Dhjetëra civilë vriten në qytetet e Sudanit teksa luftimet vazhdojnë

Afrika

Dhjetëra civilë vriten në qytetet e Sudanit teksa luftimet vazhdojnë

Më: 13 shtator 2023 Në ora: 17:35
Sudan

Intensiteti i luftimeve në Sudan ka dalë edhe në pjesë të tjera të vendit, pos kryeqytetit Khartoum.

Më 23 gusht, cak i sulmeve ishte qyteti Nyala, që ndodhet në shtetin e Darfurit jugor dhe është qyteti më i madh në Sudan jashtë Khartoumit. Këto sulme tregojnë sesi konflikti që përfshiu kryeqytetin gati pesë muaj më parë është përhapur në pjesë të tjera të vendit me një efekt vdekjeprurës.

Luftimet vazhduan të mërkurën, banorët thanë se mund të shihnin avionë luftarakë lart. Vullnetarët që ofrojnë ndihmë mjekësore thanë se kishin numëruar të paktën 10 persona të vrarë, ndërsa banorët thanë se numri real ishte më shumë se 30.

Me sistemin shëndetësor të Sudanit në një gjendje kolapsi dhe zyrat qeveritare shpesh jashtë shërbimit, shifrat e sakta të viktimave janë të vështira për t’u përcaktuar.

“Disa familje kishin dy, tre, pesë njerëz të vrarë, të gjithë për një herë”, tha një qytetare Mahla Adam, duke përshkruar ndikimin e sulmit të 23 gushtit që la të vdekur 35 persona sipas saj. Ndërsa luftimet vazhdonin lart, trupat u varrosën me ngut në një varr masiv, tha ajo.

Agjencitë e ndihmës raportuan gjithashtu incidentin e 23 gushtit. “Save the Children” deklaroi se të vdekur janë 39 persona.

Banorët e Nyala thonë se Forcat paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) kanë pushtuar pjesën më të madhe të qytetit dhe ushtria ka përdorur artileri të rëndë në përpjekje për t’i zmbrapsur ata.

Kjo pasqyron modelin e luftës në Khartoum, ku qindra civilë janë vrarë dhe ka pasur disa raportime të fundit për viktima masive, duke përfshirë gati 50 të vrarë nga një sulm i ushtrisë në një treg këtë javë.

Civilët e Nyalës janë kapur nga zjarri i kryqëzuar. Ushtarët dhe policët e armatosur të RSF-së enden rrugëve, shumë ndërtesa dhe shtëpi janë plaçkitur, thonë banorët e arratisur.

Sulmi ndodhi pasi ushtria dhe RSF shkëmbyen një zjarr mes njëri-tjetrit. RSF fajësoi ushtrinë për atë sulm, ndërsa ushtria nuk u përgjigj.

Para incidentit, Kombet e Bashkuara thanë se të paktën 60 njerëz ishin vrarë në Nyala brenda një jave në gusht, shkruan Reuters.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat