Ngjitja ‘e shpejtë’ e Uran Ismailit në hierarkinë drejtuese të PDK-së

Aktuale

Ngjitja ‘e shpejtë’ e Uran Ismailit në hierarkinë drejtuese të PDK-së

Më: 24 janar 2020 Në ora: 20:07
Uran Ismaili dhe Kadri Veseli

Uran Ismaili ka shënuar vitet e fundit në Partinë Demokratike të Kosovës. Ai nuk kishte pasur pozita të larta në PDK, por që nga viti 2016 ka filluar të prekë majat e hierarkisë në partinë që për 10 vjet udhëhoqi me vendin, ndërkaq tash po dëshiron të mbetet në opozitë. Ajo në zgjedhjet e fundit mori 24 deputetë.

Me prejardhje nga Gjilani, Ismaili është njëriu i dytë më i votuar në PDK, pas liderit të saj Kadri Veseli. Ai ka marrë në zgjedhjet të fundit mbi 28 mijë vota. Këto ishin me gjasë një reaksion ndaj punës së tij si Ministër i Shëndetësisë, ku të gjithë vlerësuan se ndodhen disa ndryshime për të mirë.

Por, një tjetër arsye e fortë mund të jetë edhe fakti se ai është parë që nga fillimi si një ‘krah i djathtë’ i Kadri Veselit.

Ismaili ishte shef i stafit të Veselit, në mandatin e tij të parë si Kryetar i Kuvendit.
Në vitin 2016, në një konferencë për shtyp, Veseli e prezantoi atë si Nënkryetar të partisë. Ismaili sapo kishte ardhë nga një shkollim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Falënderoj kryetarin Veseli dhe gjithë PDK për besim e dhënë. Qysh në vitin 2007 kam qenë pjesë e shumë aktiviteteve në PDK. Është dëshmi që PDK krijon hapësirë për marrjen e energjisë dhe frymës së re. Do punoj nga degët dhe seksionet që të avancohen dhe të kryejmë punën me përkushtim”, tha Ismajli në atë kohë.

Dy vjet më vonë, ai do të merrte një pozitë tjetër të lartë. U zgjodh Kryetar i Degës së PDK-së në Prishtinë. PDK nuk kishte qenë asnjëherë konkurrente e fortë politike në kryeqytet.

Në zgjedhjet e fundit, me kryetar Uran Ismailin pati një rritje në vota, duke shkuar në 15 mijë, por që nuk e bëri dallimin në krahasim me dy partitë e tjera të mëdha, LDK dhe LVV që morën shumë më shumë vota dhe janë konkurrente kryesore.

Kur u mbajtën zgjedhjet për Këshillin Drejtues, para 7 muajve, Ismaili sërish fitoi më së shumti. Ai mori gjithsejtë 461 vota.

E kur u bë Kryesia e re e PDK-së, Ismaili sërish u bë pjesë e saj. Dhe si për fund, ai mori edhe një tjetër pozitë të rendësishme, ndoshta me të rendësishmen pas asaj të Kryetarit të partisë. Me vendim të Kryresisë, Ismaili u emërua Sekretar i Përgjithshëm i partisë.

Pritjet janë që ai të jetë kandidat i PDK-së për Prishtinën, në zgjedhjet e ardhshme, më 2021. Në garë të fortë do të jenë edhe VV dhe LDK si subjekte të forta në kryeqytet. Kjo ndoshta do të jetë beteja e parë serioze e Uran Ismailit, nëse kandidohet, për ta dëshmuar fuqinë e tij reale politike në garë të drejtëpërdrejtë.

Me Kryesinë e re ka pasur disa pakënaqësi kryesisht nga struktura në degën e Prishtinës por edhe nga disa rajone tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat