E thonë nga Vetëvendosja: LDK-ja nëse vë kushte për koalicion e dëmton veç veten

Aktuale

E thonë nga Vetëvendosja: LDK-ja nëse vë kushte për koalicion e dëmton veç veten

Më: 7 tetor 2019 Në ora: 21:23
Vetëvendosje

Albulena Haxhiu e Vetëvendosjes ka thënë se LDK-ja nuk duhet të vë kushte për një koalicion paszgjedhor me Vetëvendosjen, pasi kjo “do të dëmtonte LDK-në e jo VV-në”.

Duke parë rezultatet e deritashme, me më shumë se 98 për qind të votave të numëruara, koalicioni VV-LDK duket i pashmangshëm.

Ajo ka thënë se LDK-ja si e dyta nuk duhet të vë kushte duke kërkuar postin e kryeministrit.

“Për shkak se është e rëndësishme të kemi koalicion, mendoj që s’duhet të presim gjatë që të diskutojmë. Kurdo që të certifikohen rezultatet, por jemi të interesuar që të kemi takime me përfaqësues të LDK-së. E kemi bërë të qartë para zgjedhjeve që partner të parë e shohim LDK-në. Siç po duken rezultatet vështirë se mund të llogarisim në të tjerët.

I kemi bërë ofertë edhe para zgjedhjeve, e kemi bërë kompromise duke u ofruar numrin një. Do ta kenë ofertën nga VV-ja. S’kemi diskutuar konkretisht, por disponimi në VV është që sa më parë, pavarësisht certifikimit, të flasim të takohemi e të diskutojmë në detaje të gjitha çështjet. Çfarëdo kushti i LDK-së në këtë rast kur e ka parë preferencën e qytetarëve do të ishte goditje për ata, jo për VV-në. Qytetarët e treguan preferencën”, ka thënë ajo për KTV-në.

Haxhiu e ka quajtur lajm të jashtëzakonshëm fitoren e opozitës së deritashme dhe dërgimin e PDK-së në opozitë.

“Menjëherë pas dorëheqjes së Haradinajt kemi thënë që opozita e atëhershme duhet të bëhet qeverisja e ardhshme. Doli kështu. Qytetarët i dhanë goditje qeverisë së kaluar e mbështetën fuqishëm VV-në e LDK-në. 50 për qind të votave janë për opozitën që është jashtëzakonisht pozitive, e sidomos kur e çuan PDK-në në opozitë. Është lajm i jashtëzakonshëm. S’kanë alternativë tjetër, pos opozitës, sepse e dinë që VV-ja në asnjë rrethanë s’do të bashkëqeverisje me ta. S’besoj që LDK-ja do të vendosë kushte. Është interes i tyre që të bëhet qeverisje nga opozita e atëhershme”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka deklaruar se pret që qeveria e ardhshme të ketë maksimumi 13 ministri.

“S’besojmë që Kosova me 2 milionë banorë ka nevojë për më shumë se 12 apo maksimumi 13 ministri. Ia kemi propozuar edhe LDK-së kur i propozuam koalicion parazgjedhor. Ka qenë edhe premtim i tyre elektoral e s’besoj se do të ketë pengesa në këtë drejtim”, ka shtuar më tej Haxhiu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat