Përfundon gjykimi ndaj Sami Lushtakut për tenderin në KEK, kërkohet dënim ndaj tij

Aktuale

Përfundon gjykimi ndaj Sami Lushtakut për tenderin në KEK, kërkohet dënim ndaj tij

Më: 3 maj 2019 Në ora: 15:43
Sami Lushtaku

Prokurorja speciale, Florije Shamolli gjatë dhënies së fjalës përfundimtare ka kërkuar dënimin e ish-kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ish-drejtorit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Arben Gjukaj, ish-kreut të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Hysni Hoxha dhe të tjerëve, që akuzohen për keqpërdorime në rastin e tenderit për sigurinë fizike në KEK.

Ndërkaq, mbrojtësit e të akuzuarve kanë kërkuar lirimin e tyre nga akuza, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurorja Florije Shamolli, deklaroi se nga provat e prezantuara është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat ngarkohen.

Sipas saj, në mars të vitit 2012, KEK-u kishte bërë në shpallje publike lidhur me një tender, ku kishin konkurruar pesë kompani që pretendonin se i plotësonin kushtet, ku ndër to ishte edhe kompania “Security Code”, që sipas saj, nuk i plotësonte kriteret.

Ajo ka thënë se në mesin e kritereve ishte paraparë të ishte çmimi më i lirë dhe kompania të kishte staf të mjaftueshëm.

“Mirëpo, meqenëse Milazim Lushtaku dhe Esat Tahiri ishin pronar të “Security Code” dhe nuk kishin staf të mjaftueshëm ata me paraqitje të rremë morën punëtorë që nuk ishin të kompanisë dhe u vërtetua se ishin punëtorë që punonin në aeroport”, ka thënë ajo.

Sipas saj, kompania “Besa Security”, ishte ajo që kishte ofruar çmimin më të lirë, mirëpo edhe pse kjo kompani ishte me çmim më të ulët nuk u pranua dhe kompania “Security Code” kishte çmim më të lartë, e nuk kishte staf të mjaftueshëm.

“Në rastin konkret ndërhynë edhe Agjencia Kundër Korrupsion (AKK) pasi u paraqitën shumë parregullsi dhe i shkruajti Arben Gjukaj për shkak të parregullsive të shumta dhe ai erdhi deri te anulimi i tenderit me çka e njoftoi edhe Driton Pruthi. Mirëpo, pasi ishte Sami Lushtaku person me ndikim, ai shkoi në zyrën e Arben Gjukaj së bashku më zëvendësin e tij gjoja për të biseduar për disa trafo elektrike, e në fakt u bisedua për tenderin në fjalë”, ka thënë ajo.

Sipas saj, kompania “Security Code”, ka bërë ankesë në shkallë të dytë, e më pas i akuzuari Arben Gjukaj është nisur në udhëtim zyrtar dhe lidhur me tenderin në fjalë e ka lënë këshilltarin e tij, Ramiz Shahinin, të cilit me autorizim me shkrim ia ka mundësuar nënshkrimin e kontratës, ku sipas prokurores, ai e ka nënshkruar dhe kompania “Security Code” është bërë përfituese e tenderit.

Ajo ka kërkuar nga gjykata që të akuzuarit t’i shpall fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit, duke kërkuar të marrin parasysh rrethanat lehtësuese e rënduese,

Si rrethanë rënduese ka propozuar të merret vlera e madhe e dëmit të shkaktuar ndaj KEK-ut dhe fakti se bëhej fjalë për para publike.

“Si rrethanë lehtësuese të merret parasysh se të akuzuarit kanë qenë korrekt para gjykatës”, deklaroi ajo.

Mbrojtësi i të akuzuarit Sami Lushtaku, avokati Arianit Koci, ka paraqitur fjalën e tij në mënyrë të shkruar dhe të njëjtën e ka elaboruar para trupit gjykues.

Sipas tij, kjo aktakuzë në aspektin profesional është më e dobëta që e ka parë ndonjëherë, që e ka bërë ndonjë prokuror i EULEX-it.

“Thjesht, kjo është një aktakuzë koti. Në aspektin human është aktakuza më e poshtër në jetë që e kam parë. 7 vjet të jetës ja kanë marr zotit Lushtaku pa kurrfarë prova”, ka thënë ai.

Sipas tij, dy prova janë paraqitur, e një ndër to është deklarata e Rexhep Rexhepit, i cili ka vdekur dhe nuk mund të merret parasysh dhe ajo e Arben  Gjukaj, ku ka thënë se nuk ka pasur as presion, e as formë të shtytjes, e prapë sipas tij, prokurori ka bërë presion për ta futur klientin e tij në procedurë.

Ai ka thënë se në atë kohë Sami Lushtaku ka qenë duke u gjykuar për krime të luftës dhe në shkallë të parë është dënuar 12 vjet dhe ka qenë gjyqtari i EULEX-it, Darius Sielicki, i cili për këtë rast në Gjykatën Supreme është paraqitur si anëtar.

Avokati Koci ka thënë se të gjithë të akuzuarit tjerë janë viktimë e Sami Lushtakut dhe po të mos ishte ai, asnjëri nga të tjerët nuk do të ishte akuzuar.

“Aktakuza merret edhe me karakterin e Lushtkaut, ai nuk është engjëll, por ka karakterin e vet dhe nuk di njeri që i ka kërkuar ndihmë e ky si ka ndihmuar, ka karakter e dinjitet, dhe është njeri skajshmërish human”, ka thënë ai.

Gjatë fjalës së tij përfundimtare ka përmendur edhe luftën e Kosovës, ku ka thënë se Sami Lushtaku disa herë ka rrezikuar jetën e tij për luftën që e solli lirinë për qytetarët, e ndërkaq e njëjta luftë po i sjell atij probleme.

“Kam prit që prokurorja vendore ka me rregullu këtë padrejtësi, kjo sot as nuk e din çka ka fol. Mas 7 vjete ktu, çka mi bo Sami Lushtakut me këtë stres që e ka pësu ky, e krejt familja e tij”, ka thënë ai.

Kurse, i akuzuari Sami Lushtaku, ka deklaruar se ai nuk kërkon mëshirë, por kërkon drejtësi, duke shtuar se absolutisht nuk i beson drejtësisë në Kosovë, dhe se ka pritur se prokurorja do ta hedh poshtë aktin akuzues.

“E tha edhe avokati jem që kjo akuzë ka qenë politike dhe e pabazuar në argumente e fakte. Publikisht ju kërkoj falje të gjithë këtyre sepse të gjithë të akuzuarit janë shkaku im këtu”, ka thënë ai.

Sipas tij, një nga dëshmitarët në këtë proces gjyqësor, ka qenë dëshmitar edhe në gjykimin ndaj tij për krime lufte, në rastin e njohur si “Drenica 2”.

“7 vjet e kanë shfrytëzu edhe mediat tona duke spekuluar me shifra, kanihere duke ju bërë presion edhe juve”, ka thënë ai.

E kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, i ka thënë të mos flas për trupin gjykues dhe se presion atij nuk i bën askush.

Ndërkaq, i akuzuari Lushtaku ka vazhduar duke thënë se kërkon drejtësi.

“Nëse e kemi shkel ligjin, urdhëroni vlla, na jemi të gatshëm me pranu çdo dënim”, deklaroi ai.

Avokati mbrojtës i Arben Gjukajt, Ramë Gashi ka deklaruar se në këtë çështje penale Gjykata e Apelit në Prishtinë, ka gjetur se procedura pushohet për shkak të arsyeve nga dispozita e nenit 159 dhe 158 të KPRK-së dhe çështja është kthyer dhe urdhëruar mbajtja e gjykimit në bazë të një vendimi të Gjykatës Supreme nga gjyqtarët e EULEX-it.

E sipas tij, kjo ishte bërë në mënyrë krejtësisht të padrejtë dhe në kundërshtim me ligjin.

“Në rastin konkret vendimi i Gjykatës Supreme nga gjyqtarët e EULEX-it del mbi normën ligjore duke caktuar mbajtjen e procesit gjyqësor në kundërshtim me ligjin dhe duke detyruar gjykatën e shkallës së parë të zbatoj procedurën deri në fund për një çështje penale tanimë e përcaktuar me vendim të formës së prerë.”, ka thënë ai.

Sipas tij, nga gjendja faktike që ka dal pas këtij gjykimit për Arben Gjukaj, e bën që të propozojë që i njëjti të lirohet nga akuza.

“Që në fakt do të ishte përgjigja e vetme e drejtë që drejtësia mund të jep për Arben Gjukaj për arsye të mungesës totale të çfarëdo fakti apo prove se i njëjti ka kryer veprën penale si në aktakuzë, pretendimi i pambështetur i akuzës për tejkalim të kompetencave zyrtare dhe kinse qëllimi i përfitimit pasuror për tjetrin në vlerë prej 6.132.609,76 euro, e me këtë shkaktimi i dëmit për KEK në të njëjtën vlerë bjen për shumë arsye dhe fakte që janë dëshmuar gjatë zhvillimit të këtij procesi gjyqësor”, tha ai.

Sipas tij,  kontrata e punës midis Arben Gjukaj dhe KEK-ut përcakton të drejtën për Arben Gjukaj lidhur me zotësinë e bartjes së autoritetit dhe përgjegjësitë te bashkëpunëtorët për kryerjen e funksioneve që janë në autoritet të drejtorit menaxhues dhe kjo e drejtë buron edhe nga rregullat e brendshme të KEK-ut.

Ai ka thënë se sa i përket takimit që kishte ndodhur mes Gjukajt e Lushtakut, me anë të disa fakteve notore bën që të rrëzohet plotësisht akti akuzues.

“Janë: njoftimi për dhënien e kontratës të aktivitetit të prokurimi ishte bërë më 20 korrik 2012, për më tepër me datë 13 shtator 2012 ishte lëshuar nga OSHP vendimi me anë të së cilit OSHP kishte vërtetuar vendimin e autoritetit kontraktues dhe kishte refuzuar ankesën e operatorit ekonomik “Besa Securiy”. Takimi në të cilin thirret akuza kishte ndodhur me datë 10 tetor 2012. Në çfarë ndikimi ose keqpërdorimi të detyrës zyrtare mund të kishte për një diçka që ligjërisht kishte marr fund muaj më herët”, tha ai.

Edhe Arben Gjukaj është deklaruar para trupit gjykues, ku ka thënë se është e pavërtetë dhe e paqëndrueshme dhe e pasaktë ajo që tha prokurorja në fillim të seancës lidhur me AKK, pasi është vërtetuar në këtë seancë gjyqësore se organet kompetente të KEK kishin bërë anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit duke u thirrur edhe në opinionin e AKK-së.

“Gjatë këtij shqyrtimi është vërtetuar se KEK-u duke qenë në presion të kohës dhe duke shtjerr të gjitha përpjekjet për të siguruar një proces transparent, të barabartë  për palët ankuese kishte vazhduar më shumë se tre herë vëzhgimin e kontratës ekzistuese për arsye të rëndësisë të sigurimit fizik të objekteve që janë strategjike për KEK-un dhe vendin”, deklaroi ai.

Ai tha se organet kushtetuese si është KRPP nuk kishte lejuar shpalljen edhe të një njoftimi tjetër me arsyen se KEK tashmë kishte një kontratë të re, të vërtetuar nga OSHP dhe KRPP, dhe nuk po e nënshkruante.

Sipas tij, ishin fshehur ose nuk ishin prezantuar disa dokumente me rëndësi  të marra në mënyrë ligjore nga hetuesit si analiza ekonomike e krahasimit se cili operator ekonomik ishte më i favorshëm, deklarata e tij e dhënë në polici në cilësinë e dëshmitarit më 12 dhjetor 2012.

“Ku përveç deklaratës, gjatë dhënies jam shantazhuar nga udhëheqësi i ekipit hetues Avni Reçica se duhet patjetër si drejtor menaxhues të anuloj procedurën e prokurimit. Këto fakte i dëshmoj edhe me një provë, me përgjim i marr me një rast tjetër që quhet “ KEK 1”, dhe dëshmohet saktë se si kam udhëtuar jashtë vendit që ishte paracaktuar udhëtimi muaj më herët, para dhënies së përgjigjes nga OSHP”, ka thënë ai.

Avokati i Hysni Hoxhës, Sahit Bibaj ka thënë se mbrojtja konsideron se gjatë kësaj procedure me asnjë prove nuk është vërtetuar pretendimi i prokurorisë i ngritur ndaj të mbrojturit tim.

Sipas tij, madje edhe në fjalën e fundit të prokurores, ajo nuk e ka cituar emrin e të mbrojturit të tij, ndonjë veprim apo mosveprim të tij.

“Madje, ajo citoi se kushtet për dhënie të kontratës ka qenë çmimi ekonomikisht më i ulët, çka nuk është e saktë sepse kusht për dhënie të kësaj kontrate ka qenë operatori më i përgjegjshëm ekonomik”, tha ai.

Ndërkaq, sipas tij, në bazë të qëndrimeve juridike, mendimeve të Gjykatës Supreme që t’i vihet në barrë kjo vepër dikujt duhet të vërtetohet përfitimi, e një gjë e tillë nuk është vërtetuar.

“Madje, edhe përgjimet e hulumtimet financiare që janë bërë nuk është provuar një gjë e tillë”, tha ai.

Sipas tij, pretendimi i aktakuzës së i mbrojturi i tij ka bërë shkelje me rastin e nënshkrimit të konkluzionit nuk qëndron ngase ky ka qenë epror i një organi dhe ligji e obligon që mundet të nënshkruaj konkluzione.

Avokati mbrojtës i Esat Tahirit, Mentor Neziri ka deklaruar se për veprën penale “falsifikim i dokumentit” për të cilën akuzohet klienti i tij, është arritur parashkrimi dhe i ka propozuar gjykatës që të marr aktgjykim refuzues.

Sipas tij, sa i përket veprës penale të mashtrimit, e kanë kontestuar gjendjen faktike dhe kualifikimin e veprës penale, duke thënë se nuk janë plotësuar elementet për këtë vepër penale dhe me gjitha provat materiale e formale, konsiderojnë se gjendja faktike nuk është përshkruar në mënyrë të drejtë.

Sipas tij, deklaratat e disponueshmërisë që prokuroria pretendon se kanë qenë të marra me falsifikim nuk kanë qenë pjesë e tenderit dhe nuk mund të pretendohet se KEK-u është mashtruar.

“Nënshkruesit e deklaratave që janë deklaruar në gjykatë kanë thënë se i përmbahen deklaratave dhe nuk kanë kontestim sa i përket nënshkrimit dhe të gjithë kanë lidhur kontrata me “Security Code”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se përfitimi material nga koncerciumi ka qenë i ligjshëm dhe këtë e vërteton edhe përfaqësuesi i KEK që ka thënë se koncersiumi i ka kryer të gjitha obligimet e përgjegjësitë dhe se janë të kënaqur.

Ai ka propozuar që klienti i tij për dy veprat tjera të shtytjes për keqpërdorim të pozitës zyrtare e mashtrimit të lirohet nga akuza.

Artan Qerkini, i cili mbron Milazim Lushtakun ka thënë se asnjë element i veprave penale për të cilat ngarkohet klienti i tij nuk është vërtetuar gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Ai ka thënë se nuk mund të mashtrohet personi juridik, vetëm ai fizik e se prokurorja gjatë fjalës përfundimtare nuk ishte në gjendje të thoshte me cilin veprim i akuzuari Milazim Lushtaku ka kryer falsifikim

“Sa i përket deklaratave të disponueshmërisë lidhur me punëtorët që kanë shpreh dëshirë të jenë pjesë e kompanisë, nuk pajtohem me pretendimin e prokurorisë se punëtorët kanë qenë duke punuar diku tjetër dhe “Security Code” i ka paraqitur se punojnë aty. Kur shpallet një tender, nuk e dini sigurt që po fitohet tenderi, nuk mundesh me hy në marrëdhënie kontraktuale kur nuk dihet a fitohet tenderi, punëtorët kanë dhënë CV dhe kanë shprehur gatishmëri që të punojnë në “Security Code” nëse fitohet tenderi”, tha ai.

Sipas tij, prokuroria është munduar që veprimet e ligjshme të Milazim Lushtakut t’i paraqes të paligjshme.

“Sa i përket dëmi, nuk guxojmë të ngatërrojmë vlerën e kontratës me dëm, ajo pi bjen që kompania ka marr 6 milion e sa euro dhe nuk ka dhënë asnjë shërbim. Vlera e dëmit nuk mund të jetë 6 milionë se janë paguar disa punëtorë e tatime dhe prokuroria asnjëherë nuk e ka nxjerr saktë sa është vlera e dëmit” tha ai.

Mbrojtësi i Driton Pruthit, avokati Berat Tmava ka deklaruar se në dosje të lëndës nuk ka prova që klienti i tij ka tejkaluar autorizimet ligjore dhe se veprimet e tij janë në përputhshmëri me ligjet

“PSRK është dashur të përcaktojë dëmin apo pjesën e përfituar dhe nuk mund të thuhet se si dëmtim është shuma e kontratës pasi ajo ka të bëj me shumën për shërbimet e kompanisë “ Security Code” dhe “WDG”.”, ka thënë ai.

Sipas tij, për të ekzistuar elementet e keqpërdorimit të pozitës duhet të plotësohen disa kushte asnjë nga ato nuk janë përmbushur për klientin e tij.

Kurse, sa i përket veprës penale të lidhjes së kontratës së dëmshme, ai ka thënë se janë përmbushur kriteret e LPK-së me rastin e nënshkrimit të kontratës për këtë tender dhe se i mbrojturi i tij ka vepruar sipas ligjit, andaj ka kërkuar lirimin e tij.

Ndërkaq, Armend Krasniqi, avokati i Azem Duraku deklaroi se mbrojtja është e bindur se për asnjë moment nuk është vërtetuar baza e akuzës.

“Prokuroria veprën penale e kualifikon si veprës penale “shtytje për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, këtë gjë me asnjë fakt apo provë nuk e ka vërtetuar se ka ekzistuar dyshimi mirë i bazuar se i mbrojturi im ka kryer veprën penale për të cilën është akuzuar”, tha ai.

Sipas tij, i mbrojturi i tij, gjatë fazës së hetimeve ka kërkuar që të ballafaqohet me ekspertizë tjetër, mirëpo kjo gjë asnjëherë nuk kishte ndodhur dhe nuk i është dhënë mundësia që të ballafaqohet me një ekspert të nivelit të njëjtë.

Ndërkaq, tha se lidhur me pretendimin në aktakuzë për nën kriterin dy, edhe në këtë rast është marr mendimi dhe vendimi i KRPP-së dhe propozoi që klienti i tij të lirohet nga akuza.

Kurse, i akuzuari Duraku ka thënë se nga organi i akuzës janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, pikërisht neni 36, paragrafi 1 i Kushtetutës së Kosovës, neni 8 i Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut sepse nuk është respektuar parimi më i çmuar i jetës, parimi i privatësisë, të cilin e ka pasur detyrim ligjor ta respektoj organi i akuzës.

Ndryshe, pasi që ka dhënë fjalën e saj përfundimtare, prokurorja Shamolli ka kërkuar të lirohet nga gjykimi për shkaqe familjare, me ç’rast kryetari i trupi gjykues, Beqir Kalludra, e ka liruar atë dhe ka kërkuar nga Prokuroria Speciale që të dërgohet një prokuror tjetër për zëvendësim në mënyrë që të mos shtyhet gjykimi për një ditë tjetër.

Edhe mbrojtësi i Sami Lushtakut, kërkoi që nëse sigurohet prokurori tjetër të fillojë gjykimi nga ora 11:00, pasi i mbrojturi i tij kishte një vizitë mjekësore të caktuar në orën 10.:00.

Më pas ky gjykim ka vazhduar dhe prokurori që është paraqitur për zëvendësim ishte Atdhe Dema.

Shpallja e aktgjykimit në këtë rast pritet të bëhet më 20 maj, me fillim nga ora 9:00.

Ky proces gjyqësor më herët ishte duke u gjykuar nga EULEX-i, por Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), më 27 shtator të vitit të kaluar kishte aprovuar kërkesën e EULEX-it që rasti “KEK 2”, t’i delegohet gjyqtarëve vendorë, të cilin vendim Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte pranuar vetëm pas dy jave.

Në shkurt të vitit 2016, para trupit gjykues, të kryesuar nga gjykatësi Vladimir Mikula, gjithë të pandehurit ishin deklaruar të pafajshëm.

Në këtë rast hetimet kishin filluar më 5 tetor 2012, ndërkaq aktakuza ishte ngritur më 16 janar 2015.

Sipas aktakuzës, në tenderin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) përfshihen tashmë ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj dhe pesë të akuzuar të tjerë.

Shtatë të pandehurit, akuzohen për tenderin milionësh për sigurimin fizik të objekteve të KEK-ut. Në këtë proces gjyqësor, Sami Lushtaku është i ngarkuar me veprën penale “shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit”, Arben Gjukaj e Hysni Hoxha, akuzohen për “keqpërdorim i pozitës zyrtare ose të autorizimit”, Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku në bashkëkryerje akuzohen për “mashtrim” dhe “falsifikimit të dokumenteve’’, Driton Pruthi për veprat penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare ose i autorizimit” dhe “lidhje e kontratçs së dëmshme” dhe i pandehuri i fundit, Azem Duraku për veprën penale “shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit”.

Prokuroria pretendon se sjellja e paligjshme e të pandehurve të lartcekur, ka rezultuar me dhënien e kontratës kompanisë së sigurimit “Security Code”, e cila ka ofertuar si pjesë e konsorciumit me kompaninë “WDG”. Kontrata në fjalë ishte për periudhën dy vjeçare, në shumë prej 6, 182, 609.76 euro, shumë kjo për të cilën pretendohet se është dëmtuar KEK-u.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat