmeti i fuqishëm ka shkuar mbi 800. Disa qindra të tjerë janë plagosur dhe mbi 200 të tjerë ndodhen në gjendje kritike, raporton VOA.

Autoritet thanë se ende nuk dihet numri i saktë i viktimave nga tërmeti me magnitudë 6.8.

Sipas të dhënave, deri në orën 10 të mëngjesit, numri i të vdekurve arriti në 820. Njoftohet për 672 të plagosur dhe 205 të tjerë janë në gjendje kritike”, tha Rachid Al-Khalfi me Ministrinë e Brendshme të Marokut.

Pamjet filmike tregojnë njerëzit që lëvizin drejt shesheve të hapura të qytetit, ndërsa vazhdonin paslëkundjet e tërmetit. Ndërkohë të mbijetuarit kanë nevojë për ndihma humanitare, thotë një banor i Marakeshit.

“Pjesa e vjetër e qytetit është shkatërruar. Banorët nuk kanë ku të strehohen. Prindërit i kam të sëmurë dhe kemi nevojë për ndihmë. Kemi nevojë për ujë dhe energji elektrike”.

Ushtria marokene dhe shërbimet e urgjencës mobilizuan përpjekjet e ndihmës për zonat e goditura nga tërmeti, por shumë rrugë janë dëmtuar dhe bllokuar nga shembjet e shtëpive.

Sipas autoriteteve ky është tërmeti më i fuqishëm që ka goditur Marokun në 120 vjet, duke sjellë shkatërrime të shumta në qytetet antike ku ndërtesat prej guri nuk janë projektuar për t’u bërë ballë termeteve.

“Jam turiste nga Australia. Kishim rënë të flinim kur filluan dridhjet. Vrapuam përjashta menjëherë. Pas ndalimit të lëkundjeve shkuam morëm çantat dhe disa rroba për të kaluar natën jashtë”, thotë një turiste nga Australia.

Shumë shtete kanë ofruar dërgimin e ekipeve të shpëtimit dhe ndihmave, ndërsa udhëheqësit e mbledhur në takimin e G-20 në Indi shprehën ngushëllimet dhe gatishmërinë për të ndihmuar Marokun.

Presidenti Joe Biden tha se administrata e tij ishte në kontakt me autoritetet marokene dhe se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ofrojnë çdo ndihmë të nevojshme, ndërsa shprehu pikëllimin për humbjen e jetëve dhe shkatërrimet.

Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara tha se tërmeti kishte një magnitudë paraprake prej 6.8 kur goditi në orën 11:11 të mbrëmjes, sipas orës lokale. Lëkundjet zgjatën disa sekonda dhe një dridhje me magnitudë 4.9 pasoi 19 minuta më vonë.

Epiqendra e tërmetit ishte rreth 70 kilometra nga Marakeshi në një thellësi prej 18 kilometrash nga sipërfaqja e tokës. Tërmete të tilla të cektPa janë më të rrezikshëm, sipas specialistëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat