Kryeministri në detyrë Albin Kurti së bashku me Ministren në detyrë të Ekonomisë Rozeta Hajdari dhe Ministrin në detyrë të Financave Besnik Bislimi janë duke u takuar me menaxhmentin e “Trepçës”.
Ky takim nuk po ndodh brenda ambientit të “Trepçës”, por në një restorant që gjendet në Parkun Industrial të Mitrovicës ku i pranishëm është edhe kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri.
Në ndërkohë një ditë pas kërcënimeve që i janë bërë kryeministrit në detyrë Albin Kurti nga e ashtuquajtura “Garda Vullnetare Shqiptare”, meida raporton për një numër të shtuar të autoriteteve të sigurisë që po e shoqërojnë kryeministrin në detyrë në këtë vizitë.
Përpos policëve dhe mbrojtjes së afërt të kryeministrit në detyrë që kujdesen vazhdimisht për sigurinë e tij këtë vizitë e ka përcjellë edhe një Njësit Special.
Në ndërkohë, hyrja për në Parkun Industrial është e bllokuar nga ana e autoriteteve të cilët nuk e lejojnë që të futet askush që nuk ka autorizim me të cilin dëshmon se pse duhet të jetë në këtë vend ku po qëndron për vizitë Albin Kurti.