Deda: Bashkimi i madh opozitar s’po ndodh, mund të humbë mundësia e ndryshimit të madh - Bota Sot
Deda: Bashkimi i madh opozitar s’po ndodh, mund të humbë mundësia e ndryshimit të madh

Aktuale

Deda: Bashkimi i madh opozitar s’po ndodh, mund të humbë mundësia e ndryshimit të madh

Më: 22 gusht 2019 Në ora: 16:11
Ilir Deda

Ilir Deda, deputeti i legjislaturës së gjashtë, që u shpërbë sot me 89 vota pro në seancën e jashtëzakonshme, ka thënë se nëse opozita nuk futet në një listë të përbashkët në zgjedhje, humbëse do të jetë Kosova. Deda nuk është deklaruar se a do të hyjë në garë për deputet me ndonjë nga partitë që do të marrin pjesë në zgjedhje. Ai, po ashtu, ka thënë se që nga viti 2010 PDK-ja do të duhej të ishte në opozitë.

Ilir Deda, që për një kohë të gjatë është i pranishëm në jetën publike dhe institucionale, ka komentuar zhvillimet politike në Kosovë në një intervistë për Express.

Deda i cili pas daljes nga Vetëvendosja, së bashku me Mimoza Kusari-Lilën formuan Alternativën dhe në zgjedhjet e vitit 2017 ishin pjesë e koalicionit LAA (LDK-AKR-Alternativa), ku Deda u zgjodh deputet i Kuvendit të Kosovës. Por, Deda ndau rrugët edhe me Alternativën dhe në Kuvend vazhdoi si deputet i pavarur.

Ai  tha se nëse nuk ndodh një bashkim i bllokut opozitar, atëherë humbëse do të jetë Kosova.

“Për mua blloku opozitar është LDK, VV, PSD, Mimoza Kusari, Korab Sejdiu, partitë e tjera, figurat publike që nuk janë në politikë e që do të bëheshin pjesë e listës së përbashkët të forcave demokratike në vend. Bashkim i gjerë i tillë po e shohim që nuk do të ndodhë, me ç’rast po humbet mundësia për ndryshimin e madh dhe po rritet mundësia që çdokush të “shkojë rrugës së vet”. Humbës, në fund do të jemi të gjithë, e Kosova në veçanti”, ka thënë Deda.

Ai ka lënë të hapur mundësinë e kandidimit të tij në ndonjë listë zgjedhore me partitë që do të garojnë në zgjedhje.

“Për mundësinë e kandidimit apo moskandidimit tim në zgjedhje do t’ju informoj me kohë”, është shprehur Deda.

Deda ka thënë se PDK-ja është dashur që nga viti 2010 të jetë në opozitë. Ai, po ashtu, ka folur edhe për koalicionin PSD-AAK.

I pyetur se si e sheh këtë koalicion duke marrë parasysh orientimin programor të majtë respektivisht të djathtë të këtyre partive, Deda tha se është e njëjtë sikur t’i bëhet pyetja si e sheh koalicionin LDK-VV.

“Nëse flasim në aspekt të pastër programor, atëherë i bjen të përgjigjem njejtë si e konsiderojnë të tjerët programin e djathtë të LDK-së me ate të majtë të VV-së, ndërsa unë jam për projekt emergjent qeverisës ku nuk ka shumë hapësirë për luks ideologjik, e që kam besuar që duhet të jetë baza e bashkimit opozitar”, është shprehur Deda.

Ditën e djeshme ka qarkulluar një fotografi e Ilir Dedës me deputetin e PSD-së, Dardan Sejdiu, me ç’rast edhe u spekulua për një aderim të mundshëm të Dedës në PSD. Por, Deda për Express ka thënë se kalimi i tij në PSD nuk do të ndodhë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...