I dënuari për krime lufte në Kosovë që iu pezullua dënimi katër herë brenda katër viteve

Aktuale

I dënuari për krime lufte në Kosovë që iu pezullua dënimi katër herë brenda katër viteve

Më: 21 qershor 2019 Në ora: 20:37
Sabit Geci

Sabit Geci i dënuar për krime lufte me 15 vite burgim është liruar nga burgu për trajtime mjekësore së paku katër herë në katër vitet e fundit. Të gjitha arsyetimet për lirimin e tij apo pezullimin e dënimit nga burgu janë bërë për arsye shëndetësore.

Një vendim për “liri” Geci e ka marrë edhe ditëve të fundit. Por kjo çështje ka nervozuar ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, Philip Kossnet.

Ai e ka konsideruar të papranueshëm që një kriminel i luftës të lirohet.

“Ministri i Drejtësisë nënshkroi lirimin e një të dënuari për krime lufte, i dënuar me 15 vjet burgim në rastin e Kukësit, i cili ka vuajtur dënimin më pas se 12 muaj në 3 vitet e kaluara. Abuzimi i rregullt nga kriminelët e lidhur mirë të sistemit të pushimit mjekësor dhe dënimet e pezulluara duhet të ndalen” ka shkruar ambasadori amerikan Kosnett.

Ish-eprori i UÇK-së, Sabit Geci është i dënuar me 15 vite burgim për krime lufte, të cilin e kishte liruar disa herë nga burgu Ministria e Drejtësisë me arsyetimin se gjendja shëndetësore e tij ishte jo e mirë.

Ai ishte dënuar nga Gjykata Supreme e Kosovës me 15 vite burgim për vrasje dhe keqtrajtim të të burgosurve në Kukës dhe Cahan gjatë viteve të luftës 1998-1999.

Geci ishte liruar nga Qeveria Mustafa-Thaçi në vitin 2015, ku ministër i drejtësisë në atë kohë ishte Hajredin Kuçi. Lirimi i Gecit atëherë në periudhë tre mujore ishte bërë me të njëjtën arsye, çështja shëndetësore.

Pas 3 muajve liri, Sabit Geci, ishte kthyer përsëri prapa grilave për vuajtjen e dënimit 15 vjeçar. Pas kësaj, në 16 shkurt 2017, ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, e kishte liruar Gecin deri më 16 prill me qëllim të trajtimit adekuat mjekësor.

Insajderi kishte siguruar edhe vendimin e ndërprerjes së vuajtjes së dënimit.

Ish eprori i UÇK-së Sabit Geci, nëpërmjet një letre publike nga burgu, kishte thënë se nuk e kupton se si ende nuk është krijuar një gjykatë për krimet serbe. E derisa ka pasur një mesazh për bashkëluftëtarët në pushtet, ai përmes letrës kishte theksuar se do të përballet me secilin institucion që kërkon të vërtetën, pasi e vërteta e mbron Kosovën nga armiku dhe nga ata.

Sipas tij, bashkëluftëtarët e tij, krijuan UNMIK, EULEX e Tribunal Special për t’u marrë më bashkëluftëtarët e tyre, e nuk krijuan asnjë mekanizëm për t’i ndjekur krimet e Serbisë.

Ai kishte pyetur bashkëluftëtarët se nga kush u frikësuan dhe për çfarë veprash u frikësuat.

Në nëntor të vitit 2018, Gjykata e Apelit i kishte konfirmuar lirimin prej gjashtë muajsh Sabit Gecit për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Ai kishte dalur nga  Qendra e Paraburgimit në Dubravë.

Sipas aktvendimit, Sabit Geci ka pasur të lajmërohet në mbajtje të dënimit në Dubravë më 2 maj 2019. Ai nuk ishte kthyer me kohë në qendrën e paraburgimit. Kishte qëndruar disa ditë më shumë se që kishte marrë leje.

Më 13 maj ai ishte vetë-dorëzuar në shërbimin korrektues, pasi Policia e Kosovës kishte marrë urdhrin për arrestimin e tij.

“Po mbrëmë është rikthyer në Kosovë. Përkundër gjendjes së tij të rëndë shëndetësore për të cilën janë të informuara të gjitha organet përgjegjëse, aktualisht ai për shkak të gjendjes së rënduar është në spital sepse mbrëmë rrugës deri sa po transportohej për në Dubravë i është përkeqësuar gjendja”, kishte thënë avokati i tij, Haxhi Millaku.

Kujtojmë që Kosnett prej kur është emëruar ambasador në Kosovë ka qenë mjaftë i ashpër në reagimet e tij ndaj të dënuarve për krime lufte dhe korrupsion. Ai kishte reaguar edhe për emërimin në poste publike të Sylejman Selimit dhe Naser Shalës “fytyrës”.

Po ashtu se ambasada amerikane ka vendosur që të gjithë personave me aktakuza për korrupsion t’iu refuzohet viza për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat