Për luftën e fundit në Kosovës, pothuajse çdo ditë po zbulohet detaje e argumente të ndryshme, në veçanti për mënyrën se si është zhvilluar kjo luftë, detaje të cilat kanë qenë larg pjesës tjetër.
Faqja “Tahir Zemaj”, e cila menaxhohet nga familjarët e të ndjerit, së fundi ka publikuar disa detaje të padëgjuara më parë, se si 20 vite më parë ishin ndaluar ushtarët e FARK-ut, me që rast edhe ishte bërë çarmatimi i njësisë ushtarake “Mërgimi”, e cila drejtohej nga Kolonel Tahir Zemaj.
Ndërsa, mësohet se e gjithë kjo ishte kryer nga shefi i rendit të Tropojës, Jaho Mulosmani, dhe Fatmir Haklaj, përcjell “Bota sot”.
Mes tjerash në këtë shkrim, thuhet se “duke qenë se trupat e FARK-ut dhe kryesisht brigada “Mërgimi”, shiheshin si kundërshtarë të UÇK-së që drejtohej nga Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, kthimi i tyre në Kosovë pas luftës cilësohej si një rrezik serioz për një konflikt të armatosur”.
Ja shkrimi i plotë:
SEKRETE.
PSE U NDALUAN NË TROPOJË USHTARËT E BUJAR BUKOSHIT
Vetëm pak ditë nga për fundimi i luftës së Kosovës Fatmir Haklaj u bë
protagonist në një tjetër ngjarje. Këtë radhë ai dhe shefi i Rendit të
Tropojës Jaho Mulosmani organizuan bllokimin dhe çarmatimin e njësisë
ushtarake “Mërgimi”, e cila drejtohej nga Kolonel Tahir Zemaj. Kjo brigadë
ishte pjesë e FARK-ut(Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës), trupa
të financuara nga qeveria në ekzil e kryeministrit Bujar Bukoshi.
Nano e akuzuan kryeministrin Bukoshi dhe drejtuesit e FARK-ut, se një
pjesë të trupave që i kishin në Shqipëri, i përdorën gjatë trazirave të 14
shtatorit 1998 për të rrëzuar qeverinë e majtë dhe për të kthyer serish në
pushtet ish-presidentin Berisha.
KOLONELI
Duke qenë se trupat e FARK-ut dhe kryesisht brigada “Mërgimi”, shiheshin
si kundërshtarë të UÇK-së që drejtohej nga Hashim Thaçi dhe Ramush
Haradinaj, kthimi i tyre në Kosovë pas luftës cilësohej si një rrezik
serioz për një konflikt të armatosur.
Disa ditë pas përfundimit të luftës në Kosovë, më datë 19 qershor 1999
forcat speciale të policisë shqiptare shkuan në Mamurras dhe kërkuan nga
drejtuesit e Brigadës “Mërgimi” që të largoheshin drejt Kosovës, duke lënë
aty të gjitha armatimet e rënda, si rraketat tokë-tokë dhe tokë-ajër, armë
të artilerisë etj. Ish-komandanti i kësaj brigade Koloneli i vrarë Tahir
Zemaj në kujtimet e tij shkruan: “Pas nënshkrimit të marrëveshjes në mes
të palës serbe dhe forcave të NATO-s, brigada ”Mërgimi” u nis për në
Kosovë. Me Ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë Luan Hajdaraga dhe me
përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes ramë dakort që një pjesë të
armatimit t’ia linim në dispozicion Ushtrisë Shqitare për çka, edhe ashtu
u veprua, kurse pjesën tjetër kryesisht armët e lehta, t’i merrnim me
vete”. Policia dhe Ushtria Shqiptare bën një marrëveshje me drejtuesit e
FARK-ut që të shoqëronin me mjetet e tyre autokolonën e brigadës “Mërgimi”
deri në kufi. Përpara se brigada të merrte rrugën e kthimit drejt Kosovës,
Komanden e mori Fazli Rugova.
BLLOKIMI
Autokolona u shoqërua nga mjetet e policisë dhe Ushtrisë Shqiptare deri në
Qafën e Malit edhe pse marrëveshja ishte se duhej të shoqërohej deri në
kufirin me Kosovën. Në Qafë Mali brigada e FARK-ut u orientua të hynte në
Kosovë, jo nga Kukësi, por nëpërmjet Tropojës. Pas një udhëtimi të
lodhshëm nëpër një rrugë tepër të vështirë, autokolona e FARK-ut u ndal në
hyrje të qytetit Bajram Currit, pranë varrezave të dëshmorëve. Komandanti
i grupeve të gatëshme të Tropojës Fatmir Haklaj, Shefi i Rendit Jaho
Mulosmani dhe Feriz Kërnaja, u kërkuan trupave të FARK-ut të linin armët e
rënda aty dhe të ktheheshin pas. Në të kundërt, do të kishin pasoja të
mëdha. Brigada “Mërgimi” qëndroi për orë të tëra e bllokuar në hyrje të
Bajram Currit. Drejtuesit e FARK-ut dhe qeverisë Bukoshi tentuan të
negocionin me autoritetet shtetërore në Tiranë, por askush nuk merrte
përsipër të urdhëronte Fatmir Haklajn të lejonte kalimin drejt Kosovës. Ai
deklaroi se nuk e njihte marrëveshjen e bërë mes drejtuesve të FARK-ut dhe
qeverisë shqiptare dhe se nuk merrte urdhëra nga Tirana. Haklaj i
cilësonte trupat e Tahir Zemajt si tradhëtarë të Kosovës, dhe deklaroi se
nuk do të lejonte që 250 trupa të armatosura të kalonin nëpërmjet Tropojës
për tu dalë pas shpine trupave të UÇK-së që kishin derdhur gjak për
çlirimin e Kosovës. Kontaktet nga Tirana nuk ia kthyen mëndjen Haklajt, i
cili këmbëngulte se çlirimtarët e Kosovës ishin trupat e UÇK-së dhe jo të
FARK-ut.
PASOJAT
Përfundimisht autokolona e brigadës “Mërgimi” nuk u lejua të hynte në
Kosovë nga Tropoja, por u kthye pas në drejtim të Kukësit, duke ndjekur
një rrugë edhe më të vështirë se ajo e Qafë Malit. Këtë radhë itinerari
ishte Bajram Curri-Qafë Luzhë-Kam-Krumë-Kukës. Ajo që ndodhi në Tropojë
bëri që trupat e FARK-ut të mos hynin në Kosovë si çlirimtarë, por si një
njësi e çarmatosur. Kolonel Tahir Zemaj dhe qeveria e Bukoshit e akuzuan
Policinë dhe Ushtrinë Shqiptare se i kishin prerë në besë për të
favorizuar UÇK-në. Sipas tyre, autokolona e brigadës “Mërgimi” ishte lënë
qëllimisht e pashoqëruar në Qafë Mali, dhe ishte orientuar të hynte në
Kosovë jo nëpërmjet Kukësit, por nga Tropoja në mënyrë që të ndalej dhe
çarmatosej nga Fatmir Haklaj dhe njerëzit e armatosur që drejtoheshin prej
tij. Nuk është sqaruar kurrë nëse Fatmir Haklaj e kreu këtë veprim me kokë
të vetë apo kishte ndonjë orientim të posaçëm nga Tirana. Fakt është se
pas këtij veprimi, 5 pjestarë të brigadës “Mërgimi” u rrëmbyen dhe u
gjetën të vrarë në afërsi të Pejës. Hetimi për këtë ngjarje përfundoi në
gjykatë dhe të dyshuar kryesorë u akuzuan Daut Haradinaj dhe
trupat e UÇK-së të drejtuara prej tij