“Batalioni” i MASHT-it në Durrës - për udhëtimin e 100 personave, ministria pagoi çmim të dyfishtë

Aktuale

“Batalioni” i MASHT-it në Durrës - për udhëtimin e 100 personave, ministria pagoi çmim të dyfishtë

Më: 30 mars 2019 Në ora: 21:42
MASHT

21 mijë euro ka kërkuar hotel “Bonita” për akomodimin e 100 personave, me të gjitha shërbimet për shtatë ditë qëndrimi, kur KTV-ja ka pretenduar rezervim në emër të një OJQ-je.

Stafi i hotelit ka ofruar dhomë vetanake për secilin mysafir, tri vaktet e ushqimit, pije pa fund, përdorimin e sallave të punës e aseteve të tjera.

Por, për shërbimet e njëjta dhe numrin e njëjtë të personave, Ministria e Arsimit ka paguar dyfishin e kësaj shume, apo 42 mijë euro.

Atje janë duke qëndruar recensentë, anëtarë të Këshillit të ekspertëve për programe dhe tekste shkollore, si dhe anëtarë të kabinetit të ministrit, Shyqyri Bytyqi.

Pronari i hotelit, Asrit Ismaili, kishte deklaruar se çmimi prej 42 mijë eurove ishte shkaku i shërbimeve ekstra që ministria i kishte kërkuar.

Ai kishte theksuar boshatisjen e hotelit me largimin e të gjithë klientëve, me qëllim të kushteve sa më të mira për punë.

Por, kur ekipi i medias u interesua për akomodimin në hotel, kërkesa u pranua nga stafi.

Përveç shpenzimeve për hotel, disa prej zyrtarëve të ministrisë kanë bërë edhe shpenzime ekstra.

Ata kishin refuzuar të udhëtonin me autobus dhe kishin zgjedhur veturat zyrtare.

Përveç Seminarit, ata kanë shfrytëzuar kohën edhe për pauza të gjata e shëtitje rreth detit.

Secili zyrtar i ministrisë do të marrë 182 euro si mëditje për 1 javë qëndrim në Shqipëri.

Udhëtimi i tyre ka nisur të martën më 26 mars dhe do të zgjasë deri më 2 prill.

Ky nuk është udhëtimi i parë i MASHT-it, i organizuar për në Durrës.

Në shkurt të po këtij viti, 200 persona u dërguan me të njëjtin qëllim, por meqë nuk kishin arritur ta kryejnë punën me kohë, ata kishin vazhduar të punonin pas kthimit, në “Hotel Emerald”, për t’u rikthyer sërish në Durrës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat