Hoxhaj heq dorë nga ‘ideja e tij ekskluzive’ që e bëri telash krejt Kosovën

Aktuale

Hoxhaj heq dorë nga ‘ideja e tij ekskluzive’ që e bëri telash krejt Kosovën

Më: 2 mars 2019 Në ora: 00:15
Enver Hoxhaj

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, pas paralajmërimeve të zyrtarëve amerikanë, ka thënë se taksa 100 për qind duhet të pezullohet. Por, dikur Hoxhaj nuk hezitonte të deklaronte se ideja e taksës ishte e tij.

Me t’u përballur me presionin amerikan për çështjen e taksës, zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj zmbrapset nga përpjekjet për t’i marrë meritat për taksën.

Ai, shfaqet në rolin e frikacakut – kur bëhet fjalë për mbrojtjen e një ideje, që dikur zëshëm e mbronte si të tijën.

Sipas Hoxhajt, tani taksa 100 për qind duhet pezulluar pasi një gjë të tillë po e kërkojnë delegacioni amerikan që erdhi për vizitë në Kosovë.

Bëhet fjalë për drejtorin për Çështje Evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, John Erath, si dhe drejtori për Ballkanin në Këshillin Kombëtar të Sigurisë, Brad Berkley, të cilët zhvilluan takime me zyrtarët më të lartë shtetëror, në përpjekje për t’i bindur ata për pezullimin e vendimit për taksën, në mënyrë që të vazhdojë dialogu në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.

Hoxhaj si pretekst për pezullim të taksës tani përdor vizitën e zyrtarëve amerikanë, të cilët sipas tij, përçuan një mesazh të tillë se nuk ka vit më historik me mundësi më të madhe për arritjen e një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE’së.

Madje, në një intervistë në RTV 21, ai theksoi se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq u ka thënë amerikanëve dhe evropianëve, se ai është i gatshëm ta njoh Kosovën si shtet.

“Presidenti serb u ka thënë amerikanëve e evropianëve se marrëveshja finale duhet të përfshijë njohje të ndërsjellët”, ka thënë Hoxhaj.

Por, Hoxhaj dikur rrihte gjoks për vendosjen e taksës.

Ide ekskluzive të tij dhe të kryetarit të partisë [PDK], Kadri Veselit, e pati quajtur Enver Hoxhaj taksën ndaj produkteve serbe dhe boshnjake që Qeveria Haradinaj e vendosi si kundërpërgjigje për luftën diplomatike të Serbisë.

“Taksa nuk është vendosur me idenë që Serbia të njohë Kosovën. Unë jam ai që kam dhënë idenë për vënie e taksës.  Ideja është përkrahur nga kryeministri Haradinaj dhe nga kryetari Veseli”, kishte thënë Hoxhaj me t’u marr vendimi për vendosjen e taksës.

Por, me të nisur kritikat e ndërkombëtarëve, siç janë zyrtarë amerikanë e evropianë, Hoxhaj u hesht.

Ai më nuk e mbron idenë e kësaj takse, e cila po pengon procesin e dialogut.

Madje, përfaqësues të partisë së tij ishin të parët që propozuan pezullimin e saj.

Muaj më parë media pati raportuar se si Hoxhaj merrte meritat për taksën ndaj produkteve serbe, të cilat i kishte promovuar në Panairin e Bizneseve që ishte mbajtur vitin e kaluar në Kosovë, ku kishte shijuar rakinë serbe së bashku me kryetarin e Odës Ekonomike të Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat