Kurti ishte kundërshtar i ashpër i UNMIK-ut, por Tanin ka shpresë te qeveria e tij

Aktuale

Kurti ishte kundërshtar i ashpër i UNMIK-ut, por Tanin ka shpresë te qeveria e tij

Më: 1 nëntor 2019 Në ora: 11:02
Zahir Tanin

Shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Sigurimit, ka folur për zhvillimet politike në Kosovë dhe rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit.

Sipas tij, ndryshimi i dalë nga zgjedhjet e parakohshme mund të nxisë përpjekjet për sundim të ligjit, krijimin e vendeve të punës dhe gjithashtu edhe vazhdimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Tanin ka thënë se zgjedhjet e fundit në Kosovë kanë treguar që qytetarët e Kosovës kanë arritur të perceptojnë faktin që koalicioni qeverisës nuk kishte arritur të realizonte premtimet e dhëna, ndërkohë ka përmendur edhe faktin se dalja në zgjedhjet e 6 tetorit ka qenë më e madhja që nga viti 2010.

Shefi i UNMIK-ut tutje ka thënë se votuesi kosovar në zgjedhjet e fundit ka përkrahur kandidatë të cilët nuk kishin një të kaluar të njëjtë politike me liderët e mëparshëm, dhe është shprehur optimist se qeverisja e re që do të vijë do të realizojë premtimet e bëra gjatë zgjedhjeve.

Tanin pret që, gjithashtu, qeverisja e re të tregojë përkushtim ndaj vazhdimit të negociatave me Beogradin dhe të heqë pengesat për dialog.

“Bashkësia ndërkombëtare, gjithashtu, pret që liderët e rinj të afirmojnë përkushtimin e tyre për negociatat me Beogradin dhe të sigurojnë heqjen e pengesave për dialog. Përpjekje të veçanta duhet të bëhen për të siguruar që retorika politike dhe veprimet të jenë të favorshme për rifillimin dhe përparimin në dialog pas një viti negociatash të ngecura”, ka thënë Tanin.

Sipas tij, një marrëveshje finale ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të ishte e qëndrueshme vetëm nëse bazohet në atë për të cilën do të pajtohen të dy shtetet dhe ka theksuar, gjithashtu, nevojën që bashkësia ndërkombëtare “të qëndrojë e bashkuar dhe e vendosur në mbështetjen e saj drejt një marrëveshjeje të vlefshme”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat