A do të mund të shkojnë qytetarët e Kosovës në Ulqin këtë verë? - Bota Sot
A do të mund të shkojnë qytetarët e Kosovës në Ulqin këtë verë?

Aktuale

A do të mund të shkojnë qytetarët e Kosovës në Ulqin këtë verë?

Më: 18 maj 2020 Në ora: 16:34
Ilustrim

Ulqini është qyteti turistik i cili ndër vite ka qenë destinacion i kosovarëve për të kaluar pushimet e verës. Edhe këtë vit, atje kanë filluar përgatitjet për sezonin e ri veror, por me masa të shtuara për shkak të pandemisë COVID-19. Kryetari i Kuvendit të Ulqinit, Ilir Çapuni, ka treguar se si po përgatitet Mali i Zi për të pritur turistët

“Mali i Zi është drejt hapjes, tani kemi vetëm 4 raste aktive, shpresojmë se nga 1 qershori të mos kemi asnjë, nëse çdo gjë shkon në rregull, ky është plani. Të premten është hapur plazhi, po ashtu kafiteritë dhe restorantet, edhe qendrat tregtare. Është liruar qarkullimi, nuk kemi më kufizime”, ka thënë Çapuni për Express.

Çapuni tha se pas hapjes së kufijve, në Ulqin po i presin pushuesit nga Kosova, të cilët çdo verë janë vizitorë të rregullt atje.

“Nga kjo ditë ne na ka mbetur t’i përgatisim plazhet dhe hotelet për sezonin e ri. Shoqatat e afaristëve dhe hotelerisë kanë filluar të bëjnë fushatën promovuese por edhe masat, pasi plazhi nuk do të jetë siç ka qenë dikur, do të ketë disa masa që duhet të ndërmerren. Ne po presim instruksionet e Shëndetit Publik, sepse ata do të japin udhëzimet se si do të jetë plazhi në të ardhmen. Ne presim që së shpejti të kemi mysafirët nga Kosova, sapo të hapen kufijtë”, deklaroi ai.

Çapuni shtoi se në Ulqin kanë qenë vetëm 22 raste me COVID-19.

“Mali i Zi është një shembull se qytetarët kanë respetuar rregullat dhe kanë dalë fitues. Numri i të prekurve 324 veta Mali i Zi, në Ulqin 22 raste”, deklaroi ai.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat