Haradinaj: Nuk jam i mërzitur që nuk kam pasur rol në bisedime me Serbinë

Aktuale

Haradinaj: Nuk jam i mërzitur që nuk kam pasur rol në bisedime me Serbinë

Më: 2 korrik 2019 Në ora: 18:07
Kryeministri Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj thotë se nuk është mërzitur që nuk ka pasur rol deri më tani në procesin e dialogut me Serbinë, sepse sipas tij ky proces ka qenë i devijuar.

Ai ka përsëritur se finalja e këtyre bisedimeve duhet të jetë njohja reciproke me kufijtë ekzistues, në të kundërtën shefi i ekzekutivit tha se nuk i duhen këshillat e presidentit. Haradinaj mes tjerash thotë se është i gatshëm edhe  për rrëzim të Qeverisë.

Shefi i ekzekutivit, në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë e ka quajtur skenar primitiv, atë të “krizës humanitare”. Sipas tij, ideator i saj është vet Vuçiqi, i cili po tenton të destabilizojë veriun e Kosovën.

Haradinaj: Është skenar primitiv i Vuçiqit

“ Është një skenar tepër primitiv, i shekujve të kaluar. E pabesueshme që ende në Serbi ka ksi logjike. Pra, presidenti Vuçiq është ideator dhe zbatues i këtij skenari...Atë që sipas tyre nuk ka arritur ta arrij presidenti Trump, kancelarja Merkel, presidenti Macron që është suspendimi i taksës, ai dëshiro me realizu këtë me një destabilizim të veriut. Në fillim duke i improvizuar një krizë humanitare e pastaj gjoja në dalje në ndihmë të kësaj krize... Por, skenar tepër primitiv. Unë sot e kam lutur si fqinj që të mos e zbatoj këtë skenar, se  nuk ka se si me u fsheh, gjithë bota e sheh dhe e dijnë, që është shkaktar i  destabilizimit potencional”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se veriun si Qeveri e kanë në monitorim, për çka u zotua se janë në nivel të detyrës. Ndërkohë, Haradinaj shtoi  se nuk i befason asnjë veprim, për çka tha se asgjë nuk është e rastësishme.

Siç tha ai,  do të mundohen që  të informojnë serbët e veriut që Kosova do iu dal në ndihmë.

Kryeministri tha se nuk është i mërzitur që nuk ka pasur rol deri më tani në procesin e dialogut me Serbinë, sepse sipas tij si i tillë ka qenë i devijuar.

Haradinaj: Për mua nuk ka pasur fare dialog, nuk jam i mërzitur që nuk kam pasur rol në dialog 

“ Unë nuk kam marrë rol në dialog dhe nuk jam fare i mërzitur, sepse për mua nuk ka pasur fare dialog në fakt, ka qenë proces i devijuar ajo që ka ndodhur me zonjën Mogherini dhe nuk kam kuptuar çfarë është roli im në atë proces... Jam i gëzuar dhe e falënderoj opozitën, nuk jam i mërzitur me ta, i falënderoj shumë për përkrahjen që na i kanë dhënë që të mbrojmë integritetin, tërësinë territoriale, çështjen e kufijve. Unë jam i kënaqur që ua kemi treguar vendin atyre që kanë dashur tregëti me territor të Kosovës dhe me kufij qofshin të brendshëm, qofshin të jashtëm. Kjo është një fitore historike, dhe gjithë ata që kanë qenë pjesë e kësaj fitore historike, populli ka me qenë mirënjohës”, tha Haradinaj

Sipas tij hapat në vijim nuk do i merr i vetëm, dhe nuk ka mundësi të përfaqësojë Kosovën pa gjithëpërfshirje dhe pa rolin e të gjithëve.

I pyetur se a do të pranojë këshilla nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi,  kryeministri tha se çdo këshillë që është në të mirë të Kosovës, është e mirëseardhur, por jo edhe këshilla të tjera.

Haradinaj: Finalja duhet të jetë njohja reciproke, këshillat tjera le t’i mbajnë në shtëpi

 “Nëse ka këshilla që i ndihmojnë Kushtetutës dhe të drejtës së Kosovës janë të mirëseardhura nga çdokush. Por, me qëndrimin për me ecjen përpara me marrëdhëniet Kosovë-Serbi është e rëndësishme vetëm finalja, njohja reciproke  në kufijtë ekzistues. Sa për këshillat tjera le t’i mbajnë në shtëpi, secili dhe secila se nuk më hyjnë në punë”, ka deklaruar Haradinaj.

Haradinaj tha se kohëve të fundit nuk është marrë shumë me temën e  inicimit të opozitës për ta rrëzuar Qeverinë që udhëheq ai, por pavarësisht kësaj, ai u shpreh i gatshëm, që të shkojnë në zgjedhje, për çka tha se edhe AAK nuk i ka puntë keq.

Haradinaj: Kur i kanë 61, na pshtojnë, shkojmë në zgjedhje

“ Nuk kam pasur kohë fare të merrem me këto temat e këtyre. Unë me mandat jam për të mbrojtur interesat e Kosovës në shumë drejtime, nuk e konsideroj mandat timin mbrojtjen e Qeverisë. Qeveria është e qytetarëve, e politikës e të zgjedhurve. Kur i kanë 61, na pshtojnë, shkojmë në zgjedhje. Nuk e kemi telashe hiç, nuk mendojmë fare në këtë, për aq sa jem në detyrë do t’i kryejë punët me gjitha mundësitë që kam, dua të mbroj interesin e vendit tem, të njerëzve të mi. Nuk preokupohemi me mbrojtjen e Qeverisë. Për fat partia që përfaqësoj nuk i ka punët keq”, ka thënë ai mes tjerash.

Ndryshe, në mbledhjen e sotme të Qeverisë, është aprovuar vendimi për themelimin e komisionit për vlerësimin dhe propozimin e tarifave të përgjithshme për shfrytëzimin e lëndës së mbrojtur me të drejtën e autorit nga operatorët kabllorë. Kabineti qeveritar ka aprovuar planin e reagimit për menaxhimin e fluksit të mundshëm të migrantëve, refugjatëve dhe aplikuesve. Po ashtu  është marrë vendimi për të kërkuar nga Presidenti i Kosovës dhënien e autorizimit Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për nënshkrimin e marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Zvicrës, mbi programin “Decentralizimi dhe Mbështetja komunale (DEMOS), faza II”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat