Muhaxhiri: E turpshme dhe denigruese përballja mes Thaçit dhe deputetëve të Komisionit - Bota Sot
Muhaxhiri: E turpshme dhe denigruese përballja mes Thaçit dhe deputetëve të Komisionit

Aktuale

Muhaxhiri: E turpshme dhe denigruese përballja mes Thaçit dhe deputetëve të Komisionit

Më: 26 prill 2019 Në ora: 19:15
Artan Muhaxhiri

Analisti Artan Muhaxhiri e ka quajtur “të turpshme” dhe “degraduese” përballjen e sotme mes presidentit Hashim Thaçi dhe deputetët e Komisionit Hetimor Parlamentar në të cilin ishte ftuar për të raportuar për rastin e Gylenistëve.

”Spektakël total dhe shumë zhgënjyes. Deportimi i shtetasve turq ka qenë njollë për shtetin tonë, por kjo që ndodhi sot është degradim. Është e turpshme”, tha ai në Info Magazine.

”Përballja e sotme ishte degradim nga të dyja palët – edhe nga ana e Komisionit Parlamentar edhe nga ana presidentit Hashim Thaçi”.

”Disa anëtarë të Komisionit dëshironin të fitonin poenë politikë, ndërsa presidenti Thaçi nuk dëshironte të përgjigjej, sepse përgjigjet do të ishin shumë të rënda për rolin e tij si president”.

“Kjo që ndodhi nuk është dashur të ndodhte në asnjë mënyrë”,

”Përtej kësaj, marrëdhënia e përpiluesit të raportit me Sami Kurteshin e cenon idenë e  pavarësisë, edhe përkundër kredencialeve akademike. Është një gabim i madh nga ana e Komisionit Parlamentar, sepse është dashur ta dinë se mund të vijnë në këtë pikë’ kontestuese’.

“Ndoshta përfaqësuesit e PDK-së në Komision e kanë votuar këtë ekspert në mënyrë që kur Hashim Thaçi të vijë të raportojë – ta identifikojnë si lëshim të madh”.

“Është turp që Komisioni Parlamentar ta votojë një ekspert e pastaj të thonë që ‘nuk e kanë ditur kë po e votojnë’”.

“Presidenti Hashim Thaçi duhet të japë llogari, duhet të përgjigjet në pyetjet e deputetëve në një Komision Parlamentar, sepse është mirë për sistemin demokratik kur edhe presidenti është pjesë e këtij procesi dhe sfidohet nga ana e deputetëve në këtë mënyrë”.

“Në disa aspekte, Komisioni Parlamentar është shumë më i vështirë për Presidentin sesa Kuvendi, sepse aty mund të largohet kurdo ndërsa në komision është përballë deputetëve”.

“Kjo që ndodhi sot është stili tipik i Hashim Thaçit, sepse gjithnjë e zhvendos vëmendjen nga problemi i tij”.

“Është degradim i trajtimit të çështjes së ndjeshme të Gylenistëve. Gjuha banale dhe sjellja e tillë e ulët nuk janë të denja për Parlamentin. Sot është ridëshmuar se jemi shumë keq me nivelin e kulturës politike. Të gjithë akterët aty u sollën në mënyrën të cilën nuk është dashur të sillen”.

”As Komisioni Parlamentar nuk e bëri punën e vet, e as presidenti Hashim Thaçi nuk e bëri raportimin për të cilin dhe ishte ftuar aty. Është një degradim i skajshëm”.

”Është zhgënjim i madh sepse këta njerëz duhet të marrin vendime të mëdha për vendin tonë. Mund të paramendojmë se çfarë vendimesh institucionale mund të marrin nëse nuk kanë asnjë interes ta informojnë opinionin për atë se çfarë ka ndodhur në një rast si ai i Gylenistëve”.

‘Sot u zhvendos e gjithë vëmendja nga ajo që ka ndodhur. Më shumë bënë lojë, spektakël, një lloj aktrimi, sesa atë çfarë do të duhej ta bënin”.

”Komisioni Parlamentar është dashur të jetë më profesional dhe ta parandalojë mundësinë për degradimin e debatit”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat