SHIK-u në Kuvendin e Kosovës - Bota Sot
SHIK-u në Kuvendin e Kosovës

Aktuale

SHIK-u në Kuvendin e Kosovës

Nga: A.J Më: 7 nëntor 2019 Në ora: 13:31
Kadri Veseli

Ish-shefi i Shërbimit Iformativ të Kosovës (SHIK), tani shef i Partisë Demokratike të Kosovës, duket se po e mbanë premtimin, kur para dy vitesh, si kryetar i Kuvendit, i thoshte Driton Selmanajt të LDK-së “Ka me ju ngi SHIK”.

Veseli nuk do të jetë ish-udhëheqësi i vetëm i këtij shërbimi që do të jetë deputet në Kuvendin e Kosovës. Bashkë me të, deputetë nga radhët e PDK-së do të jenë edhe 4 ish-anëtarë të SHIK-ut, shkruan Gazeta Sinjali.

Veseli ka fituar 146 mijë e 763 vota, dhe megjithëse ishte kandidat për kryeministër, do të jetë vetëm deputet.

Edhe ish-zëvendësi i Veselit në SHIK, Elmi Reçica, është rizgjedhur deputet. Ai ka marrë 17 mijë e 946 vota. Ai ishte pjesë e Kuvendit të Kosovës në disa mandate, derisa ka udhëhequr edhe komisione paralamentare.

Bekim Haxhiu, gjithashtu anëtar i dikurshëm i SHIK-ut, është zgjedhur përsëri deputet, duke marrë 10 mijë e 538 vota.

1 mijë e 191 vota më pak se Haxhiu i ka marrë ish-shefi i Drejtorisë për Luftimin e Krimit të Organizuar në SHIK, Fatmir Xhelili, i cili gjithashtu ka arritur të bëhet përsëri pjesë e Kuvendit.

Këtyre deputetëve të rizgjedhur të PDK-së i është shtuar edhe Ferat Shala, i cili do të ulet për herë të parë në karrigen e deputetit.

Shala, i cili ka udhëhequr me Drejtorinë Kundër-Zbulim në SHIK, është radhitur i katërti prej më të votuarve në listën e PDK-së, duke marrë 18 mijë e 334 vota.

Ndonëse numri i ish-anëtarët e SHIK-ut që do ta përfaqësojnë PDK-në në Kuvend është rritur, ata do të jenë në opozitë.

Partia e ish-shefit të SHIK-ut, Kadri Veseli, ka pësuar disfatë të thellë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. PDK për herë të parë që nga themelimi është radhitur në vend të tretë, duke marrë 21.163% të votave.

Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit. Lëvizja e Kurtit ka marrë 26.159%, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosoves, me 24. 458%. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat