Pushtohet Emergjenca nga pacientët, QKUK zbulon një detaj interesant për vdekjet në vendin e punës - Bota Sot
Pushtohet Emergjenca nga pacientët, QKUK zbulon një detaj interesant për vdekjet në vendin e punës

Aktuale

Pushtohet Emergjenca nga pacientët, QKUK zbulon një detaj interesant për vdekjet në vendin e punës

Më: 12 gusht 2019 Në ora: 14:11
QKUK

Numri i qytetareve që ditëve të fundit kanë kërkuar ndihmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës  si pasojë e temperaturave të larta të cilat kanë goditur vendin tonë  është rritur dukshëm.

Këtë e ka konfirmuar Avdush Bajgora Specialist i Mjeksisë Emergjente .

Bajgora ka theksuar se kjo është një kohë e rrezikshme sidomos për fëmijët, gratë shtatzëna dhe pleqtë.

Në këtë kohë rrezik të madh kanë edhe personat që vuajnë sëmundjet kardiovaskulare sistemit respirator e diabeti  ka thënë doktor Bajgora.

Ai  rekomandon disa këshilla të cilat duhet të ndiqen në këto ditë me temperature tropikale.

“Preferohen që pacientët të mos ekspozohen  në diell nga ora 10 deri 17 kur është piku i të nxehtit dhe të zgjedhin vende më të freskëta. Krejt këto temperatura ndikojnë në sistemin kardiovaskular, respirator dhe shkakton ndonjë problem që mund të jetë me fatalitet”.

Bajgora tha se një kontingjent tjetër mjaft i rrezikuar janë edhe punëtorët që punojnë në sektorin e ndërtimtarisë.

“Si rezultat i mos konsumimit të mjaftueshëm të lëngjeve mund të vijë deri tek dehidrimi dhe  mund të shkaktojnë gjende të rënda , si humbje e kolagjenit dhe rënie nga lartësi të mëdha. Kemi shumë raste me punëtorë dhe kjo është rezultat e mos konsumimit të lëngjeve gjatë orarit të punës.” ka thënë doktor Avdush Bajgora.

Edhe me fëmijët duhet patur shumë kujdes në këto ditë të nxehta .

“Të rrezikuar janë dhe fëmijët e vegjël dhe për ketë arsye ju bëj thirrje nënave të bëjnë shumë kujdes gjatë kësaj kohe”.

Edhe mjekët e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës kanë dhënë disa këshilla për ditët me mot të nxehtë.

1) Personat e moshuar assesi nuk duhet të ekspozohen në rrezet e diellit në intervalin kohor prej orës 10.00-17.00 , sidomos jo të moshuarit me sëmundje të zemrës ose ata me diabet;

2) Gjatë daljes nga shtëpia të moshuarit detyrimisht duhet ta mbrojnë kokën me kapelë ose shall; rrobat duhet të jenë të holla, komode, prej liri ose pambuku dhe me ngjyra të çelta;

3) Është e domosdoshme marrja e 2 litrave lëngje gjatë ditës, qoftë si 8 gota ujë ose në formë supe ose qaji; po ashtu duhet anashkaluar ushqimin e fërguar, shumë të njelmët ose të ëmbël ose me mëlmesa të shumta, ndërsa duhet marrë shumë pemë dhe perime sezonale;

4) Përveç këshillave të marra nga mjeku për përdorimin e barnave, tek të moshuarit është e domosdoshme matja më e shpeshtë e tensionit arterial;

5) Paraqitja e kokëdhembjes, mundimit, marramendjes dhe dehidrimit, tharjes së gojës dhe lëkurës, janë shenja alarmante për të moshuarin, sidomos kur është i sëmurë dhe ka paaftësi funksionale; atëherë doemos i sëmuri geriatrik duhet të lajmërohet tek mjeku i tij familjar ose në qendrën më të afërt emergjente;

6) Anëtarët e familjes, miqtë, fqinjët dhe anëtarët e OJQ-ve të cilët kujdesen për të moshuarit gjatë muajve të nxehtë të verës duhet doemos më shpesh të kontaktojnë me të moshuarit, e në raste të paaftësive funksionale edhe disa herë gjatë ditës;

7) Në rast se del jashtë shtëpisë/banesës ku jeton, i moshuari duhet detyrimisht të bartë me vete të dhënat elementare, emrin dhe mbiemrin, vitin e lindjes, adresën e banimit, numrin e telefonit të personit kontaktues, i cili mund të kontaktohet lidhur me këtë person të moshuar;

8) Më e rëndësishmja është mirëmbajtja e higjienës personale dhe asaj të ambientit të të moshuarit, si dhe mbikëqyrja e përdorimit të barnave në mënyrë të rregullt;

9) Është i domosdoshëm aktiviteti fizik dhe psikik i të moshuarit, sidomos ecja e vazhdueshme në orët e para të mëngjesit ose në mbrëmje, qëndrimi sa më i gjatë në natyrë (park, shëtitore etj).

10) Nëse i moshuari ka vështirësi për të lëvizur për shkak të pamjaftueshmërive funksionale, atëherë duhet bërë ajrosjen shumëorëshe të hapësirave ku qëndron i moshuari.

Përndryshe deri të martën mbi vendin tonë do të vazhdojë vapa afrikane me temperatura përvëluese, ndërkaq nga e mërkura do të mbajë mot më i freskët ku nuk përjashtohen reshjet e shiut.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...