Gërvalla pas nominimit të Osmanit: Një femër dinjitoze, një nënë e përkushtuar, e arsimuar, e guximshme

Aktuale

Gërvalla pas nominimit të Osmanit: Një femër dinjitoze, një nënë e përkushtuar, e arsimuar, e guximshme

Më: 26 gusht 2019 Në ora: 18:42
Donika Gërvalla

Aktivistja që ka drejtuar edhe degën e LDK-së në Gjermani, Donika Gërvalla, e ka përcjellë me vëmendje të gjitha zhvillimin e sotme në LDK që kulmuan me zgjedhjen e Vjosa Osmanit si kandidate për kryeministre.

Në një shkrim të më hershëm Gërvalla thoshte se e vetmja rrugë për LDK’në që të fitojë zgjedhjet është nominimi i saj për kryeministre, dhe se një gjë e tillë nuk do t’i konvenonte vetëm Partisë Demokratike të Veselit.

Gërvalla bënte thirrje që të mos bëheshin përpjekje për eliminimin e Osmanit.

E vendimi i LDK-së për nominimin e Osmanit për kryeministre e ka shtyrë që të reagojë edhe një herë Gërvallën duke e përgëzuar partinë e Isa Mustafës për një vendim të tillë.

Gërvalla thotë se duke i njohur rrymat e brendshme në LDK, vendimi për caktimin e Osmanit si kandidate për kryeministre nuk ka qenë i lehtë.

Gërvalla thotë se tashmë ekziston një alternativë që qytetari duhet t’ia japë votën pa u frikësuar.

Reagimi i plotë:

Përgëzoj Lidhjen Demokratike të Kosovës për vendimin e sotëm për të shkuar në zgjedhjet e 6-tetorit me znj. Vjosa Osmani si bartëse të listës dhe kandidate për kryeministre. Duke i njohur rrymat dhe dallgët brenda LDK-së jam e ndërgjegjshme që një vendim i tillë nuk ka qenë krejt e lehtë të merret. Aq më me peshë është ky vendim i sotëm kur gjithkush e di që është vendim që ka mbështjetjen e anëtarësisë së gjerë të LDK-së si dhe të simpatizantëve të saj.

Me kandidimin e znj. Osmani, për herë të parë në historinë e Kosovës për postin e kryetarit të shtetit kandidon një femër dinjitoze, një nënë e përkushtuar, e arsimuar, e guximshme intelektualisht, e pjekur në gjykimet e saj, këmbëngulëse në qëndrimet e saj për të mos e pranuar të keqen, e papërkulur para presioneve dhe furtunave të ndryshme, të orkestruara jo vetëm nga kundërshtarët e deklaruar politik.

Me znj. Osmani LDK-ja ofron një alternativë shumë serioze në zgjedhjet e 6-tetorit. Për herë të parë pas dekadash, votuesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës votën e tij mund ta japë pa u frikësuar që kjo votë i tjetërsohet apo përdoret kundër vullnetit të tij. Me znj. Osmani votuesi i LDK-së votën e tij për herë të parë pas dekadash e jep pa u frikësuar që po voton koalicione me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Këtë znj. Osmani e ka dëshmuar më shumë se një herë, madje edhe pothuajse e vetme dhe duke notuar kundër rrymës.

Qytetari i Kosovës meriton që me votën e tij të zgjedhë programe politike dhe personalitete me integritet dhe jo të keqen më të vogël. Sot Lidhja Demokratike e Kosovës, me kandidimin e znj. Osmani, bëri hapin e parë në këtë drejtim dhe për këtë meriton respekt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat