Kuvendi shpërbëhet më 22 gusht, ja kur mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme

Aktuale

Kuvendi shpërbëhet më 22 gusht, ja kur mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme

Më: 5 gusht 2019 Në ora: 06:13
Kadri Veseli

(E plotësuar) - Më 22 gusht do të jetë data kur do të shpërbëhet Kuvendi i Kosovës në mënyrë që t’i hap rrugë mbajtjes së zgjedhjeve së parakohshme, të cilat priten të mbahen në fundit e shtatorit, apo javën e parë të tetorit. Kështu është vendosur në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit të Kosovës, teksa gjitha partitë janë marrë vesh që përveç shpërbërjes të votojnë dhe marrëveshjen ndërkombëtare IPA që Kosovës i sjell rreth 100 milionë euro.

Ftesës për mbledhje të kryesisë i janë përgjigjur të gjithë shefat e grupeve parlamentare, përfshirë dhe atë të Listës Serbe. Derisa, me vonesë kanë hyrë përfaqësuesit e dy partitë opozitare, LDK-së dhe VV-së, pasi janë parë duke u dakorduar me njëri-tjetrin para se të hynë në mbledhje.  

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli pas mbledhjes së kryesisë tha se e vetmja zgjidhje kur ka dilema për qytetarët janë zgjedhjet, teksa theksoi se Kosova ka nevojë për vendosmëri për të ecur përpara dhe mençuri strategjike për të ruajtur sovranitetin dhe integritetin e vendit.

Veseli: Zgjedhjet janë vendim i duhur për qytetarët

“Që nga dita e parë e kam thënë me bindje të plotë dhe vendosmëri. Edhe sot e them që e vetmja zgjidhje kur ka dilema janë qytetarët e vendit, janë zgjedhjet. Zgjedhjet nuk janë opsion, apo alternativ, por janë drejtim edhe vendim i duhur për qytetarët dhe vendit tonë. Ky vend ka nevojë për vendosmëri për të ecur përpara”, tha Veseli

Ndërsa, shefi i deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti kërkoi që pas shpërbërjes së Kuvendit të ndiqen gjitha procedurat e nevojshme kushtetuese që vendi sa më shpejt  të shkojë në zgjedhje të përgatitura mirë.

Hoti: Të gjithë u pajtuam që 22 gusht të shpërbëhet Kuvendi i Kosovës

“Ne u dakorduam të gjithë së bashku që vendi të shkojë në zgjedhje të rregullta të përgatitura mirë. Të gjithë institucionet përkatëse të marrin detyrat e tyre. Të gjithë u pajtuam në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit që me datë 22 gusht 2019 në orën 10:00 të shpërbëhet Kuvendit dhe pastaj të ndiqen të gjitha procedurat e nevojshme sipas Kushtetutës për të quar vendin në zgjedhje. Gjithashtu u dakorduam që para shpërbërjes së Kuvendit të miratojmë marrëveshjen ndërkombëtare IPA që Kosovës i sjell 100 milionë euro për projekte të ndryshme”, tha Hoti.

Kërkesë të njëjtë kishte dhe i pari i deputetëve të PDK-së Memli Krasniqi i cili tha se duhet t’i jepet hapësirë një Qeverie të re me legjitimitet qytetar që do të çojë përpara procese që kanë mbetur pezull.

Krasniqi: Menjëherë pas shpërndarjes presidenti duhet të veprojë për të caktuar mbajtjen e zgjedhjeve

“Ta konkretizojmë këtë rrugëtim përpara, meqenëse deri më sot kemi pas vetëm deklarime në media. Sot ka marrë dhe vulë institucionale ky proces. Ne besojmë që menjëherë pas shpërndarjes presidenti me partitë duhet të veprojë për të caktuar sa më parë që të jetë e mundur, brenda afateve Kushtetuese mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme që t’i jepet hapësirë një Qeverie të re me legjitimitet qytetarë e cila do të qoj përpara procese që kanë mbetur pezull”, u shpreh Krasniqi.

Data për mbajtjen e zgjedhjeve dha shefi i deputetëve të Nisma-s, Bilall Sherifi, i cili tha se fundi i shtatorit ose java e parë e tetorit pritët të gjejë Kosovën në zgjedhje të reja.

Sherifi gjithashtu, shprehu disa prej arsyeve që pse është vendosur që Kuvendi të shpërbëhet me 22 gusht dhe jo më herët.

Sherifi: Fundi i shtatorit ose fillimi i tetorit do të jetë data më e përafërt për t’u organizuar zgjedhjet e parakohshme

“Fundi i shtatorit ose fillimi i tetorit do të jetë data më e përafërt për t’u organizuar zgjedhjet e parakohshme... Arsyeja se pse u vendos data të jetë 22 gusht dhe jo menjëherë ka të bëjë me shqetësimet dhe rekomandimet e BE-së që na nevojitën pak më shumë kohë për t’u përgatitur misionin vëzhgues që do ta dërgojnë në Kosovë. Nëse nesër do të shpërndahej Kuvendi dhe 15 shtatori do të ishte data e zgjedhjeve ata do të kishin vështirësi në përgatitjen e misionit vëzhgues për ta dërguar në Kosovë dhe për të vëzhguar zgjedhjet”, tha ai.

I lumtur me këtë vendim u shpreh dhe shefi i deputetëve të AAK-së, Ahmet Isufi.

Isufi: Mandati i kthehet sovranit

“Me këtë rast mandati i kthehet sovranit, përkatësisht popullit siç e ka theksuar zotëri Haradinaj me rastin e dorëheqjes së tij”, tha ai.

Për dallim prej kolegëve të partive të tjera, shefi i grupit parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca dhe ai i PSD-së, Dardan Sejdiu nuk u prononcuan para mediave.

Gjithë kjo situatë ka ardhur për shkak të dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj pas ftesës  për të dëshmuar në Gjykatën Speciale si i dyshuar.

Image

***

Ka përfunduar mbledhja e kryesisë së vendit, raporton "Bota sot".

Pas mbledhjes së kryesisë, krerët e partive politike kanë njoftuar se më 22 gusht do të shpërbëhet Kuvendi i Kosovës, që çon në zgjedhje të reja.

***

Ka nisur mbledhja e kryesisë së Kuvendit të Kosovës ku do të diskutohet për përgatitjet për të mbajtur seancën për shpërndarjen e Kuvendit.

Ftesës për mbledhje të kryesisë iu përgjigjen të gjithë shefat e grupeve parlamentare të partive në parlament.

Kryekuvendari Kadri Veseli ka qenë ai që ka ftuar kryesinë, pasi refuzoi thirrjen e presidentit Hashim Thaçi për të caktuar një mandatar të ri për kryeministër pas dorëheqjes së Haradinajt.

Image

***

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës mban mbledhje sot me kryetarët e grupeve parlamentare në të cilen do të behën përgatitjet për mbajtjen e seancës plenare për shpërndarjen e Kuvendit të Legjislaturës së VI.

Mbledhja e kryesisë është thirrur nga Kadri Veseli në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit pasi Presidenti Hashim Thaqi kishte kërkuar mandatar të ri për qeverinë. 

Zgjedhjet sipas tij janë te pashmangshme dhe janë në interes të Republikës së Kosovës. 

Ai ka shtuar se qytetarët e Kosovës meritojnë një qeverisje të re, që punon për zhvillim të hovshëm ekonomik, që e lufton korrupsionin pa kompromis, që u ofron perspektivë të rinjve në Kosovë, që garanton mundësi të barabarta për të gjithë dhe që sjell më shumë të reja e të rinj, ndërmarrës e intelektualë, në lidershipin institucional, për ndryshimet e mëdha që janë të domosdoshme.

Procedura për të shpërndarë Kuvendin thekson se duhen 80 vota të deputetëve që të vendosin për të ndërprerë punën dhe shpërndarë legjislativin.

Neni 82 i Kushtetutës së Kosovës e ka përcaktuar saktë mënyrën se si Kuvendi mund të kryejë procesin e shpërndarjes.

“Kuvendi shpërndahet në këto raste: Nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë dy të tretat e të gjithë deputetëve, shpërndarja bëhet me dekret të Presidentit të Republikës së Kosovës”, thuhet në pikën 1 të nenin 82 të Kushtetutës së Kosovës". 

Po ashtu, Kushtetuta e Kosovës e përcakton edhe mënyrën se si mund të thirret një seancë. Duhen të paktën 40 deputetë të bëhen bashkë për të ftuar një seancë të jashtëzakonshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat