“E thirri ‘ftyrën’, vallahin ta kanë lokën”, njeriu që po e dëmton fortë Kosovën me SHBA-të dhe me Britaninë - Bota Sot
“E thirri ‘ftyrën’, vallahin ta kanë lokën”, njeriu që po e dëmton fortë Kosovën me SHBA-të dhe me Britaninë

Aktuale

“E thirri ‘ftyrën’, vallahin ta kanë lokën”, njeriu që po e dëmton fortë Kosovën me SHBA-të dhe me Britaninë

Nga: N.H Më: 16 gusht 2019 Në ora: 19:24
Daut Haradinaj, Naser Shala, Ramush Haradinaj dhe Haxhi Shala

Përkrahësit më të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Britania e Madhe, janë tërhequr nga bordi i Agjencisë Kosovare për Verifikimin e Pronës, krejt kjo, për shkak të pakënaqësisë së tyre ndaj mosreagimit të institucioneve të Kosovës për shkarkimin e Naser Shalës nga pozita e kryetarit të këtij institucioni.

Këta të fundit në vazhdimësi kishin kërkuar largimin e Naser Shalës, i njohur në opinion ndryshe si “Ftyra”. Amerikanët janë kategorikisht kundër emërimit të Shalës në krye të këtij institucioni, andaj edhe e duan largimin e tij.

Kujtojmë se për shkak të “Ftyrës” së rrezikshëm, Britania e Madhe nga ky bord kishte dhënë dorëheqje muaj më parë, kur një gjë të tillë e kishte bërë të ditur vet i pari i kësaj ambasade në Kosovë, Ruari O’Connell.

Mirëpo, emri i Shalës u bë i njohur atëbotë kur Adem Grabovci e kishte përdorur “autoritetin frikësues” të një të paraburgosuri për ta kërcënuar Jakup Krasniqin, që të mos dilte kundër projekteve të PDK-së.

Grabovci, i ishte afruar Jakup Krasniqit tek foltorja e Kuvendit dhe i kishte thënë “e thirri, ‘Ftyrën’ vallahin, ta kanë lokën”.

“Ftyra” është nofka e Naser Shalës. Në kohën kur Grabovci kishte biseduar me telefon, Shala ishte në paraburgim i akuzuar për krime lufte në rastin Kleçka. Shala, akuzohej pos tjerash se kishte prerë me kosë të burgosur serbë të luftës.

Paraburgimi nuk e pengonte “Ftyrën” të komunikonte me ish-shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovcin.

Ndërkaq, në një reagim, ambasada amerikane ka njoftuar se kjo dorëheqja vie si shenjë pakënaqësie ndaj mosreagimit të institucioneve për shkarkimin e Naser Shalës nga pozita e kryetarit të këtij institucioni.

Ambasada amerikane ka thënë se SHBA nuk do të vazhdojë aty ku lidershipi i shërben interesave personale dhe politike, më shumë se popullit.

Ambasadori Phillip Kosnett, ka theksuar se zgjedhja e njerëzve të pakualifikuar për pozita qeveritare e dëmton imazhin e Kosovës dhe e tradhton besimin publik.

“SHBA-të kanë dhënë dorëheqje nga Bordi i Agjencisë së Verifikimit të Pronës, siç ka bërë edhe Britania. Ne nuk do të vazhdojmë aty ku lidershipi i shërben interesave personale dhe politike, më shumë se popullit. Zgjedhja e njerëzve të pakualifikuar për pozita qeveritare e dëmton imazhin e Kosovës dhe e tradhton besimin publik”, ka shkruar ambasadori Kosnett në rrjetet sociale.

Ndërkaq, nuk ka vonuar përkrahja e ambasadorit britanik në Prishtinë, Ruairí O'Connell, për Ambasadën Amerikane, që ndoqi pikërisht shembullin e tij, duke u tërhequr nga Bordi i Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

Duke shpërndarë njoftimin e Ambasadës së SHBA-së, O’Connell ka thënë se ai kishte dhënë dorëheqje nga bordi i KPCVA-së kur Kuvendi i Kosovës emëroi Naser Shalën, siç e vlerëson ai, të pakualifikuar dhe të paaftë si kryetar të saj, vetëm për shkak të lidhjeve me deputetë që nga koha e tij në UÇK.

“Kuvendi injoroi një kandidat të kualifikuar i cili nuk i kishte këto lidhje. Tani SHBA-ja ka ndjekur shembullin tonë”, ka thënë O’Connell.

“Nuk ka kuptim të harxhojmë kohën tonë duke u përpjekur që të ndihmojmë institucionet e Kosovës kur shumica në Kuvendin e Kosovës nuk kujdeset për këtë, dhe kur individët nuk ndjejnë turp për të marrë punë në mënyrë të padrejtë e të cilën ata nuk mund të bëjnë siç duhet. Nepotizmi, kronizmi, korrupsioni dhe kapja e shtetit do ta shkatërrojnë Kosovën. Durimi i miqve të Kosovës po ftohet. Qytetarët e Kosovës meritojnë më mirë, por vetëm nëse vendosin të ndëshkojnë ata që përfshihen në këto praktika”, ka thënë O’Connell. /BS/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...