Kurti në Prekaz nuk komenton deklaratat e ambasadorit Grenell

Aktuale

Kurti në Prekaz nuk komenton deklaratat e ambasadorit Grenell

Më: 7 mars 2020 Në ora: 13:57
Albin Kurti, Rifat Jashari dhe Vjosa Osmani

(E plotësuar) - Kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk ka dashur të komentojë rreth deklaratës së të dërguarit të posaçëm të ShBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell se do të ndalin investimet për Kosovën nëse nuk largohet taksa ndaj produkteve serbe.

Kreu i shtetit pas homazheve që ka bërë pranë shtëpisë së familjes Jashari në Prekaz të Skenderajt, tha se për këto tema do të flasë në një ditë tjetër.

“Sot është “Epopeja e UÇK-së”, dhe dita e mësuesit, në vendet tjera në Prishtinë, jo këtu në Prekaz, ndonjë ditë tjetër flasim edhe për këto gjëra… Kam marrë vendime publike”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti javën e kaluar ka shpalosur planin e tij për largim të pjesshëm të taksës.

Këtë nuk e ka mirëpritur i deleguari i ShBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Ai ka kërkuar që taksa ndaj Serbisë të largohet plotësisht dhe pa kushte.

​Sakrifica e Jasharajve të jetë mësim për shqiptarët

Në ditën e fundit të manifestimit të ditëve të "Epopesë së UÇK-së, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani kanë bërë homazhe pranë shtëpisë së familjes Jashari në Prekaz.

Të dy krerët e shtetit kanë vendosur kurora lulësh në shtëpinë që është simbol i lirisë së vendit, por asnjëri nuk ka folur për gjendjen në të cilën janë lënë Kullat e Jasharajve.

Image

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se vendosën lule të freskëta në vendin ku ranë Adem e Hamëz Jashari.

Kurti: Kujtojmë në veçanti Shaban Jasharin

"Sot në ditën e tretë të "Epopesë së UÇK-së", u mirëpritëm nga baca Rifat dhe bashkë me bacën Rifat dhe me kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani vendosëm lule të freskëta pikërisht aty ku janë vrarë te shtëpia Ademi e Hamza. Me këtë rast sot është edhe 7 marsi, është dita e mësuesit e ne të gjithë e d imë se baca Shaban ka qenë mësues, pra ka qenë edhe mësues popullor, edhe mësues i Prekazit edhe mësues i Ademit, Hamzës dhe i bacit Rifat. Prandaj, sot ne e kujtojmë në veçanti edhe atë në një ditë të veçantë si kjo", tha Kurti.

Image

Kreu i shtetit nuk ka dashur të flas nëse ka një platformë ose rezolutë për dialog me Serbinë që i ka kryer këto krime në Kosovë.

Kurti: Nuk është vendi të flasim për platformë

"Nuk po mendoj që është vendi dhe koha sot të flasim për atë", tha shkurt ai.

Ndërsa, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ishin në familjen Jashari për të nderuar kujtimin e të gjithë të rënëve dhe kujtimin për komandantin legjendar Adem Jashari.

Osmani tha se kishin mundësinë të dëgjonin nga familja Jashari për peripecitë në të cilat ka kaluar kjo familje për dekada me radhë, por gjithmonë duke u dëshmuar si mbrojtës të çështjes kombëtare.

Osmani: Sakrifica e familjes Jashari duhet të jetë mësim për secilin shqiptar

"Shpresoj që fryma e bashkëpunimit dhe e bashkimit të këtyre tri ditëve do të vazhdojë edhe pas 7 marsit, sepse është pikërisht sakrifica e kësaj familje që duhet të jetë si mësim për secilin shqiptar dhe secilin qytetar të Republikës sonë. Siç i patë fëmijët që ishin këtu me lule ishin këtu në nderim për secilën nga viktimat e atyre sulmeve, atyre masakrave dhe po ashtu prezenca e gjithë qytetarëve këtu sot dhe çdo ditë dëshmon për respektin e thellë që sot e ka secili qytetar i vendit tonë për sakrificën e familjes Jashari", tha Osmani.

Kurti e Osmani janë pritur nga vëllai i komandantit legjendar Adem Jashari, Rifst Jashari, i cili i ka shoqëruar edhe gjatë homazheve tek kullat.

Sot përfundon manifestimi "Epopeja e UCK-së", ku në mbrëmje do të organizohet nata e zjarreve në Prekaz.

***

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti kanë bërë homazhe pranë Shtëpisë së Familjes Jashari, në Prekaz.

Ata u pritën nga kryefamiljari, baci Rifat (Jashari).

Ndryshe, sot përfundon manifestimin gjithëpopullor në kujtim dhe nderim të Epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroizmit të Komandantit Legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Në ditën e tretë të Epopesë, dhe e fundit, duke filluar nga ora 17:45, fillon ndezja e flakadanëve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.

Pas ndezjes së flakadanëve, vazhdon manifestimi “Nata e Zjarreve” në Skenderaj, më të cilin aktivitet përmbyllet manifestimi treditor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat