Tahiri: Vuçiq të shkëpusë traditën e regjimit serb të mbulimit të krimeve - Bota Sot
Tahiri: Vuçiq të shkëpusë traditën e regjimit serb të mbulimit të krimeve

Aktuale

Tahiri: Vuçiq të shkëpusë traditën e regjimit serb të mbulimit të krimeve

Më: 4 korrik 2019 Në ora: 15:08
Abelard Tahiri

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri përmes një deklarate për media, ka reaguar ndaj deklaratës politike të presidentit Aleksandër Vuçiq rreth hetimeve për rastin e vrasjes së politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq.

Në reagimin e tij, Tahiri ka bërë të ditur se institucionet e Republikës së Kosovës mbesin të përkushtuara me angazhim të pa kompromis deri në zbardhjen e plotë të këtij rasti.

Deklarata e plotë e Ministrit Tahiri:

“Është për keqardhje që presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, ka marrë rolin e gjykatësit, prokurorit, hetuesit dhe secilin rol tjetër që atij i nevojitet, në përpjekje e sipër për ta fshehur të vërtetën, kurdo që ajo afrohet të dalë  në pah.

Abuzimi kaq i madh me pushtetin e tij arbitrar mbi mediat, mbi prokurorinë, gjyqësorin dhe policinë e Serbisë në tendencën për të fshehur gjurmët e krimit në rastin e vrasjes së politikanit serb nga Kosova,  Ivanoviq, është dëshmi e panikut që e ka kapluar mbi potencialin që ka e vërteta faktike.

Republika e Kosovës ka qenë e hapur për bashkëpunim me organet e zbatimit të ligjit të Serbisë për çështjen në fjalë dhe ky bashkëpunim është ndërprerë sapo janë theksuar qartë pistat e dyshimit të bazuar mbi autorin/autorët e këtij krimi që i mori jetën shtetasit tonë, z. Ivanoviq.

Deklarimi i fundit i Vuçiqit në media rreth kësaj çështje, është deklarim tërësisht politik, mbi një fushë për të cilën ai nuk e ka asnjë kompetencë. Të vetmet janë organet e zbatimit të ligjit ato që hetojnë dhe nxjerrin përfundime mbi pistat e dyshuara, mbi bazën e provave që janë nxjerrë rreth këtij rasti. Dhe një adresë e tillë tashmë ekziston.

Dëshiroj t’i siguroj qytetarët e Republikës së Kosovës pa përjashtim, se institucionet e Republikës së Kosovës do të jenë të përkushtuara në mënyrë të pa kompromis deri në zbardhjen e plotë të këtij rasti.

I bëj thirrje presidentit Vuçiq që të shkëpusë traditën e regjimit serb të mbulimit të krimeve, sepse e drejta dhe drejtësia janë të vërteta në natyrën e tyre dhe të njëjtat tejkalojnë secilin regjim, sot apo në të ardhmen”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...