Thaçi përmend për herë të parë zgjedhjet por e ka opsion edhe arnimin e qeverisë

Aktuale

Thaçi përmend për herë të parë zgjedhjet por e ka opsion edhe arnimin e qeverisë

Më: 30 korrik 2019 Në ora: 15:29
Pamje nga takimi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka filluar takimet, ashtu siç ishte paralajmëruar me përfaqësues të partive politike, për t’u dakorduar për hapat që do të ndërmeren pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, raporton Gazeta Express.

Përmes një njoftimi dërguar mediave, është bërë e ditur se Thaci ka takuar sot  përfaqësuesit e KDTP-së dhe ata të VAKAT nga grupi parlamentar 6+, Ministrin Mahir Yagcilar dhe deputetët Duda Balje dhe Bahrim Sabani, me të cilët ka biseduar për zhvillimet politike pas dorëheqjes së kryeministrit, pasi që Republika e Kosovës ka mbetur pa qeveri.

“Presidenti Thaçi u shpreh se tani shtrohet nevoja për  hapa konkretë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës për të pasur në vend sa më  shpejtë një qeveri funksionale e efektive. Kjo qeveri duhet të reflektojë vullnetin e partive politike për një solucion të ri qeverisës apo atë të një procesi elektoral të ri dhe të bëjë të mundur që Kosova të bëhet sa më shpejtë me qeveri”, thuhet në njoftim.

Tutje, bëhet e ditur se takimet me partitë tjera politike do të vazhdojnë në ditët e ardhshme, ndërkaq, Thaçi nesër do të takohet edhe me kryetaren e KQZ-së për t’u konsultuar për hapat e mëtejshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat