Ndihmat për tërmetin, ambasadori Minxhozi: Faleminderit Kosovë

Aktuale

Ndihmat për tërmetin, ambasadori Minxhozi: Faleminderit Kosovë

Më: 26 nëntor 2019 Në ora: 19:06
Qemal Minxhozi

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi ka organizuar sot pritje në Prishtinë për nder të festës së 28 Nëntorit.

Aty ai përmendi edhe tragjedinë që ka goditur Shqipërinë për shkak të tërmetit që la të paktën 20 të vdekur dhe mbi 600 të plagosur.

“Në jetë fatmirësia dhe fatkeqësia ndodh që takohen dhe kjo ndodhi mbrëmë”, tha ambasadori derisa ftoi për një minutë heshtjeje.

“Sot ka qenë ditë solidariteti, në Ambasadën e Shqipërisë janë regjistruar me tepër se 2500 telefonata, ata ofruan solidaritetin e tyre. Në ballë ishte Kosova, faleminderit Kosovë”, tha ambasadori Minxhozi, duke shtuar se ky solidaritet po vazhdon edhe në këto orë.

“Solidariteti e bën natën ditë dhe kjo është shumë e rëndësishme. Ne kemi forca kemi energji për ta kapërcyer këtë situatë, ky solidaritet është i jashtëzakonshëm dhe na bënë krenarë për lidhjet që kemi për njëri-tjetrin”, ka thënë ai.

Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj tha se pavarësia e Kosovës e ka qetësuar përfundimisht Ballkanin.

“Uroj që flamuri kuq e zi të mbahet lart e pastër dhe të prijë në mbrojte të lirisë. Të valojë përjetësisht i lirë ky flamur”, tha Haradinaj.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kandidat për kryeministër të Kosovës, tha se 28 Nëntori është festë e trefishtë, ku shënohet Dita e Flamurit Shqiptar, datëlindja e komandantit të UÇK-së Adem Jashari dhe dalja e parë në skenë e UÇK-së.

“Një festë e cila është thelbi i identitetit kombëtar shqiptar që na bënë të tillë çfarë jemi dhe na i mban gjallë ëndrrat dhe dëshirat tona e të cilët janë edhe ideali i dëshmorëve dhe martirëve të kombit por njëkohësisht edhe dëshirat e rinisë dhe fëmijëve tanë. Flamuri kuq e zi, me shkabën e zeze dy krenare në mes  ka qenë përgjatë historisë flamur i rezistencës”, tha Kurti.

“Teksa kremtojmë sot, nuk kemi se si të mos i shprehim ngushëllime njëri-tjetrit për ata të cilët fatkeqësisht vdiqën mbrëmë e sot në gërmadhat e një tërmeti që e tronditi gjithë kombin e jo vetëm të Durrësit”, shtoi Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat