Ish-ministri i NISMA-s kalon në AAK

Aktuale

Ish-ministri i NISMA-s kalon në AAK

Më: 10 korrik 2019 Në ora: 18:24
Bajram Hasani

Para 12 ditësh, ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, u dorëhiq nga të gjitha pozitat në Nismën Socialdemokrate të Limajt. Pas 2 ose 3 ditësh, ai do të zyrtarizohet si anëtar i AAK-së së Haradinajt.

Media ka mësuar nga burimet të afërta me Hasanin se aderimi i tij pritet të bëhet brenda kësaj jave. Një konfirmim të tillë e kanë dhënë burime edhe brenda AAK-së.

“Po, për gjithçka është arritur marrëveshje. Publikimi i aderimit do të bëhet këto dy ose tri ditë”, ka thënë burimi.

Ndërkohë, Reporteri ka provuar të flas me ish-ministrin Hasani, por ky i fundit ka hezituar të flas për këtë çështje.

Sidoqoftë, Bajram Hasani u largua nga NISMA me mjaft akuza, duket thënë se në në partinë e tij ndryshuan njerëzit sapo u shijuan privilegjet e pushtetit.

“Ata me të cilët e kaluam këtë rrugë të gjatë, të vështirë e plot sfida ndërruan faqe sapo shijuan privilegjet që t’i jep pushteti e paraja. Nuk desha dhe kurrë nuk do të dua të shkelë mbi djersën e njerëzve më të mirë të këtij vendi. Prandaj rrugët tona u ndanë. Kush më njeh e di mirë që unë kur e mbylli një kapitull nuk e kthej kokën prapa dhe as që dua të diskutoj, sepse nuk kam frikë nga asnjë gjë që e kam bërë gjatë punës. Thjeshtë ne nuk shikonim në drejtim të njëjtë me drejtuesit e parties”, kishte thënë Hasani më 28 qershor.

E pikërisht në këtë njoftim të dorëheqjes, vetë Hasani kishte bërë të ditur se largimi nga NISMA nuk nënkuptonte largim nga politika. Ai potencoi se do të qëndrojë në politikë.

“Miq, unë do të vazhdoj të jem pjesë e politikës. Bashkë me ata që më përkrahën, ata që më deshën do të vazhdojmë të japim kontributin tonë ruajtjen e shtetit, zhvillimin e tij dhe hapjen e perspektivave të reja. Kosova ka nevojë për njeriun e ndershëm, punëtorë dhe që e do këtë vend jo vetëm kur të ofron privilegje, por që je i gatshëm kurdoherë për të. Lufta jonë tash e tutje është për ta mbrojtur atë që u ndërtua mbi gjakun dhe mundin e shumë qytetarëve. Shihemi shpejt në projekte të reja!”, kishte thënë ai.

Ndryshe, AAK dhe NISMA u përplasën ashpër dje, pas disa deklaratave të deputetit Muharrem NItaj, të cilit iu nxor një deklaratë që thoshte se Limaj po afrohet me PDK-në.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat