Përplasen mes vete Xhavit Haliti e Salih Zyba

Aktuale

Përplasen mes vete Xhavit Haliti e Salih Zyba

Më: 1 korrik 2019 Në ora: 11:48

(E plotësuar) - Nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti dhe deputeti i Vetëvendosjes Salih Zyba, janë përplasur mes vete për çështjen se a duhet që debati për Luginën e Preshevës të mbahet i mbyllur apo jo.

Përplasja mes tyre ka vazhduar duke i bërë pyetje njëri- tjetrit, ndërkohë që në debat ka ndërhyrë edhe deputeti i PDK-së Memli Krasniqi.

Nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti, ka thënë se për çështjen e Luginës së Preshevës duhet të flasin duke i pasur parasysh mundësitë që i kanë.

Haliti: Duhet t’i shtrijmë këmbët sa na mbërrin jorgani

“Ne ndonjëherë po flasim shumë dhe mundësitë tona i dimë, i dimë kompetencat tona, i dimë rregullat, ne nuk mund të shkojmë akoma me e kalua kufirin e Kosovës në drejtim të Serbisë me targa të rregullta të Kosovës. Andaj edhe kur flasim se çka duhet të bëjmë për atë duhet ta kemi parasysh. Adresimi më i mirë me argumente është edhe me iu drejtua Bashkimit Evropian dhe ambasadave që janë këtu edhe fondacioneve të ndryshme që financojnë arsimin, kulturë, shkencën. Është një mekanizëm i regjioneve në Evropë i cili ka mjete dhe ka angazhime regjionale e në këtë rast do të thoja që sikur edhe Presheva, Medvegja dhe Bujanoci do të pretendonin që të anëtarësohen në këtë mekanizëm përfaqësues të regjioneve të Evropës që kanë situata të ngjashme, njëjtë po besoj se do të kishin përfitime më të mëdha. Ndonjëherë kur të flasim fjalë të mëdha duhet t’iu them që duke dashur që t’i ndihmojnë ne i dëmto jmë ata më shumë, sepse edhe akuzat drejtim nesh nga ata që nuk duhet t’i kemi i kemi të tilla çfarë i kemi. Prandaj, po them që mirë ndodhi debati, por mendoj që duhet t’i shtroijmë këmbët sa na mbërrin jorgani”, tha ai.

Haliti tha se më mirë ka qenë që për Luginën e Preshevës të kishte qenë debati i mbyllur, pasi sipas tij do të diskutohej realisht për situatën dhe sa mund ta ndihmojë Kosova Luginën e Preshevës.

Ndaj kësaj ka reaguar deputeti i Vetëvendosjes Salih Zyba, i cili propozimin që debati për Luginën e Preshevës të mbahet i mbyllur e quajti të rrezikshëm. Deputeti Zyba ka vazhduar të flas ani pse kryesuesi Xhavit Haliti nuk ia ka dhënë fjalën.

Zyba: E pate një propozim shumë të rrezikshëm

“E pate një propozim shumë të rrezikshëm. Propozimi yt ke që të kalojmë në diskutime të mbyllura, para teje kryesuesi e kufizoi në 5 minuta. Haliti: E shliruam Preshevën”.

Pasi që i ka dhënë fjalët, deputeti Zyba ka pasur kritika rreth rezolutës së presidentit Thaçi, ku ai ka thënë se është kontabanduar. Por, menjëherë i ka reaguar nënkryetarit të Kuvendit Xhavit Haliti, i cili e ka pyetur se sa vjet i ka.

Haliti: Sa vjet i ki ti, uroj që të mësosh më shumë çka ka ndodh përpara

“Sa vjet i ki ti, uroj që të mësosh më shumë çka ka ndodh përpara, po nuk kemi nevojë të shtyhemi këtu kush ka kontribuar më shumë, jemi në Kuvend të Kosovës tash kemi 20 vjet pas luftës, historinë kanë me e shkrua qysh duhet. Nuk jemi ne shkrues të historisë dhe nuk duhet të shkruajmë ne histori, kështu që nuk po dua të ndërhyjmë unë as nuk kam shpërndarë rezoluta as nuk kam shkruar rezoluta, shikojeni, tash flet Ismaili”, tha ai.

E deputeti Sali Zyba, duke iu përgjigjur Halitit, tha se ai 20 vjetët e fundit i ka të krimbura.

Zyba: 20 e fundit janë të krimbura, janë të rrezikshme për vendin tonë

“Gjysma e vjetëve të mija janë po aq sa fatkeqësia e Kosovës prej se qeverisni ju. 20 vjet e mas luftëskëto dëme që ia keni bërë shtetit, shtoja edhe 20 i kam kaluar në të 40. Këto janë vjet e mija dhe janë të shëndosha, të juve së paku të 20 e fundit janë të krimbura, janë të rrezikshme për vendin tonë”, tha ai.

Përgjigje sërish i dha nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti, i cili tha se në vjetët e tij askush nuk do të mund të vejë asnjë njollë.

Haliti: Në vitet e mija askush nuk ka me mujt me vu asnjë njollë

“Unë nuk flas në shumës, por po të them që vjet e mija që janë nja 46 për Kosovën kurrë nuk kanë lëvizur, kurrë dhe kurrë as ti as soji yt, as të tjerët nuk kanë me mujt me vu asnjë njollë. Propaganda është propagandë, ti je i ri dhe uroj që ti të mbetesh patriot kështu siç je edhe me biznes edhe me tana të ecin këmbët mbarë në Kosovë”, tha ai.

Në debat është përfshirë edhe deputeti i PDK-së Memli Krasniqi, i cili ka pasur një urim për Xhavit Halitin e Sali Zybën.

Krasniqi: Ishalla tan ka 100 i bëni

“Ishalla tan ka 100 i bëni edhe ishalla keni shëndet, e ishalla kontribuoni për Kosovën edhe më shumë seç keni kontribuar deri më tash, secilit kurrkush nuk ka me ia mohua kontributin. Nuk kemi nevojë të dëgjojmë kurrkënd  me na kallxu qysh e keni çliruar Preshevën, se me pas çlirua nuk ishin kanë ata të shkretë në këtë situatë”, tha ai. 

***

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, e ka quajtur mashtrim të radhës të presidentit Thaçi, rezolutën për Luginën e Preshevës. Teksa ka thënë se adresa e vetme për shqiptarët e Luginës së Preshevës mbetet Republika e Shqipërisë.

Gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës ku po diskutohet për gjendjen në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, Selimi ka thënë se kjo rezolutë mund të quhet edhe e kontrabaduar, pasi sipas tij, në tavolinat e deputetëve ka ardhur në mënyrë të paligjshme.

Sipas tij, mospërmendja e Luginës së Preshevës në tavolinën e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, e në anën tjetër inicimi i një rezolute për gjendjen atje, veç e dëshmon një gjë të tillë.

Selimi: Rezoluta për Luginën, mashtrim i radhës i presidentit Thaçi

“Ne sot, e kemi poashtu në dorë edhe një projekt-rezolutë të ardhur nga Thaçi, që më vjen keq ta them, por është mashtrim i radhës. Madje edhe kontrabandë mund ta quajmë sepse na ka ardhur në tavolinat e deputetëve. Një nga kolegët këtu po thotë pse po e përmend atë rezolutë, por siç e kam unë e ke edhe ti. Prandaj unë dua ta refuzoj nëj qasje të tillë dhe një keqpërdorim të radhës të çështjes së shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”, tha ai.

Sipas Selimit, e vetmja adresë për qytetarët e Luginës së Preshevës mebtet Republika e shqipërisë, e cila në Ksuhtetutën e saj ka edhe çështjen e kësaj ane.

Përndryshe, sa i përket Qeverisë së Kosovës, ai tha se jo vetëm se nuk e ka në kompetencë një gjë të tillë, porse i ka braktisur qytetarët atje qysh nga paslufta.

Selimi: Republika e Shqipërisë e vetmja adresë për shqiptarët e Luginës

“Krejt çka mund të bëjmë ne si përfaqësues të drejtpërdrejt të qytetarëve është që të kërkojmë nga Republika e Shqipërisë të zbatojë Kushtetutën e saj. Pra, si një adresë të vetme, mbetet që të kërkojë nga Shqipëria që të zbatojë kushtetutën e saj. Këtë kërkesë nuk mund t’ia adresojë Serbisë sepse kurrë nuk do të duhet ne të bëjmë kërkesa ndaj një shteti armik, ndaj shqiptarëve atje dhe këtu. Këtë kërkesë nuk mund t’ia drejtoj Qeverisë së Kosovës sepse nuk e ka të përshkruar në kompetencat e saj e as në Kushtetutën e saj. Vëllezërve shqiptarë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc i përshëndes dhe u them që të mbështeten fort në popullin shqiptar të Kosovës e jo në shtetin e qeverinë e Kosovës, e cila i ka braktisur sidomos tash e 20 vjet pas luftës ”, tha ai. 

Sherifi: Shqipëria dhe Kosova të ndajnë buxhet për Luginën e Preshevës

Deputeti i Nismës Socialdemokrate Bilall Sherifi, ka deklaruar se ka vetëm një mënyrë për të ndihmuar shqiptarët në Luginën e Preshevës, e që sipas tij është që Kosova dhe Shqipëria të ndajnë buxhet siç ndajnë për komunat e tjera.

Ai tha se hallet e shqiptarëve atje nuk mund të zgjidhen duke miratuar rezoluta, por duke ndarë buxhet.

Sherifi: Shqipëria dhe Kosova të ndajnë buxhet për Luginën e Preshevës

“Nuk besoj që hallet e tyre i zgjidhim duke miratuar rezoluta, por duke marrë një vendim të thjeshtë. Nga 7 miliardë euro buxhet që kanë dy shtetet, Shqipëria dhe Kosova, në proporcion siç ndahet buxheti për kokë banori të ndajmë edhe për komunat tona. Pra, pa qenë formalisht brenda Kosovës  t’i trajtojmë si komuna të Kosovës dhe të Shqipërisë dhe të ndajmë buxhet për ta. Pra, të ndajmë buxhet siç ndajmë për cdo komunë të Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës. Mos më thoni është e pamundur linja buxhetore sepse ka 100 forma se si paratë mund të ndahen pa u quajtur linjë buxhetore”, tha ai.

Ai ka mbrojtur qëndrimin e bashkëpartiakes  së tij, deputetes Albulena Halimi-Balaj e cila kishte propozuar që të formohet një ministri për Luginën, ku ai tha se jo të bëhet një ministri e re, por të largohen 2 ministri të tjera dhe të bëhet kjo për Luginën.

Veseli: Serbia nuk do të dëgjojë atë çfarë themi ne, mund të veprojnë edhe më keq ndaj shqiptarëve

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit që të jenë të vëmendshëm në vendimet që do t’i marrin në seancën e sotme, ku po diskutohet për situatën aktuale të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, pasi sipas tij Serbia nuk do të dëgjojë atë çfarë e thonë ata.

Veseli tha se nëse 500 mijë euro do të shkonin në Luginë të Preshevës do të ishte sukses i kësaj seance.

Veseli: Nuk do të dëgjoj Serbia atë çfarë do ta themi ne

“Nuk do të dëgjoj Serbia atë çfarë do ta themi ne, përkundrazi ne duhet të bëhemi gati se ata do të veprojnë edhe më keq ndaj tyre nëse ne nuk tregohemi pak më shumë të mençur edhe në këto vendimmarrje të cilën e marrim sot. Për këtë arsye unë kisha pas dëshirë më tepër të fokusohet jo vetëm në diskutime, tre studentë të mjekësisë nëse do të regjistroheshin do të ishte mirë, sukses i kësaj seance. 500 mijë euro nëse do të shkonin në Preshevë, Medvegjë, Bujanoc investim do të ishte mirë. Por, keni parasysh që ka edhe disa vështirësi që Serbia do të mundohet t’iu ndal pengesë dhe të bëjë të kundërtën e kësaj që e themi ne. Komisioni është mirë në fund me u përgatit me i marrë disa vendime të cilat i marrim edhe me u zbatua. Edhe për çështjen e shtetësisë shikoni pak mirë, a është mirë me marrë shtetësi ata andej edhe me i çregjistrua siç po mundohen, apo është më mirë me iu jep dokument e dhe me iu organizua një jetë të dinjitetshme këtu, po jo me i largua nga atje dhe i me çregjistrua pikërisht në fazën e dialogut kur është më e rëndësishme vendimmarrja edhe për Kosovën edhe për ata vet”, tha ai. 

***

Deputeti nga Nisma Socialdemokrate, Milaim Zeka, ka thënë se qytetarët e Luginës së Preshevës nuk mund të mbrohen përmes debateve parlamentare, por përmes interesimit të institucioneve të Kosovës.

Ai këto komente i bëri gjatë seancës së jashtëzakonshme në Kuvend, duke shtuar se rreth 20 mijë qytetarë të Luginës që jetojnë në Kosovë nuk e gëzojnë të drejtën që ta marrin nënshtetësinë.

“Qytetarët e Luginës së Preshevës nuk mbrohen përmes debateve në Parlament, por përmes një interesimi të institucioneve të Kosovës. Asnjë Qeveri e Kosovës deri më tash nuk ka pasur një zyre të veçantë e cila merret me problemet e qytetarëve nga ajo zonë”.

Image

“Për ta dëshmuar se sa kemi qenë të interesuar për atë pjesë, flet fakti se kemi rreth 20 mijë qytetarë që nuk e gëzojnë shtetësinë e Kosovës. Kush na ka penguar neve që këtyre qytetarëve t’iu garantojmë të drejtën e nënshtetësisë”.

“Kam shumë miq që janë ankuar se nuk e kanë të drejtën e nënshtetësisë duke thënë se jetojnë si refugjat në Kosovë. Përtej kësaj, çdo gjë tjetër është demagogji sikurse është demagogjia se do të bashkohet Lugina e Preshevës me Kosovën”.

Hasani: Shqiptarët e Luginës të gëzojnë të drejta sikur serbët në Kosovë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh bashkëpropozues i rekomandimeve për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, tha se një çështje kyçe që duhet të diskutohet është reciprociteti.

Sipas tij, shqiptarët e Luginës së Kosovës duhet të gëzojnë të drejtat e njëjta sikurse serbët në Kosovë.

Ai tha se mospjesëmarrja e shqiptarëve në regjistrim të popullsisë në Serbi, ka bërë që të zvogëlohet buxheti i ndarë për ata.

Image

Hasani: Shqiptarët nuk janë të prezantuar si numër real në Serbi, të respektohet reciprociteti

“Aq të drejta sa kanë serbët në Kosovë, në përqindje të numrit të banorëve, po ashtu t’iu jepet e drejta të kenë të drejta shqiptarët në Luginën e Preshevës, Medvegjë, Bujanoc po edhe në Vrajë dhe atje ku janë. Prandaj, numri real i shqiptarëve atje nuk është i prezantuar asnjëherë, aq sa ka në pjesën e Luginës ka edhe në Beograd. Këtë e kanë deklaruar atëherë, udhëheqësit e Serbisë, veç në Beograd ka qenë një deklaratë e asaj qeverie paraluftës, se në Beograd jetojnë 82 mijë shqiptarë. Këtë e pati pas thënë presidenti i përbashkët Bullatoviq në atë kohë, e tash ata nuk kanë asnjë të drejtë të mësimit... Prandaj forma e reciprocitetit, është forma më e mirë e mbrojtjes së identitetit dhe kulturës, njerëzve tanë”, tha ai.

E këtu kryeparlamentari Kadri Veseli, kujtoi se ish-presidenti i Malit të Zi, Momir Bullatoviq, ka ndërruar jetë ditën e djeshme.

Veseli-deputetëve: Mos u fokusoni në diskutime, të nxirret diçka nga kjo seancë

Në Kuvendin e Kosovës është duke u zhvilluar seancën e jashtëzakonshme, ku pikë të vetme të rendit të ditës e ka situatën aktuale të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Në këtë seancë është kërkuar që institucionet e Kosovës të ndërmarrin masa për përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve atje, e për të cilën u tha se është duke u përkeqësuar dita ditës.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli gjatë diskutimeve të deputetëve u tha atyre që të mos fokusohen vetëm në diskutime, por të nxirret diçka nga kjo seancë.

“Nuk do të dëgjoj Serbia atë çka do e themi ne, përkundrazi ne duhet të bëhemi gati sepse ata do të veprojnë edhe më keq ndaj tyre nëse ne nuk tregohemi pak më shumë të mençur edhe në vendimmarrjen që e marrim sot. Keni parasysh se do ketë vështirësi që Serbia do mundohet t’iu dalë pengesë dhe të bëjë të kundërtën e kësaj që e themi ne”, deklaroi Veseli.

Seanca e jashtëzakonshme për situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës do të vazhdojë pas pauzës e cila do të zgjasë deri në ora 14 e 30.

Para fillimit të saj, do të hedhet në votim rezoluta për ndalimin e udhëzimit administrativ për homologimin e veturave.

Lidhur me këtë pikë, shefi i grupit parlamentar të VV-së kërkoi nga deputetët që të jenë në seancë, pasi sipas tij, në rast se sot nuk merret një vendim nga Kuvendi atëherë marrëveshja do të vazhdohet automatikisht deri në vitin 2029.

Gorani propozon që në kuadër të Kryeministrisë të hapet një zyre për Luginën e Preshevës

Deputeti i Partisë Socialdemokrate Dukagjin Gorani, ka propozuar që në kuadër të Kryeministrisë të hapet një zyrë për Luginën e Preshevës, që sipas tij do të ishte një veprim i vogël e simbolik, por që do ta vendoste një adresë të përhershme për banorët e Luginës.

Ai tha se për PSD-në hapja dhe funksionimi i zyrës për Luginën e Preshevës në Qeverinë e Kosovës do të ishte hapi i parë dhe i domosdoshëm që do të mundësonte hartimin e një plani gjithëpërfshirës shtetëror për Luginën dhe banorët e saj.

Deputeti Gorani tha se situata e shqiptarëve në Luginë të Preshevës nuk ka ndryshuar për të mirë prej rezolutës së këtij Kuvendi në qershorin 2013, prej premtimit të fondit të përbashkët nga viti 2014 e deri tek garancitë elektorale për dhënie të nënshtetësisë së Kosovës nga viti 2017.

Ai potencoi se shqiptarët e Luginës vazhdojnë të jetojnë mes premtimeve të papërmbushura nga Republika e Kosovës dhe mos përfilljes sistematike nga Republika e Serbisë.

Gorani: Hapja e zyrës hapi i parë që do të mundësonte hartimin e një plani gjithëpërfshirës për Luginën

“Atje ata reduktohen në individ edhe pse janë komunitet, kurse këtu për ta flasim si komunitet e nuk ua mundësojmë statusin e shtetasit të qytetarit e as të individit. Jeta në përkohshmëni, në pritje e në paqartësi ata i dërgon në mërgim dhe braktisje. Këto ditë fati dhe ardhmëria e tyre është reduktuar në një monedhë  kusurimi gjatë hamendësimeve amatore mbi shkëmbimin e territoreve dhe demarkacione etnike. Ashtu qysh e keni dëshmuar edhe më herët gjatë viteve, Kosova dhe ky Kuvend nuk mund të bëjnë shumë për shqiptarët në Republikën e Serbisë, mirëpo kjo nuk do të thotë se nuk duhet ta bëjnë asnjë gjë... Për PSD-në hapja dhe funksionimi i zyrës për Luginën e Preshevës në Qeverinë e Kosovës do të ishte hapi i parë dhe i domosdoshëm që do të mundësonte hartimin e një plani gjithëpërfshirës shtetëror për Luginën dhe banorët e saj, hapjen e një linje të veçantë buxhetore për të dhe mbështetj en shtetërore e buxhetore për Këshillin Kombëtar Shqiptar në Serbi. Asistenca e Kosovës për këtë organ është me rëndësi të madhe veçanërisht pas vendimit të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë për financimin e këtij Këshilli”, tha Gorani.

PSD konsideron se marrja e këtyre vendimeve është e domosdoshme, pasi sipas tij komuniteti shqiptar vazhdon të trajtohet si i paqenë nga Qeveritë e Serbisë përkundër tri marrëveshjeve të nënshkruara me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare.

Balaj – Halimaj propozon themelimin e Ministrisë për Luginën e Preshevës

Deputetja e NISMA Socialdemorkate, Albulena Balaj – Halimi tha se Bashkimi Evropian do të duhej të merrte masa për padrejtësitë e mëdha që Serbia po iu bënë shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Gjatë fjalës së saj në Kuvendin e Kosovës, Balaj – Halimi tha se NISMA do të angazhohet për një vijë buxhetore për Luginën e Preshevës, teksa propozoi themelimin e një ministrie për Luginën e Preshevës.

Image

Balaj-Halimaj: Të kemi një Ministri për Luginën e Preshevës

“Unë propozoj që në Kosovë të kemi një Ministri për Luginën e Preshevës. Kur jemi në gjendje të kemi 21-24 ministri, të cilat ndoshta nuk do ët ishin të nevojshme, pse të mos kemi edhe një ministri të veçantë për Luginën e Preshevës... Ndërkohë që në Kosovë, serbët mësojnë me planprogram të Serbisë dhe jo të Kosovës, si ka mundësi që Luginës të mos i mundësohet të mësojë në gjuhën amtare, ndërsa këtyre këtu po. Andaj, Bashkimi Evropian, do të duhej të merrte masa edhe në këtë çështje”, u shpreh ajo.

Albin Kurti prezanton 4 hapa që duhet të ndërmerren për Luginën e Preshevës

Pa përmirësim rrënjësor të gjendjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE.

Kështu ka deklaruar kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës, ku ka thënë se pala kosovare, në vend se t’a përdorë këtë fakt për të përmirësuar pozitën e shqiptarëve atje, vetëm sa ka demobilizuar Luginën, me premtimin se do t’i bashkëngjiten Kosovës.

Ai tha se komuna e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, janë më të pazhvilluarat në Serbi, ndërsa papunësia e shqiptarëve në Serbi është më e larta në rajon, pas popullsisë rome.

Kurti: Pa ndryshuar gjendja e shqiptarëve në Luginë, nuk është i mundur anëtarësimi i Serbisë në BE

“Pa ndryshuar rrënjësisht gjendja e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, nuk është e mundur që Serbia të anëtarësohet në BE. Kapitujt 23 dhe 24, gjyqësori, të drejtat dhe liritë themelore, siguria e imponojnë këtë gjë. Mirëpo në vend se ne t’i përdorim këta dy kapituj për të përmirësuar pozitën e shqiptarëve atje, nga Prishtina është demobilizuar Lugina e Preshevës, pikërisht në për të premtimeve se ata shumë shpejt do të na bashkëngjiten neve, pa ndonjëfarë sforcimi shtesë... Diskriminimi, nënpërfaqësimi, shfrytëzimi, shtypja e shqiptarëve atje është e pashembullt. Ndërkaq, premtimi se ata do të na bashkohen neve, me konferenca shtypi, vetëm sa i ka demobilizuar dhe pasivizuar”, tha Kurti.

Sipas tij, janë 4 hapa kryesor që duhet të ndërmirren për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Kurti: Janë 4 hapa që duhet të ndërmerren për Luginën e Preshevës

“Institucionet e Republikës të Kosovës e poashtu ato të Shqipërisë, duhet të kërkojnë televizion në gjuhën shqipe në Preshevë, universitet në gjuhën shqipe në Bujanoc, investime të shqiptarëve në Medvegjë, dhe heqjen e bazës ushtarake të Serbisë në Boroc të Bujanocit. Në këtë mënyrë, me këto kërkesa, shqiptarët kudo që janë, dhe jo vetëm institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë, dalin në ofensivë kundrejt shtetit të Serbisë”, u shpreh ai.

Haxhiu: S’arritëm t’u tregojmë ndërkombëtarëve se shqiptarëve në Luginë po u mohohen të drejtat elementare

Kosova nuk ka arritur asnjëherë të ngrisë mjaftueshëm zërin për të treguar se në Luginën e Preshevës nuk respektohet e drejta elementare, mësimi në gjuhën amtare.

Kështu ka thënë sot deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, e cila gjatë fjalës së saj në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se Kosova nuk e futi Luginën asnjëherë as në bisedimet me Serbinë.

Ajo kërkoi që të mbështeten projektet që vijnë nga Lugina e Preshevës.

Haxhiu: Nuk arritëm të ngrisim zërin fuqishëm për të treguar se në Luginë po shkelet e drejta elementare

“Për mua çka është shqetësuese, përveç që mësojnë, gjenden për t’iu mësuar historinë reale të popullit shqiptar, ata tekstet i kanë të papërkthyera, por gjinden vullnetarisht në suaza të mundësive të mësimdhënësit për t’iu mësuar arsimin shqip atje. Pos që vazhdon diskriminimi i skajshëm i shtetit serb atje ne nuk po ia dalim për të treguar fuqinë tonë si shtet i Republikës të Kosovës, që pakicat tona serbe të diskriminuara pozitivisht, krahasuar me secilin komunitet që jeton në Republikën e Kosovës, asnjëherë nuk arritëm të ngritim zërin fuqishëm, te secili faktor ndërkombëtar, për të treguar se taje shkelet e drejta elementare, mësimi në gjuhën amtare”, u shpreh ajo.

LDK kërkon mobilizim për përmirësimin e jetës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës

Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon që Kuvendi i Kosovës dhe institucionet përkatëse të marrin hapa konkret për përmbysjen e situatës në të cilën ndodhen shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Kështu bëri të ditur deputeti i LDK-së, Arban Abrashi, i cili tha se është fatkeqësi që sot në vitin 2019, në këtë pjesë të Ballkanit, dhe të Serbisë, të një shteti që aspiron të jetë pjesë e BE-së, shqiptarët e Luginës jetojnë në një gjendje të paperspektivës totale, diskriminimit etnik, kulturor dhe social.

Në seancën e sotme që po mbahet pikërisht për këtë çështje, Abrashi bëri të ditur se LDK do të mbështet çfarëdo rezolute që do të nxjerrë Kuvendi i Kosovës e që zotohet ta zbatojë.

Image

Abrashi: Të mobilizohemi për një plan afatgjatë për përmirësimin e jetës së shqiptarëve në Luginën e Prishtinës

“Sot Qeveria e Kosovës dhe institucionet përkatëse, duhet të mobilizohen për një plan afatshkurtër dhe afatgjate. Dhe këtë nisme, ne duhet ta fillojmë sot këtu, në Kuvend, duke kërkuar nga ekzekutivi t’i përmbushë obligimet, sikurse dhe t’i tejkalojë ato, duke marrë nisma të reja sistematike, duke mbështetur një plan konkret që tejkalon mandatet qeveritare dhe politikat ditore. Ne, sot duhet të krijojmë mekanizma e projekte konkrete, sikurse plane afatgjate me njerëz përgjegjës për realizimin e tyre në funksion të përmirësimit të jetës së shqiptarëve në Luginë të Preshevës, si dhe në ruajtje të identitetit të tyre kombëtar”, tha Abrashi.

Kurteshi: Kosova dhe Shqipëria të veprojnë sa më shpejt t’i ndihmojnë shqiptarët e Luginës, ajo pjesë po zbrazet

Kuvendi i Kosovës ka hapur seancën e jashtëzakonshme në të cilën po diskutohet situata aktuale e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Deputeti Ismail Kurteshi, kryetar i komisionit për arsim, ka thënë se gjatë vizitës në Medvegjë, Bujanoc e Preshevë, janë njoftuar për së afërmi me situatën e vështirë në të cilën jetojnë shqiptarët atje.

Ai ka thënë se është konstatuar se me programet aktuale shkollore nuk mund të ruhet kultura, tradita e shqiptarëve.

Image

“edukimi po pengohet nga institucionet e Serbisë. Numri i nxënësve është zvogëluar, problemet me tekste shkollore nuk është zgjidhur. Të diplomuarit në Kosovë bredhin rrugëve të Luginës për shkak të mosnjohjes së diplomave nga shteti i Serbisë, biblotekat atje janë shumë të varfëra. Nevojë urgjente është sigurimi i më së paku një teksti shkollor për çdo lëndë”, ka thënë ai.

Kurteshi ka thënë se po ashtu nxënësit në mungesë të tekste mësojnë nga shënimet.

“Numri i të punësuarve në administratë është simbolik, në spitalin regjional të Vranjës është i punësuar vetëm një shqiptar, në Ministrinë e Arsimit të Serbisë punon vetëm një shqiptar. Në komunën e Medvegjës nga 87 të punësuar vetëm 3 janë shqiptar, në Preshevë është mbyll Gjykata Themelorë, në Medvegjë është mbyllur dega e fakultetit ekonomik. Në Luginë janë rritur gjobat ndaj atyre që përdorin simbolet kombëtare”, ka thënë ai.

Kurteshi ka përmendur kërkesat që duhet të plotësohen për shqiptarët e Luginës.

“Në takim në Këshillin Kombëtar është kërkuar, të respektohet referendumi i shqiptarëve të Luginës i vitit 2012, çështja e Luginës të bëhet pjesë e dialogut, të informohen institucionet për politikën diskriminuese ndaj shqiptarëve, të insistohet në parimin e reciprocitetit në mes të shqiptarëve të Luginës dhe serbëve në Kosovë, të ndërprehet menjëherë pasivizimi i adresave sepse paraqet spastrim etnik të shqiptarëve, është kërkuar pajisje me dokumente të shqiptarëve të Luginës që jetojnë në Kosovë, është kërkuar rritje e kuotave të studentëve që diplomojnë në Kosovë…”, ka thënë ai.

Sipas tij nëse nuk përkrahen politikisht apo financiarisht nga Kosova dhe Shqipëria, shqiptarët e Luginës janë të detyruar ta zbrazin Luginën.

“Nëse institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë nuk fillojnë menjëherë me i përkrah politikisht dhe financiarisht shqiptarët që jetojnë në Luginë, ata do të detyrohen të ikin nga ato troje për shkak të politikës diskriminuese të Serbisë. Të kalojmë në vepra nga fjalët, përndryshe faji për zbrazjen e Luginës sa bie mbi Serbinë bie edhe mbi institucionet tona”, ka thënë ai.

***

Deputeti i LDK-së Arban Abrashi tha se, gjatë vizitës tonë atje në komunat shqiptare në Serbi, kemi pas një perspektivë tejskajshëm të rënduar.

Duhet patjetër të intervenojmë me politika shtetërore, atje nuk është problem vetëm arsimi, sepse janë edhe një numër i madh i fushave tjera të jetës ku ata janë si qytetarë të dorës së dytë.

***

Po vazhdon fjalimin nga bashkëinicuesi i kësaj seance, deputeti Nait Hasani i cili po përmend nevoja tjera të shqiptarëve në Kosovën Lindore.

Deputeti Nait Hasani tha se shqiptarët e Luginës janë politikisht skajshmërisht të përqarë dhe ne kërkojmë nga institucionet e vendit që të punojnë në dhënien e kontrbutin për unifikimin e tyre.

*** 

Deputeti I LVV-së Smajl Kurteshi prezantoi kërkesat për shqiptarët e Luginës të cilat i kanë artikuluar pas vizitës së 6 deputetëve të Kuvendit të Republikës në tri komunat shqiptare.

Sektorët në të cilat kërkohet të ndërhyhet apo të ndihmohet nga qeveria e vendit janë arsimi, kultura sporti e media.

***

Po mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën do të diskutohet situata aktuale e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat