Qalaj: Gradimi i Beqirit e Arifit krejtësisht legal! Tregon a ishin pjesë e SHIK-ut

Aktuale

Qalaj: Gradimi i Beqirit e Arifit krejtësisht legal! Tregon a ishin pjesë e SHIK-ut

Më: 13 shkurt 2020 Në ora: 23:18
Rashit Qalaj

Duke folur për lidhjet e mundshme të tij me politikën, drejtori i Policisë, Rashit Qalaj, ka thënë se ka shumë miq në parti politike.

Ndërkaq për gradimin e Emin Beqirit dhe Kadri Arifit, ai ka thënë se nga ardhja e tij, kanë lëvizur shumë gjëra.

Sipas tij, në aspektin legal Emin Beqiri nuk ka pasur asnjë pengesë të gradohet.

Ai thotë se nuk figuron askund që Beqiri ka qenë në hierarki të SHIK-ut.

“Për gjithë kolegët që janë graduar kemi zhvilluar të njëjtat proceduara, në aspektin legal Emin Beqiri nuk ka pasur as një pengesë që të mos promovohen në punë, nuk ka pasur as një pengesë as nga Gjykata, as nga Prokuroria as nga hetimet e brendshme në fakt ata kanë marrë edhe certifikatën e sigurisë nga AKI-ja dhe pastaj janë graduar", ka thënë ai.

Ai shton se pas ardhjes së tij në këtë pozitë ndërhyrje kanë bërë edhe në sistemin e prokurimit, i cili sipas tij, ka qenë i cenueshëm.

“Me vet faktin që janë hetuar disa vepra tregon që diçka nuk ka shkuar. Ka qenë një rregullore që na ka ndihmuar për blerjen e pajisjeve. Ne përveç që kemi lidh kontrata me kompani direkt, kemi blerë edhe mjete të blinduara të cilat vijnë në fund të vitit. Kemi përfituar edhe për nga çmimi”, ka thënë ai.

Ai tutje ka shtuar se janë duke e sulmuar, për shkak se ai ka prishur interesa financiare të disa personave.

“Nuk ka shantazh e as individ që mund të më frikësoj që të bëj punën time. Kur plasohen informata të pavërteta unë nuk mund ta shoh ndryshe përveçse shantazh. Janë plasime të informatave që e dëmtojnë organizatën jashtëzakonisht shumë”, ka thënë ai.

Duke folur për vetingun, ai ka thënë në Rubikon se ai është dashur të bëhet më herët.

Sipas tij të gjitha institucionet e sigurisë duhet të kalojnë në një veting të mirëfillt.

“Wshtë krijuar një mendim negativ për rezultatet e punës në Departamentin e Krimeve ekonomike, prandaj me ndryshimet e bëra janë arritur shumë më shumë rezultate”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se tri çështje që e shqetësojnë Policinë janë sigurimi jetësor, sigurimi shëndetësor dhe Ligji për Pensionimin e Parakohshëm.

Ai thotë se çështjet e tilla janë shumë të rëndësishme dhe prioritet për Policinë e Kosovës.

Qalaj thotë se Policia e Kosovës është e vjetër dhe ligji për Pensionimin e Parakohshëm duhet të jetësohet.

Ai thotë se ende nuk janë takuar me kryeministrin Albin Kurti.

Sipas tij, ata presin që të ftohen zyrtarisht nga ai që të takohen duke shtuar se gjithashtu po presin objektivat e qeverisë për t’i futur në programin e punës.

Duke folur për rreziqet e Kosovës, i pari i Policisë, Qalaj, ka thënë se Serbia është një nga rreziqet kryesore për shkak edhe të implikimeve në veri.

Sipas tij, çështje e rëndësishme janë edhe problemet globale, duke përmendur kështu edhe terrorizmin.

Ai tutje rëndit edhe Rusinë si një nga rreziqet që i kanosen vendit.

Qalaj thotë se arrestimi i disa imamëve për të ndaluar përhapjen e terrorizmit, nuk ishte vetëm për spektakël.

“Unë mendoj që kemi bërë veprime shumë pozitive për parandalimin e terrorizmit në vend”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat