Zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj, ka reaguar ndaj deputetit të AAK-së, Muharrem Nitaj, i cili ka thënë për Isa Mustafën se “pula e kojshisë e bën veten më të madhe”.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Gecaj e ka quajtur injorant dhe hipokrit Nitajn, duke i thënë se është krejt i paditur dhe në profesion të gabuar ose është vërtetë hipokrit e manipulant i pasktrupullt politik, përcjell Bota sot.
Postimi i tij i plotë në Facebook:
MUHARREM NITAJ – injorant apo hipokrit!
Muharrem Nitaj ose është krejtësisht i paditur dhe në profesion tërësisht të gabuar ose është vërtetë një hipokrit e manipulant i paskrupullt politik (apo besa edhe të dyja së bashku)! Krahasimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të para dy ditëve, të shkeljeve të qarta dhe shumë serioze kushtetuese, me vendimin e vitit 2015 është një fiksion dhe fabrikim krejtësisht jashtë botës reale. Para dy ditësh, Gjykata Kushtetuese nxori vendim i cili i bën SHKELËS kushtetues Qeverinë, Presidentin, të ashtuquajturin Grupin Negociator, si dhe të 61 deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës të cilët votuan ligjin kundër-kushtetues. Më e pakta që duhet të bëj kjo qeveri, ky president, këta “negociatorët” dhe deputetët e papërgjegjshëm është dorëheqja morale dhe vetëshkarkimi i kësaj qeveria fatale për vendin dhe të ardhmen tonë të përbashkët. Përndryshe, institucionet relevante duhet të fillojnë procedurat e shkarkimit, votëbesimit, si dhe të atyre penale, kundër këtyre shkelësve dhe harxhuesve të paligjshëm të parasë publike.
Sa për sqarim të opinionit, më poshtë kam nxjerr dy paragrafë nga dy vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të cilët provojnë qartazi injorancën ose hipokrizinë e Muharrem Nitajt:
Në vendim e saj “KO130/15” të datës 23 dhjetor 2015, Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se "Asociacioni/Bashkësia i komunave me shumicë serbe në Kosovë -Parimet e përgjithshme/Elementet kryesore, nuk janë tërësisht NË PËRPUTHSHMËRI ME FRYMËN e Kushtetutës ...”! Ndërsa, me vendimin “KO54/19” të datës 27 qershor 2019, Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se: “Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Procesin e Dialogut me Serbinë, nuk janë në pajtueshmëri me Kushtetutën, rrjedhimisht Gjykata shpall të njëjtin, NË TËRËSINË E TIJ, të papajtueshëm me Kushtetutën.”