Loci: Të infektuarit me COVID-19 në Pejë kanë lidhje familjare, të gjithë janë në gjendje stabile

Aktuale

Loci: Të infektuarit me COVID-19 në Pejë kanë lidhje familjare, të gjithë janë në gjendje stabile

Më: 3 prill 2020 Në ora: 21:29
Ilustrim

Drejtor i Drejtoratit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Pejës, Petrit Loci ka thënë për Telegrafin se gjendja e pesë banorëve të Pejës, të cilët mbrëmjen e së premtes kanë rezultuar pozitiv në testin për COVID-19 është stabile.

Njëri nga pesë rastet, është me vendbanim në lagjen “Dardani”, të Pejës, që është edhe rasti i parë që rezultoi pozitiv në qytetin e Pejës, i cili është rast kontakti.

Të gjithë të infektuarit, sipas Locit kanë qenë në izolim dhe rasti në Pejë ka lidhje familjare dhe ka pasur kontakt me familjen nga fshati Llugagji i Pejës.

“Kemi pesë raste të reja. Janë raste që kanë qenë të izoluara, prandaj gjendja vazhdon të mbetet nën kontroll të institucioneve të shëndetit publik. Të gjitha rastet janë raste kontakti, vijën nga dy familje, njëra në lagjen “Dardani” të Pejës, e tjetra në Llugagji”, ka thënë Loci.

Para dy ditësh, njëri anëtarë i familjes në lagjen “Dardani”, kishte rezultuar negativ, sipas Locit, teksa tha se të gjithë pacientët i kanë pasur në kontroll të përditshëm.

“Të gjithë i kemi pasur në kontroll të përditshëm, ata që janë të izoluar i kontaktojmë permanent dhe i kontrollojmë gjatë gjithë kohës. Gjendja e tyre ka qenë stabilë. Nuk ka pasur as komplikim gjatë kësaj kohe e as simptoma. Por, sot është bërë një testim më masiv tek këto dy familje dhe ka rezultu këto raste. Një në Pejë dhe katër në Llugagji”, tha Loci.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka bërë të diturse gjatë testimeve të sotme, gjashtë pacientë janë shëruar nga coronavirusi (COVID-19).

Po ashtu, në testime të para, edhe gjashtë persona kanë rezultuar pozitiv në test, prej të cilëve pesë vijnë nga rajoni i Pejës, saktësisht, katër nga familja në Llugagji të Pejës, një nga lagja “Dardani” dhe një i karantinuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat