Abdixhiku: 55 qytetarë kthehen nesër nga Zvicra, nga aeroporti drejt në karantinë - Bota Sot
Abdixhiku: 55 qytetarë kthehen nesër nga Zvicra, nga aeroporti drejt në karantinë

Aktuale

Abdixhiku: 55 qytetarë kthehen nesër nga Zvicra, nga aeroporti drejt në karantinë

Më: 26 mars 2020 Në ora: 12:17
Lumir Abdixhiku

55 qytetarë të Kosovës të cilët gjendeshin në Zvicër, do të kthehen nesër në Kosovë.

Kjo është konfirmuar për media nga ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku.

Të gjithë këta 55 kosovarë menjëherë pas arritjes në Aeroportin e Prishtinës ‘Adem Jashari’ do të nisen për në Qendrën Studentore, për të qëndruar në karantinë.

“Po, nesër kthehen 55 qytetarë nga Zvicra dhe do të vendosen në karantinë”, tha Abdixhiku.

I pyetur nëse ditëve në vazhdim do të ketë kosovarë që do të kthehen nga vendet e tjera, Abdihxiku tha varësisht nga vendet në dispozicion në karantinë do të bëhet edhe kthimi i qytetarëve të tjerë.

“Varësisht nga vendet në dispozicion në karantinë do të sjellim edhe qytetarët e tjerë”, shtoi ai.

Ndryshe ditë më parë ministri Abdixhiku pati deklaruar se kthimi i qytetarëve të evidentuar nga ambasadat e Kosovës nëpër vendet e huaja do të bëhet në mënyrë të kujdesshme, të organizuar e pa rrezik për qytetarët këtu.

Numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë është 71, ku tetë rastet e fundit u konfirmuan mbrëmë nga Instituti Kombëtarë i Shëndetësisë Publike në Kosovë.

Rastet e fundit të cilat u konfirmuan pozitiv me COVID-19 janë raste kontakti prej të cilëve 4 janë me vendbanim në fshatin Domanek-Malishevë, tri raste me vendbanim në Prishtinë dhe një rast me vendbanim në fshatin Studime e Ulët-Vushtrri.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat