Komuniteti turk forcon lidhjet Kosovë-Turqi - Bota Sot
Komuniteti turk forcon lidhjet Kosovë-Turqi

Aktuale

Komuniteti turk forcon lidhjet Kosovë-Turqi

Më: 23 prill 2019 Në ora: 10:59
Foto

Qeveria e Kosovës ka organizuar një koktej rasti për nder të Ditës së Komunitetit Turk, ku u theksuan raportet e mira ndërmjet këtij komuniteti me pjesën tjetër të shoqërisë.

Me këtë rast, kryeministri Ramush Haradinaj, tha se komuniteti turk në Kosovë, për vendin shërben si urëlidhëse me Turqinë. Ai u shpreh se ndihet i nderuar që në ditën nacionale të turqve janë bashkuar sot.

“Dita e turqve të Kosovës është një moment i mirë për të reflektuar për marrëdhëniet e mira që ka populli i Kosovës me komunitetin turk. Roli vendimmarrës i komunitetit turk ka avancuar në Kosovë dhe dëshiroj të them se populli turk i Kosovës shërben si urëlidhëse mes Kosovës dhe Turqisë. Si kryetar i Qeverisë angazhohem që përditë të trajtojmë tema dhe kërkesa të komunitetit turk”, tha ai.

Urimet e tij për këtë ditë ka shprehur edhe ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar.

Ai foli për përkrahjen e komunitetit turk të Kosovës, teksa tha se komuniteti turk është mirënjohës për përkrahjen e shtetit të Kosovës.

“Ka një infrastrukturë të mirë, por nevojitet implementimi i përdorimit të gjuhëve amtare, përkrahje dhe subvencione për bujqit e të tjera", tha Yagcilar.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Faruk Kajmakci, tha se Kosova është një shembull shumë i mirë i bashkëjetesës së disa komuniteteve në një vend.

"Yjet në flamurin e Kosovës janë gurthemeli i këtij vendi. Është shumë mirë që të gjitha komunitetet po bashkëpunojnë dhe po jetojnë së bashku në Kosovë. Vendet e Ballkanit duhet të integrohen në BE. Ne do të përkrahim Ushtrinë e Kosovës dhe shumë shpejt do të ketë rezultate edhe për tregti të lirë", tha ai.

Deputetja Myfera Shinik u shpreh se do të mundohet të bart ditën e komunitetit turk në Kosovë në gjenerata të tëra.

"Në vitin 2020 shpresojmë të hapim një qendër kulturore në te gjitha komunat ku jeton komuniteti turk, që të jetësojmë traditat dhe zakonet turke", u shpreh ajo.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...