20 universitete prezantojnë profilet akademike në Panairin e Studimeve - Bota Sot
20 universitete prezantojnë profilet akademike në Panairin e Studimeve

Aktuale

20 universitete prezantojnë profilet akademike në Panairin e Studimeve

Më: 24 prill 2019 Në ora: 16:08
Pamje nga prezantimi

Në kampusin e shkollave të mesme në Gjilan, sot është hapur Panairi i Studimeve të universiteteve të Kosovës dhe regjionit, të cilët kanë bërë prezantimin e profileve që ofrojnë për këtë vit akademik si dhe sukseset e veçanta shkencore që kanë këto institucione akademike nëpër vite.

Drejtori i Arsimit, Nazim Gagica, ka thënë se kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për maturantët e Gjilanit, që të kenë një orientim të duhur në profesion dhe karrierë gjatë të ardhmes.

“Ky panair i organizuar nga Komuna e Gjilanit, ka për qëllim që universitetet e Kosovës edhe ato regjionale t’i afroj afër nxënësve që të kenë mundësinë më të madhe për t’u orientuar në drejtimin më të mirë të mundshëm dhe në bazë të kësaj Drejtoria e Arsimit do ta bëjë këtë traditë të organizimit edhe në të ardhmen. Duhet të njihen të gjithë maturantët me mundësitë që ofrohen në lëmin e studimeve universitare dhe kushteve në të cilat studiohet”, tha Gagica.

Ndërsa në emër të të gjitha universiteteve pjesëmarrëse, ka folur dekani i Fakultetit të Edukimit në Universitetin Publik “Kadri Zeka”, prof. Jenuz Dervodeli, i cili ka falënderuar Komunën e Gjilanit për këtë panair organizuar për orientimin e të rinjve në studime.

“Zgjedhja e drejtë e profesionit nga të rinjtë është një fat personal i tyre, por, mbi të gjitha, përparim i shoqërisë. Kjo është një qasje fleksibile që po u mundësohet sot të rinjve. Maturantët të mendojnë me shumë arsye për drejtimin që zgjedhin, sepse e ardhmja është në dorën e të rinjve dhe në dorën e profesionistëve të mirë”, tha ai.

Ndryshe, panairi është përcjellë me një kureshtje të madhe nga maturantët e shkollave të Gjilanit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...